Luftimi i patriarkatit në rajonin e Ferizajt përmes aktiviteteve fizike e virtuale

Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia Ime” në Ferizaj për tetë muaj ka realizuar aktivitete të ndryshme pjesë e të cilave kanë qenë trajnimet me mekanizma koordinues të rajonit të Ferizajt, Hanit të Elezit, Shtimes, Kaçanikut e po ashtu edhe vetëdijesimi i qytetarëve për dhunën në baza gjinore dhe dhunën në familje.

Këto aktivitete janë bërë në kuadër të projektit “Fuqizimi i mekanizmave koordinues kundër dhunës në familje për rajonin e Ferizajt”, deri më tash 95 persona kanë përfituar në mënyrë direkte apo indirekte.

Gresa Kllokoqi, këshilluese në këtë qendër ka shpjeguar për KALLXO.com se Policia, Qendra për Punë Sociale, Gjykatat, Prokuroria, spitali, qendrat e shëndetit mendor në komunat ku kjo qendër ushtron veprimtarinë kanë qenë disa nga institucionet kryesore me të cilat kjo OJQ ka mbajtur takime të shpeshta.

“Në bazë të këtyre trajnimeve kemi arritur në një bashkëpunim më të ngushtë se sa që e kemi pasur më parë edhe si rezultat i kësaj kemi arritur që t’i dimë ato sfidat dhe ato se me çka jemi ballafaquar më herët edhe kemi arritur që të gjejmë një zgjidhje sa më konkrete në luftimin e kësaj dukurie”, ka shpjeguar Kllokoqi për KALLXO.com.

“Aktivitet tjetër ka qenë edhe draftimi i strategjisë së organizatës sonë ku edhe aty kemi pasur dy punëtori që janë mbajtur me stafin si dhe me pjesëmarrësit e tjerë të cilët kanë kontribuar sadopak në atë draftim të strategjisë”, ka shtuar ajo.

Kllokoqi ndër të tjera ka treguar se në trajnimet që kjo OJQ ka pasur në bazë të këtij projekti kanë arritur që t’i definojnë dhe t’i bëjnë vepra sfidat që i kanë gjatë punës së tyre.

“Në punën tonë kemi problematika të ndryshme si mungesa e stafit nëpër qendrat për punë sociale si dhe nëpër polici, mungesa e planifikimit buxhetor nëpër këto institucione që e luftojnë dhunën në familje dhe në baza gjinore dhe e kemi arritur një marrëveshje me ta që në atë mënyrën zyrtare të bashkëpunojmë sa më tepër që në fund të kemi një sukses të përbashkët të gjithë”.

Krahas sidave në të cilat kalojnë këto institucione si një tjetër problematikë Kllokoqi e ka veçuar edhe hezitimin për t’i raportuar rastet e dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje dhe vetëdijen e pamjaftueshme të shoqërisë ndaj këtij fenomeni.

“Një problem kryesor që ekziston në shoqërinë tonë është vetëdijesimi i qytetarëve në raportim të rasteve të dhunës për shkak se ata tash janë edhe duke hezituar ta raportojnë dhunën. Ne shpesh mendojmë se nuk ka dhunë sepse nuk është duke ndodhur raportimi i dhunës, por jo, dhunë ka por mungon raportimi. Mentaliteti patriarkal është një gjë tjetër që është temë në vete”.

Mirëpo, ajo ka konsideruar se kanë hasur në vetëdije më të madhe të qytetarëve pas postimeve që ka shpërndarë kjo OJQ në rrjetet sociale.

“Ne e kemi faqen tonë në Facebook dhe përmes postimeve të ndryshme, fushatave ose postimeve të aktiviteteve që ne i realizojmë aty kemi vendosur përshkrime se për çfarë mbahen ato aktivitete dhe për çfarë realizohen. Në bazë të kësaj kemi arritur që shumë qytetarë të përfitojnë nga këto rrjete sociale” – është shprehur Kllokoqi, dëshira e të cilës ka qenë që në të ardhmen të ketë impakt më të madh në shoqëri për këto tema.

“Shpresoj shumë që një ditë mentaliteti patriarkal ka për tu zvogëluar dhe në bazë të këtyre vetëdijesimeve jemi duke shkuar edhe drejt zhdukjes së mentalitetit patriarkal. Në shoqëri edhe pse nevojitet kohë e  madhe”- ka përfunduar ajo.

Ky projekt përkrahet nga Fondi i Grave të Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit
Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve
dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë
COVID-19”.