Lajçak, mes dështimit dhe suksesit në detyrën e re

“Ballkanin Perëndimor gjithmonë e kam pasur për zemër”. Ishin fjalët e para të Miroslav Lajçak më 3 prill, pak orë pasi mori detyrën si i dërguar special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Ballkani Perëndimor gjithmonë ka qenë afër zemrës sime, pasi kam punuar në dhe me rajonin për një kohë të gjatë. Jam i nderuar që më besohet kjo detyrë e rëndësishme”, ka thënë ai.

Lajçak ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, njërit prej pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Emërimin i tij në këtë pozitë u përcoll me reagime të përziera në Kosovë, ndërsa u mirëprit nga ambasadorët dhe pak ditë pas kësaj, Bashkimi Europian kërkoi rinisje të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte parashikuar si të dështuar misionin e Lajçak.

“BE emëroi zyrtarisht të Dërguarin Special për dialogun Kosovë-Serbi. E përgëzoj për punën e këndshme që mori. Por misioni i tij i ri është krijuar të dështojë për shkak të rekordit të tij për të ndaluar Sllovakinë të njohë Kosovën dhe të votojë kundër Kosovës në UNESCO”, kishte shkruar Thaçi më 20 mars në Twitter.

Kurse, Qeveria në detyrë e Kosovës  shpreson se Lajçak në detyrën e tij të re nuk do të përfaqësojë mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga Sllovakia, vend nga i cili vjen ai.

“Ne kemi shprehur tashmë rezervat dhe skepticizmin tonë që dy zyrtarë të lartë të BE-së, përgjegjës për Dialogun Kosovë-Serbi, vijnë nga dy shtete mosnjohëse. Mirëpo, vendimin mbi përfaqësimin e BE-së në këtë proces nuk na takon neve”, ka bërë të ditur, zyra për Informim e Qeverisë.

Mes pak njerëzve që kanë reaguar në ditën e emërimit të Lajçak ishte ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili deklaroi se BE me këtë emërim do ta zvarritë procesin e dialogut.

“Këshilli Europian sapo njoftoi për emërimin e Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë fazë finale madhështore dhe me një rol kryesor të  Amerikës, Bashkimi Evropian po e ngec procesin”, ka shkruar Haradinaj në Twitter me 3 prill.

Kurse, sipas analistëve në vend, emërimi i Lajçakut paraqet një momentum të ri për vendin si dhe prejardhja e tij nga Sllovakia nuk do të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi.

‘Lajçak nuk përfaqëson Sllovakinë, por BE-në’

Besnik Vasolli, njohës i integrimeve europiane thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se Bashkimi Europian kur njoftoi për emërimin e Lajçakut, nuk përmendi se do të bëhet një marrëveshje ligjërisht obligative.

“Çfarë vërehet këtu është që nuk përmendet një marrëveshje ligjërisht obligative. Së dyti z. Lajçak ka edhe detyra tjera rajonale, pra jo vetëm dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai ka për detyrë që të përmirësojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimit midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor”, tha Vasolli,

“Për arsye të mosnjohjes së Kosovës nga BE, komunikata për shtyp u referohet  shteteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor si partnere e jo si shtete. Në vija të trasha kjo është korniza e z. Lajçak që ai do ta ndjekë”, shtoi ai.

Vasolli tha që nga Lajçak varet se a do ta sigurojë paqen në Ballkanin Perëndimor, apo do të nxisë sfida edhe më të mëdha, të ngjashme me ato të fundviteve ’90.

“Unë mendoj që z. Lajçak do të jetë një diplomat i kujdesshëm, do të ndërmjetësojë takimet pa imponuar qëndrimin personal apo të vendit nga vjen. Përkundrazi ai do të përfaqësojë qëndrimet e shteteve anëtare të BE-së. Ajo ose ai përfaqësues i BE-së që do të arrijë një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë do të hyjë në historinë e re të BE-së si dikush që ka zgjidhur një ndër problemet më të vështira me të cilat BE-ja është duke u ballafaquar”, tha tutje ai.

Ai po ashtu thotë se Lajçak duhet të koordinohet me ShBA-në për dialogun final mes Kosovës dhe Serbisë.

“Lajçak ka një mandat të vështirë, e kjo i vështirësohet nga mosnjohja e BE-së, ka një situatë jo të lehtë në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe në dialog janë edhe SbBA-të të angazhuara me të cilat z. Lajçak do të duhet të koordinojë qasjen, objektivat, rezultatet dhe metodologjinë e vazhdimit të negociatave”, tha Vasolli për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa, Demush Shasha nga Instituti Epik e sheh si një momentum të ri emërimin e Mirosllav Lajçakut si të dërguar special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Emërimin e z. Lajçak duhet parë si indikacion i vullnetit dhe unifikimit politik të 27 vendeve anëtare të BE-së për të avancuar perspektivën europiane të Kosovës dhe gjithë rajonit. Ky është një momentum i ri në procesin integrues të Kosovës i cili duhet të jetë bazë për avancimin e rrugës integruese të Kosovës dhe jetësimit të vullnetit të 90% të qytetarëve”, ka deklaruar Shasha për GJnK.

