Krasniqi: S’Jam Pjesë e Strukturave të Reja të PDK-së

Jakup Krasniqi e njofton anëtarësinë e PDK-së se po vazhdon “me konsulenca, interesime dhe shestime idesh me anëtarë të niveleve të ndryshme të partisë; këtu përfshihen edhe të interesuar të tjerë që presin ndryshime pozitive në skenën politike të Kosovës”. Por, ai nuk qartëson nëse mund të krijojë parti të re, sikur kanë raportuar së fundit disa medie.

“Nisur nga pëshpërimat e hamendësimet mediale, herë me zë e herë pa zë, e ndiej të nevojshme që edhe një herë ta njoftoj anëtarësinë e PDK-së dhe opinionin publik se qëndroj vendosmërisht në deklarimet e bëra në letrën e 25 janarit 2013 ku kam theksuar qartë se nuk dëshiroj të jem as pjesëtar e as pjesëmarrës i Kongresit të quajtur Konventa VI Zgjedhore e PDK-së (sikundër edhe u provua)”, thotë Krasniqi, në letrën shpërndarë medieve, nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit të Kosovës.

“Pas zgjedhjes (pa vullnetin dhe praninë time në Këshillin Drejtues të kësaj partie) e ndiej të nevojshme që edhe një herë ta përsëris se në asnjë formë nuk dëshiroj të jem pjesë e atyre strukturave që kanë dalë nga zgjedhjet antistatutore. Zgjedhjet e zhvilluara kohë më parë në PDK, në asnjë nivel nuk qenë të rregullta, përfshirë këtu edhe Kongresin Zgjedhor të saj”.

Rrjedhimisht, shton Krasniqi, ai nuk e njeh as “‘produktin’ e këtij procesi ‘zgjedhor’, finalizuar nga një Konventë jolegjitime”.

“Duke qenë njeri me vokacion politikani për një kohë të gjatë, vazhdoj me këmbëngulësi konsulenca, interesime dhe shestime idesh me anëtarë të niveleve të ndryshme të partisë. Këtu përfshihen edhe të interesuar të tjerë që presin ndryshime pozitive në skenën politike të Kosovës, që presin një qeverisje të mirëfilltë, ndryshe nga çfarë e kishim deri tani. Gjithnjë për aq sa ka hapësirë e mundësi veprimi në rrethana të këtilla, të cilat nuk mund të shpërthehen pa një kulturë demokratike të reagimit qytetarë për ndryshime të thella e pozitive në shoqërinë tonë”.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i PDK-së thotë se asnjë veprim nuk e bën udhëhequr nga ndjenja e inatit apo interesit personal, por “nga parimi i interesit të vendit dhe të qytetarëve për zhvillim, integrim dhe sundim rendi e ligji”.

Krasniqi, njëri nga themeluesit e PDK-së, konsideron se “partia të cilën e kemi ndërtuar së bashku me shumë mund e angazhim, mbase edhe më shumë se kaq, është uzurpuar padrejtësisht dhe për interesa krejt personale e klanore dhe jashtë çdo procedure demokratike”.

Edhe kryesia e emëruar e PDK-së, sipas tij, nuk është legjitime. “Rrjedhimisht as anëtarët e saj të emëruar në një takim formal ku u ftuan anëtarët e një Këshilli Drejtues, po ashtu të dalë nga një votim i dyshimtë, numëruar e radhitur sipas preferencave për tri ditë, pas një votimi të mbajtur nën siglën e Konventës së PDK-së, (konventë që nuk dihet se në ç’rrethana u emërua si e tillë në Hotelin Emerald, më 26 janar 2013) disa ditë para mbajtjes formale të saj”.

“Unë nuk mund të jem produkt spekulativ i një veprimtarie të tillë fund e krye të paqartë dhe të dyshimtë e, mbase, edhe diversive!”, thekson mes tjerash, Krasniqi në letër.

“Përfundimisht, Kryesia e emëruar nga një njeri dhe e miratuar me aklamacion (vullnet të detyrueshëm) nga të gjithë, duket si një dhuratë e shefit për të preferuarit e tij, ku edhe emri im është përfshirë padrejtësisht dhe vetëm për spekulim publik, si një pozë zemërgjerësie e mëshirimi. Unë nuk pranoj ‘dhurata’ të tilla dhe nuk më nderon radhitja e emrit tim në një forum të pazgjedhur dhe të emëruar arbitrarisht, ku shefi ndan poste partiake (ashtu si ka ndarë edhe poste qeveritare), si dhurata e lëmosha nën petkun e solemnitetit”

Krasniqi shprehet se kategoria e këtillë e “mëshirimit” dhe e “zemërgjerësisë” për të janë të papranueshme.

Sipas tij, në Partinë Demokratike nuk ka pasur zgjedhje, por emërime të parapërgatitura për të eliminuar njerëzit më të votuar nga qytetarët, e ngritur njerëz të verifikuar vetëm si servilë.

Mospajtimet me kreun e partisë, Hashim Thaçi, Krasniqi i kishte bërë publike edhe një ditë para nisjes së Kongresit të Përgjithshëm të partisë, me një letër publike ku shprehu pakënaqësitë e tij me drejtimin e PDK-së dhe kualitetin e qeverisjes nga ana e saj, duke deklaruar mospjesëmarrjen në kongres. (http://www.gazetajnk.com/index.php?cid=1,984,4505)

Megjithëse nuk mori pjesë në Konventë, Krasniqi së bashku me “aleatin” e tij brenda partisë, Fatmir Limaj, u përfshi në kryesinë 33-anëtarëshe, sikur u tha me propozimin e kryetarit të PDK-së.