Komisioni Europian Ndërton Pikëkalimet Kosovë-Serbi

Agjencitë e ndryshme të Kosovës dhe Serbisë që punojnë nëpër pikat kufitare të këtyre dy vendeve, do të kenë punë të rehatshme, kur me fondet e Komisionit Europian të ngrihen ndërtesat e përhershme në gjashtë pikëkalimet.

Në takimin e së martës në Bruksel të Komisionit për Implementimin e Marrëveshjes së Menaxhimit të Integruar të Kufirit, pala europiane paralajmëroi se do të nisë ndërtimin e vendeve të përhershme për kufitarët e të dy shteteve, në fillim të vitit 2014, njofton një komunikatë e lëshuar të martën nga Zyra për Komunikim Publik në Zyrën e Kryeministrit.

Përfaqësues të Komisionit Europian prezantuan para palëve të Kosovës e Serbisë zgjidhjet ideore të projekteve të ndërtesave kufitare, pasi kishin marrë vërejtjet për ndryshimet e dëshiruara.

Ndërtimi i objekteve të përhershme në pikat kufitare ishte paraparë me Protokollin Teknik të Marrëveshjes për Menaxhimin  e Integruar të Kufirit.

Kontraktimet dhe tenderimet për ndërtesat nga ana e Komisionit Europian pritet të përfundojnë nga fundi i këtij viti, për të vazhduar më pas me ndërtimin.

Sipas komunikatës, në takimin e së martës u bisedua edhe për gjendjen aktuale në pikëkalimet kufitare, ndërsa u konstatua se agjencitë kufitare të Kosovës dhe Serbisë po bashkëpunojnë kënaqshëm.

Nga komunikata mësohet se pala kosovare ia ka transmetuar palës serbë pakënaqësitë e qytetarëve të Kosovës gjatë kalimit të tyre nga kufijtë e BE-së në ata serbë.

Qytetarët, sidomos mërgimtarët, kohëve të fundit u janë ankuar medieve se kufitarët serbë po u kërkojnë para për t’i kaluar më shpejt nëpër procedura, ndërsa në të kundërtën shpesh po i lënë të presin në radhë.

Në takimin për IBM-në morën pjesë zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme, Doganat, Policia e Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit. Prezent ishte edhe një këshilltar i zëvendëskryeministres Edita Tahiri.