Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-drejtorëve të Komunës së Prizrenit, i akuzuari: Nuk është bërë shkelje gjatë vlerësimit të pikëve

Fejzë Kabashi, ish-drejtor i Mirëqenies dhe Punës Sociale, ka dhënë mbrojtjen para Gjykatës së Prizrenit.

Kabashi bashkë me Levent Kasemin, Refik Shaqirin dhe anëtarët e tjerë të komisionit Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se kanë dhënë në shfrytëzim pronën e Komunës duke shkelur kriterin e ankandit publik.

Të hënën, Fejzë Kabashi ka mohuar se kanë bërë shkelje gjatë vlerësimit të pikëve të kandidatëve.

Ai ka sqaruar se gjatë poentimit të lokalit numër 29, kanë ardhur në përfundim se pikët kanë qenë të njëjta sikurse para ankesës.

“E kemi rivlerësuar një lëndë së bashku me vendimin e komisionit të ankesave dhe kështu kemi rivlerësuar lëndën apo dosjen për këtë lokal dhe më pas kemi bërë ripoentimin e lokalit e aplikacionit të aplikuesit në fjalë dhe kemi ardhur në përfundim se poenat janë të njëjta si ato në seancën e fundit të poentimit paraprak” – u shpreh i akuzuari.

Kabashi ka shtuar se si komision për çështje rreth ligjit është konsultuar nga zyra e pronave.

“Ligjin dhe rregulloren nuk e kam pasur në duar, pasi që konsultimet rreth ligjit dhe rregullores janë bërë përmes zyrtarit ligjor të zyrës së pronave pasi me profesion unë jam doktor. Unë kam menduar se ai është mbrojtës i ligjit dhe i njëjti do t’i interpretojë dispozitat ligjore” – ka thënë i akuzuari.

Kabashi ka theksuar se përzgjedhje e fituesit të ankandit është bërë përmes poentimit të pikëve.

“Secili aplikues ka marrë poena për secilin kriter veç e veç dhe në fund mbledhja poenave ka bërë shumën kumulative për të gjitha kriteret. Në fund u vlerësua e gjithë lënda, gjithë aplikuesit në këtë formë dhe këtë dosje e këtë procesverbal të poentimit e ka marrë zyra e pronave, e ka shndërruar në njoftim për palët” – tha Kabashi.

Në vijim të gjykimit ai ka mohuar se Levent Kasëmi ka qenë i pranishëm në hapjen e ofertave nga ana e komisionit.

Ndërkaq, ai ka thënë se nuk ka dijeni pse në raportin përfundimtar të poentimit të kandidatëve mungojnë nënshkrimet e dy anëtarëve të komisionit.

Seancat e radhës lidhur me këtë rast u caktuan për më 16, 17 dhe 18 janar 2023.

Aktakuza ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Komunës së Prizrenit, të cilat Komuna i jep në shfrytëzim me qira.

Të gjithë të akuzuarit kanë qenë pjesë e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i komisioni ka qenë i akuzuari – drejtori Levent Kasëmi, e zëvendëskryetar – Fejzë Kabashi.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se më 18 mars 2019 të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen Fatmire Berisha në dëm të të dëmtuarit Albert Doçi, i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, ofertuesi, në këtë rast i dëmtuari Albert Doçi, kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.

Prokuroria në aktakuzën ndaj 5 zyrtarëve të komisionit ka  theksuar se përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja e lokalit nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni e ka poentuar me pikë maksimale.

I dëmtuari Albert Doçi kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave, i njëjti Komision e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar, dhe përmes një vendimi e ka kthyer çështjen në rishqyrtim.

Por, sipas Prokurorisë, përkundër këtij fakti, komisioni i përbërë nga pesë të akuzuarit ka potencuar se qëndrojnë para njoftimit  ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK