Ilustrim

Makina gjysmë-rimorkio që u bë sebep që tenderi i Lipjanit të shkojë dy herë në OSHP

Një “makinë gjysmë-rimorkio speciale për vendosje të bankinave përreth rrugëve” është bërë shkas që Komuna e Lipjanit të nënshkruajë një kontratë 80 mijë euro më të shtrenjtë se oferta më e lirë që kishin pranuar në tenderin “Ndërtimi i rrugëve në lagjet Sllovi, Gadime, Smallushë, Gumnasellë, Llugaxhi dhe Babush”.

Komuna e Lipjanit e kishte rekomanduar e më pas edhe e ka nënshkruar kontratën me konsorciumin “Quality Asphalt shpk” dhe “N N.SH World Medium” në vlerë prej 715 mijë e 643 euro e 76 centë.

Ndërsa, konsorciumi “Bageri & Avag Group shpk” që kishte ofertuar me 634 mijë e 938 euro ishte eliminuar nga gara, për shkak se makina gjysmë-rimorkio nuk ishte në përputhje me kërkesën e dosjes së tenderit.

Gjykata e Tenderëve i ka dhënë të drejtë Komunës së Lipjanit që të eliminojë nga gara kompaninë “Bageri & Avag Group”, pas dokumenteve që kishte pranuar nga Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Komunën e Ferizajt.

Komuna nuk i ka marrë parasysh arsyetimet e OE “Bageri & Avag Group shpk” se “makinë gjysmë-rimorkio speciale për vendosje të bankinave përreth rrugëve” është punim-dore, pra janë bërë ndryshime të një automjeti tjetër në atë mënyrë që është bërë gjysmë-rimorkio.

Që nga shpallja e tenderit e deri te nënshkrimi i kontratës kanë kaluar 10 muaj, e gjatë kësaj kohe tenderi dy herë është vendosur në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Vendimi i parë i Komunës me shkelje ligjore

Më 22 korrik 2023, Komuna e Lipjani e ka hapur tenderin për ndërtimin e rrugëve në lagjet e gjashtë fshatrave, për të cilin i ka ndarë për t’i shpenzuar 734 mijë e 215 euro. Dy muaj me vonë, më 23 shtator 2023, Komuna e Lipjanit e kishte rekomanduar për kontratë Grupin e operatorëve ekonomikë “Quality Asphalt shpk” dhe “N.N.SH World Medium”, të cilët kishin ofertuar me 715 mijë e 643 euro e 76 centë.

Kundër këtij njoftimi ishte ankuar “Bujar Shabani B.I.(Bageri) & AVAG Group sh.p.k”, e cila e kishte ofertën 80 mijë euro më të lirë, por ishte eliminuar nga gara për shkak se nuk i ka plotësuar kërkesat që dalin nga dosja e tenderi.

Arsyeja e parë e eliminimit ishte makina gjysmë-rimorkio.

“Në dosjen tuaj keni bashkëngjitur një dokument “Libreza e regjistrimit me targa 05-366-TA” që ju keni quajtur si makinë për vendosje të bankinave por pas shqyrtimit të këtij dokumenti, librezë e regjistrimit nuk kemi mundur me identifiku këtë mjet pune sepse në të ceket që është vetëprodhuar dhe ka një numër identifikues që nuk ekziston askund dhe për këtë AK është i pavlefshëm” – thuhet në arsyetimin e Komunës së Lipjanit.

Përveç kësaj, “Bageri Bujar Shabani B.I.& AVAG Group sh.p.k” ishte eliminuar nga gara me arsyetimin se nuk kanë dorëzuar dëshmitë e kërkuara se e posedojnë pajisjen “cilindër gomë-gomë max 4T për ngjeshje të asfaltit”.

Komuna e Lipjanit thotë se OE ka paraqitur “një dokument në formë të DUD-it doganor”, por i cili “nuk përket me DUD asgjë” dhe ishte në gjuhën holandeze.

“Bujar Shabani B.I.(Bageri) & AVAG Group sh.p.k” nuk ishte pajtuar me vlerësimin e bërë nga Komuna e Lipjanit dhe kishte dorëzuar ankesën më 28 shtator 2022, por e njëjta ishte refuzuar.

Më 14 tetor 2022, OE “Bujar Shabani B.I. (Bageri) & AVAG Group” ka parashtruar ankesë edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (Protokolli 522/22), kundër vendimit të AK për dhënie të kontratës të datës 23 shtator 2022.

Kjo kompani pretendonte se Komuna e Lipjanit ka bërë shkelje të Ligjit të prokurimit, pasi nuk kanë kërkuar sqarime shtesë siç i obligon ligji. Kjo kompani ka pretenduar se i plotëson të gjitha kriteret që dalin nga dosja e tenderit.

Edhe eksperti shqyrtues, i caktuar nga OSHP-ja, i ka dhënë të drejtë kompanisë ankuese duke kërkuar nga Paneli Shqyrtues që lëndën ta kthejë në rivlerësim.

Eksperti Shqyrtues ka thënë se arsyet e eliminimit të kompanisë janë devijime të vogla për të cilat Komuna e Lipjanit është dashur të kërkojë sqarime shtesë nga OE i eliminuar nga gara. Me këtë konstatim janë pajtuar edhe Paneli Shqyrtues i OSHP-së.

“Paneli Shqyrtues konstaton se për një vlerësim objektiv të dokumentit në fjalë AK është dashur që në pajtim me nenin 59 dhe 72 të LPP-së të kërkojë sqarime shtesë për dëshminë në fjalë, në mënyrë që ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i ofertave të bëhej në pajtim me dispozitat e lartcekura” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

OSHP-ja, bazuar në vendimin e datës 28 dhjetor 2022 (Nr. 525/22), e ka anuluar “Njoftimi për dhënie të kontratës”, dhe aktivitetin e prokurimit e ka kthyer në Rivlerësim.

“Me rastin e rivlerësimit, AK të kërkoj sqarime në pajtim me dispozitat e lartcekura dhe të vërtetoj saktësisht se OE ankues plotëson apo jo kërkesën e dosjes së tenderi. Këtë sqarim AK duhet ta adresoj edhe drejtë organeve kompetente për verifikim të kësaj makineri” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

Rivlerësimi jep rezultatet e njëjta

Komuna e Lipjanit i kishte rivlerësuar ofertat, bazuar në vendimin e OSHP-së, dhe me 16 shkurt 2023 sërish për kontratë e ka rekomanduar OE “Quality Asphalt” & “WORLD MEDIUM” nga Ferizaj. Nga gara është eliminuar kompania “Bageri”, e cila është ankuar përsëri në Organin Shqyrtues të Prokurimit duke kërkuar që tenderi të kthehet në rivlerësim.

Në ankesën që kompania “Bageri” ka bërë thuhet se arsyet e eliminimit të tyre në këtë tender janë të pabazuara, kundërligjore dhe kanë qëllime të hapura favorizuese për operator të caktuar ekonomik.

Kjo kompani pretendon se e kanë dorëzuar dëshminë e kërkuar (librezën e qarkullimit).

“Nga libreza shihet që pajisja është e regjistruar deri më datë 13 maj 2023. Asnjë dëshmi tjetër për këtë kërkesë të dosjes së tenderit, nuk është kërkuar sepse nuk ka nevojë” – thuhet tutje.

“Bageri” më pas ka thënë se pajisja në fjalë për kryerjen e kësaj detyre është punim dore dhe numri serik, i cili gjendet në makinë, nuk është numër i standardizuar i prodhuesit, por sipas kompanisë është numër, i cili ka mbetur nga pjesët e elementeve të makinave të ndryshme të dala jashtë përdorimit të cilat janë marrë për punimin e kësaj makine.

OE ka pretenduar se ky numër është identifikuar nga zyrtarët doganor dhe i njëjti është paraqitur edhe në DUD-in doganor.

Eksperti shqyrtues, në raportin e këtij të fundit pretendimi i parë i OE ankues është vlerësuar si i bazuar. Eksperti ka thënë se Kuvendi Komunal i Lipjanit ka vepruar në kundërshtim me kriterin e caktuar në dosje të tenderit, njoftimit për kontratë për faktin se ka kërkuar nga OE të dorëzoj dokumente të cilat nuk janë kërkuar në dosje të tenderit.

Tutje në raportin e ekspertit është thënë se ndonëse kompania “Bageri” ka dorëzuar librezën e regjistrimit me validitet për pajisjen për makinën gjysmë-rimorkio speciale për vendosje te bankinave për rreth rrugëve, Kuvendi Komunal i Lipjanit si AK prapë ka kërkuar nga OE që për këtë pajisje të dorëzojë edhe faturën e blerjes, DUD-in doganor dhe librezën që këtë të fundit e kishte me ofertë.