“Emërimi i Lajçak përfaqëson intensifikimin e vëmendjes politike të BE-së për të përkrahur arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë e cila do të hapë rrugë për anëtarësim në BE. Kosova ka nevojë të fitojë liberalizimin e vizave dhe të fitojë statusin e vendit kandidat”, shtoi ai.

Shasha po ashtu potencoi se BE është e interesuar për dialogun Prishtinë-Beograd.

“Rritja e interesit politik të vendeve kyçe anëtare të BE-së për avancimin e dialogut Kosovë-Serbi është në përputhje me angazhimin e shtuar të BE-së, dhe SHBA-ve, në Ballkanin Perëndimor pas arritjes së Marrëveshjes së Prespa-së dhe shtyrjes së reformave të pa precedenta në sistemin e drejtësisë në Shqipëri me qëllim të nisjes së negociatave të anëtarësimit në BE”, tha ai.

Njohës i çështjeve integruese po ashtu theksoi se spektri politik duhet të krijojë unitet të brendshëm për avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“I gjithë spektri politik duhet të tregoj unitet të plotë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pasi që dialogu nuk do të merr fund me asnjë qeveri të vetme. Arritja e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të jetë fillimi i normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve – jo fundi i tij”, shtoi Shasha.

Sipas tij, Lajçak në dialog nuk do të përfaqësojë Sllovakinë, por 27 vendet anëtare të BE-së.

“Lajçak ka marrë besimin e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe në rolin e tij ai do të përfaqësojë 27 vende anëtare të BE-së, jo shtetin e Sllovakisë. Ai është diplomat i cili gëzon një respekt ndërkombëtar, të bazuar në një përvojë të pasur 20 vjeçare diplomatike, me theks të veçantë në Ballkanin Perëndimor.  Rrjedhimisht, emërimin e z. Lajçak  duhet parë si një sinjal pozitiv dhe aset i cili mund të kontribuoj në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi”, tha në fund Shasha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ambasadat në Kosovë “krah” Lajçakut

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëkohësisht zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Josep Borrell, përmes një publikimi në Twitter kishte thënë se Mirosllav Lajçak është diplomati i duhur për të udhëhequr dialogun Kosovë – Serbi.

Me Borrellin u pajtuan edhe shumica e ambasadave të shteteve të ndryshme në Kosovë, në ditën kur ai mori ‘primatin’.

Njëra ndër to është Ambasada e Francës në Kosovës, ku ka theksuar se Mirosllav Lajçak mund të llogarisë në mbështetjen e Francës në ushtrimin e funksioneve të tij si përfaqësues special i BE-së për lehtësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ai do të përfaqësojë Bashkimin Europian dhe shtetet anëtare të tij në rolin e tij ndërmjetësues me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht detyruese midis dy palëve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës franceze.

Edhe Gjermania u rendit krah tij. Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka mirëpritur emërimin e Mirosllav Lajçakut si përfaqësues special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Urime dhe të gjitha më të mirat për misionin tuaj, Mirosllav Lajçak. Gjermania mirëpret emërimin tuaj dhe mezi pret angazhimin tuaj si dhe do ta mbështesë plotësisht atë. Urgjentisht duhet të ecim përpara”, ka thënë ai.

Pro tij ishte edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, që mirëpriti emërimin e Mirosllav Lajçakut si përfaqësues special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Në një komunikatë thuhet që Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur prej kohësh dialogun e lehtësuar nga BE si rrugë për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për të siguruar përparim drejt anëtarësimit në BE.

Kurse, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka deklaruar se se me përvojën e tij, Lajçak do të ndihmojë dialogun Kosovë-Serbi.

“Mirëpres emërimin e Mirosllav Lajçak si Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor. Një diplomat me shumë përvojë dhe ai do të ndihmojë në procesin sfidues të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradiit. Me shumë fat z.Lajçak”,  ka thënë ajo.

Detyrat e përfaqësuesit të ri special të BE-së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të kontribuojnë në konsistencën dhe efektivitetin e veprimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Lajçak do të marrë detyrat e tij menjëherë, me një mandat fillestar prej 12 muajsh.

Dialogu Kosovë – Serbi është ndërprerë pasi që Kosova vuri tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe në vitin 2018, kurse Qeveria në detyrë e Kosovës më 1 prill e largoi këtë tarifë.

Kurse, krerët e BE-së dhe krerët e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Beograd dhe Prishtinë mirëpritën emërimin e Mirosllav Lajçakut si përfaqësues special i BE-së dhe u bënë thirrje palëve që ta rifillojnë dialogun.

“Ne e mirëpresim emërimin e Miroslav Lajçak, si Përfaqësues i Posaçëm i Përfaqësuesit të Lartë/ Nënkryetarit të Komisionit Europian Borrell për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Ata kanë deklaruar se emërimi i Lajçakut sinjalizon angazhimin e fortë të BE-së në dialog.