Komuna e Ferizajt tregon pse refuzoi ofertën e MKRS për financimin e Festivalit të Teatrove për 2023

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk e ka mbështetur financiarisht mbajtjen e edicionit të sivjetëm të Festivalit të Teatrove në Ferizaj (FTF). Arsye sipas MKRS-së, është se organizatorët nuk e kanë përmbushur një nga kriteret e thirrjes publike për mbështetje të projekteve të OJQ-ve në kulturë dhe art për 2023. Por, në vend të kësaj, MKRS i propozoi një marrëveshje, memorandum Komunës së Ferizajt për mbështetjen financiare të këtij festivali.

Mirëpo, Komuna e Ferizajt e refuzoi ofertën e ministrisë për këtë vit. Për Komunën e Ferizajt kjo ofertë u bë në kohë të papërshtatshme.

Festivali i Teatrove në Ferizaj, që këtë vit shënon edicionin e 53-të, organizohet nga Organizata joqeveritare “Fondacioni i Festivalit të Teatrove” në partneritet me Teatrin e Qytetit të Ferizajt “Adriana Abdullahu” (Teatri Adriana).  Oferta e MKRS u refuzua edhe nga OJQ që e organizon FTF-në.

Refuzimi i ofertës

Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se oferta e MKRS për FTF-në u bë në një kohë të papërshtatshme, pasi Komuna e Ferizajt veç kishte vendosur për të mbështetur festivalin.

“Ne veç kemi subvencionuar një OJQ për organizimin e Festivalit të Teatrove në vlerë prej 10,000 euro dhe nuk mund ta shtojmë këtë vlerë edhe nëse përfitojmë mjete nga memorandumi për këtë qëllim. Dmth është ky një propozim i vonuar për këtë vit për këtë qëllim”- ka thënë ai.

Sipas Aliut, insistimi i tashëm i MKRS-së ka qenë që Festivalin e Teatrove ta organizojë vetë komuna përmes teatrit “Adriana”’ që është organ i komunës”. “Kjo përveç që sjellë komplikime ligjore është e pamundur të realizohet edhe për shkak të kohës së shkurtë që na ka mbetur deri në organizimin e këtij festivali”- ka pohuar ai.

Për më tepër, Aliu ka thënë se për komunën ka qenë e pamundur lidhja e një memorandumi me MKRS vetëm për FTF-në pasi të papërkrahur nga ministria për këtë vit janë edhe Festivali i Muraleve, Festivali “Ferfilm”, Klubi letrar “De Rada”, etj.

“Ne do të dilnim selektiv për disa dhe përjashtues për disa festivale që tashmë kanë bërë traditë në Ferizaj. Për ne është e papranueshme që përmes këtij memorandumi të përçajmë komunitetin e artistëve në Ferizaj”- ka thënë ai.

Aliu ka thënë se ideja për lidhjen e memorandumeve mes komunës dhe ministrisë për të mbështetur aktivitetet kulturore të komunës është diskutuar edhe më herët, sidomos për këtë vit kur Ferizaj feston Përndryshe, ka thënë Aliu se janë pajtuar me MKRS që për vitet në vazhdim vjetorin e themelimit. Por, edhe një mënyrë për të gjetur një mënyrë të qëndrueshëm të financimit për FTF-në, Ansamblin “Kastriotët” dhe Festivalin “Kosovarja Këndon”.

Oferta për Festivalin

MKRS në një përgjigje për KALLXO.com thotë se vitin që shkoi FTF është mbështetur me 30 mijë euro nga Ministria, por organizatorët e festivalit për këtë vit kanë aplikuar në kategorinë tjetër me buxhet më të madh, në të cilën nuk i ka përmbushur kriteret.

“Ne u angazhuam dhe ofruam zgjidhje për të siguruar financim afatgjatë, adekuat dhe të qëndrueshëm për festivalin në mënyrë që të shmangeshin peripecitë që për çdo edicion të aplikohet përmes një OJQ-je në thirrjet e institucioneve publike. Organizatorët e festivalit kanë refuzuar financimin me anë të marrëveshjes e cila do të ofronte mbështetje institucionale shumë vjeçare për festivalin, ashtu siç nuk e ka asnjë festival tjetër në Kosovë”- thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Përveç komunës së Ferizajt, oferta e MKRS-së ishte refuzuar edhe nga organizatorët e FTF-së, “Fondacioni i Festivalit të Teatrove”.

“FTF e asnjë institucion tjetër i kulturës nuk ka nevojë për “dashamirësi”, as për “engjuj shpëtues” e “supermenë kulturorë” që premtojnë karota për të sanuar problemet që vet i krijojnë. Ne kemi nevojë për komunikim të sinqertë, për bashkëpunim dhe për mbështetje konkrete” – deklaruan organizatorët për mes një njoftimi për refuzimin e lidhjes së një memorandum për FTF-në.

Pavarësisht mos mbështetjes, FTF do të mbahet sipas planifikimeve nga 27 gush deri më 4 shtator 2023 në Ferizaj.