“AK-respektivisht komisioni për rivlerësim të ofertave- ZPP, gjatë ri-vlerësimit të ofertave ka vepruar në kundërshtim me nenet; 59, 60, dhe nenin 56.3 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP) kur ka eliminuar ofertën e OE ankues” – thuhet në raportin e ekspertit shqyrtues.

Si dëshmi, “Bageri”, në ankesë ka bashkëngjitur edhe procesverbalin nga vendi i ngjarjes të noterit që e konfirmon se OE ankues e posedon një makinë të tillë.

Eksperti shqyrtues i ka propozuar panelit shqyrtues që ankesën e kompanisë “Bageri” ta aprovojnë si të bazuar, të anulojnë njoftimin për dhënie të kontratës dhe ka rekomanduar që lënda të kthehet në rivlerësim.

“Rivlerësimi i ofertave të bëhet në përputhje me kriteret e parapara në njoftim për kontratë dhe dosje të tenderit” – thuhet në këtë raport.

Paneli shqyrtues vendos në kundërshtim me rekomandimin e ekspertit

Por, Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka vendosur që të refuzojë ankesën e OE Bageri dhe mos të miratojë rekomandimin e ekspertit shqyrtues, duke e lënë në fuqi vendimin e Komunës së Lipjanit për rekomandim të kontratës.

“Paneli konsideron se AK ka vepruar në harmoni me nenin 56.3 të LPP, duke e rekomanduar njërin nga gjithsej 11 konkurrentet, në kontekstin e kritereve të paraparë të dosjes së tenderit dhe në harmoni me natyrën e aktivitetit të prokurimit. është e vërtetë se ankuesi ka ofertuar me çmim më të lirë në raport me OE të rekomanduar, mirëpo vërehet se oferta e OE të rekomanduar po ashtu është më e ulët se gjithsej dhe 7 ofrues tjerë” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

Paneli Shqyrtues ka vlerësuar se Komuna e Lipjanit ka pas të drejtë të kërkojë dokumente shtesë.

Në vendimin e OSHP-së është shpjeguar se Komuna e Lipjanit ka kërkuar prova dhe shpjegime plotësuese nga Qendra e regjistrimit të automjeteve të Komunës së Ferizajt, e cila i ka dorëzuar ato dokumente me të cilat ankuesi është paraqitur për regjistrimin e këtij mjeti me ç’rast të njëjtat renditen dhe përshkruhen se çfarë ato përmbajnë:

  1. Fatura, në të cilën shkruan: Ky mjet nuk ka markë, tip dhe numër serik;
  2. Certifikata mbi rregullsinë e automjetit, në të cilën figuron numri: S19500GH;
  3. Dudi Doganor, në të cilën figuron numri: S 19/500-GH;

“Meqë fatura e cituar përmban përshkrimin si më sipër dhe meqë numri serik i mjetit në rastin konkret nuk përputhet me Certifikatë dhe DUD, AK ka vlerësuar se ankuesi nuk i ka plotësuar kriteret e paraparë në DT duke shpjeguar në vazhdim se, cituar: ‘nuk kemi kërkuar asgjë më shumë sesa që kemi kërkuar në Njoftim për kontratë dhe në Dosje të Tenderit’” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

Paneli Shqyrtues i ka dhënë të drejtë komunës së Lipjanit për të kërkuar dëshmi shtesë për tu bindur se plotësohen kriteret e vendosura në dosjen e tenderit.

“Paneli konsideron se në rrethana të tilla AK ka pasur të drejtë të hulumtojë, të krijojë bindjen e pavarur të tij/saj dhe të vendos se cili nga ofertat i përgjigjet më së miri planifikimit të prokurimit dhe përcaktimit të nevojave në kuptim të nenit 8 dhe 9 të LPP” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

Sipas tyre, komuna duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur plotësimit kritereve, jo vetëm në kuptimin e plotësimit formal të kushteve dhe/ose dokumentacionit, por edhe në aspektin përmbajtjesor, sepse plotësimi i kushteve nënkupton dhe zotësinë për realizimin sa më të sigurt të një projekti.

Ky artikull është shkruar nga Shkodrane Dakaj përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.