Refik Shaqiri: Synoj uljen e taksave për të varfërit e rritjen e tyre për ata që kanë xhepat e thellë - VIDEO

Refik Shaqiri me profesion është mjek patolog, ndërsa aktualisht është drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit. Po tenton që për herë të parë të jetë deputet i Parlamentit të Kosovës.

Shaqiri në të kaluarën ka qenë zëvendësministër për Integrime Europiane në kohën kur Ministria drejtohej nga Vlora Çitaku.

Në një intervistë për KALLXO.com, Shaqiri ka treguar iniciativat që do t’i ndërmarrë nëse fiton besimin e qytetarëve dhe fiton votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputet në Parlamentin e Kosovës.

Zvogëlimi i tatimeve për shtresat e varfra të popullsisë dhe rritja e tatimit për ata që kanë “xhepin e thellë”, thotë Refik Shaqiri i pyetur se cilat taksa do t’i ulte e cilat do t’i rriste.

Komuna e Reçanit për komunitetin boshnjak është qëllimi kryesor dhe çështja për të cilën Shaqiri do të jetë më i zëshëm nëse fiton votat e mjaftueshme për ulëse në Parlamentin e Kosovës.

Fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta do të kenë përkrahjen më të madhe të Shaqirit, ndërsa i njëjti thotë se nuk do të ndërronte subjektin politik ‘NDS’ që i takon tash, ndërsa nuk e ka problem të votojë kundër grupit të tij parlamentar “nëse çështja nuk është në interesin të asaj për çka luftoj”.

Refik Shaqiri thotë se ndërtimi i termocentralit të tretë me qymyr është “një e keqe e domosdoshme”. Sipas tij, nëse kjo duhet të ndërtohet atëherë do të ndërtohet, por nëse gjenden burime më të mira apo alternativa tjera të energjisë atëherë më mirë të mos ndërtohet.

Shaqiri është shprehur kundër shitjes së Telekomit të Kosovës, e Kosova edhe për një kohë do të duhej ta mbante nën menaxhimin shtetëror.

Ai ka thënë se është krejt kundër ideve për shkëmbin të territoreve me Serbinë dhe se taksa sipas tij duhet të suspendohet.

Lumbardhi dhe lumenjtë e tjerë të Kosovës nuk kanë kapacitet të përballojnë ndërtimin e hidrocentraleve, andaj Shaqiri është kundër këtyre ndërtimeve.

Kosova duhet të punojë që të ngrihet niveli i mësimdhënies, e me cilësi vjen edhe akreditimi sipas Shaqirit.

Refik Shaqiri nuk është kundër bartjes së shamive nëpër shkolla, ndërsa i njëjti kundërshton martesat në mes gjinive të njëjta.

Diaspora duhet të marrë pjesën në politikën e Kosovës sipas Shaqirit pasi që jep kontribut të madh për popullin dhe familjarët e tyre në Kosovë, andaj edhe ‘kartoni i gjelbër’ duhet menjëherë të hiqet për diasporën që viziton Kosovën.

Drejtor në Kadastër në Komunën e Prizrenit dhe laborator privat janë dy vende pune që aktualisht ka Refik Shaqiri, e laboratorin e tij thotë se do ta mbajë edhe nëse fiton ulësen në Parlamentin e Kosovës.

700 euro paga në Komunën e Prizrenit dhe rreth 500 deri 600 euro janë të ardhurat mujore të Refik Shaqirit.

Pronë të përbashkët Shaqiri thotë se ka me bashkëshorten e tij dhe me babanë.

Meqenëse i njëjti është me profesion mjek, thotë se nëse sëmurët do të kërkojë shërim aty ku e vlerëson që i ofrohet shërbim më i mirë.

Fëmijët e Shaqirit kanë përfunduar gjimnazin publik ndërsa për momentin studiojnë jashtë Kosovës.

Ligji për sigurimin pensional dhe shëndetësor është synimi dhe qëllimi kryesor i Refik Shaqirit nëse zgjidhet si deputet, dhe se numri i pyetje që do të parashtronte si deputet nuk janë me rëndësi por është me rëndësi kualiteti i pyetjeve.

Nëse Shaqirit i ngrihet ndonjë aktakuzë thotë se do të japë dorëheqje, ndërsa nëse kjo i ndodh kryeministri të ardhshëm Shaqiri thotë se vetë kryeministri duhet të japë dorëheqje e të mos vijë te situata që Parlamenti i Kosovës me vota ta rrëzojë Qeverinë.

I pyetur se a do të votonte qeverinë e ardhshme e cila do të kishte më shumë se 15 ministri, Shaqiri deklaroi se me siguri që qeveria e ardhshme do të ketë më shumë se 15 ministri, ndërsa nga 2 zëvendësministra janë të mjaftueshëm për secilën ministri.

Të gjitha faturat dhe shpenzimet si të partisë që i takon sikurse të pozitave që mund të ketë në qeverinë e ardhshme Refik Shaqiri premtoi se do të jenë publike dhe të qasshme për publikun.