Zona e përcaktuar për ndërtimin e kishës dhe varrezave katolike pas shembjes së murit rrethues nga protestuesit | Foto: KALLXO.com

Zbulimi: Kisha Katolike Nuk Është Uzurpatore në Llapushnik

Ndonëse Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kishte ngritur pretendime në muajin shkurt se prona ku është paraparë të ndërtohet kisha dhe varrezat katolike në fshatin Llapushnik të Drenasit është e pronë shoqërore e uzurpuar, situata paraqitet më e ndërlikuar.

Vetëm një ditë më vonë, AKP-ja kishte dalë me një komunikatë – pa ndonjë argument të mirëfilltë teknik-ligjor – në të cilën thuhej se komunat dhe institucionet publike, nuk konsiderohen uzurpatorë.

Hulumtimi i Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se arsyeja pse kisha figuron si uzurpatore është mospagesa e tarifës së shpronësimit, të cilën komuna e jo kisha, është dashur në fakt ta paguajë në llogarinë e AKP-së.

Më 3 mars të vitit 2010, Komuna e Drenasit e kishte shpallur si zonë me interes të përgjithshëm sipërfaqen prej 3 hektarësh, duke iniciuar paralelisht edhe procedurën e shpronësimit.

Sipas ligjit, komunat kanë të drejtë që të kërkojnë nga AKP-ja inicimin e procedurave të shpronësimit të pronave shoqërore për interes publik. Legjislacioni parasheh që në rast të shpronësimeve të tilla komunat të kompensojnë AKP-në për pronën e shpronësuar.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku | Foto: Atdhe Mulla
Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, miratoi tjetërsimin e pronësisë | Foto: Atdhe Mulla

Kërkesa ligjore që kompensimi të ndodhë para bartjes së pronësisë duket se është arsyeja pse AKP nuk e ka bartur të drejtën e pronës te Komuna e Drenasit.

“Aseti për të cilin merret vendim për shpronësim konsiderohet në pronësi shoqërore deri sa të kryhet pagesa apo kompensimi i vlerës së atij aseti në llogari bankare”, thotë zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi.

Më 3 mars të vitit 2010, komuna e Drenasit, me kërkesën e komunitetit katolik të Llapushnikut, kishte marrë vendim që ta shpallte truallin e diskutuar si zonë me interes të përgjithshëm dhe të fillonte procedurat e shpronësimit.

Komuna dhe qeveria nuk paguajnë

Mirëpo sipas zëdhënësit të AKP-së, procedurat e ndërrimit të pronarit kryhen vetëm atëherë kur të kompensohet prona.

Në lidhje me këtë çështje, komuna nuk ka dhënë përgjigje se pse nuk është kryer një pagesë e tillë.

Njëmbëdhjetë ditë pasi komuna e kishte ndarë këtë parcelë me qëllim që zona të përdorej për nderimin e varrezave katolike, qeveria e Kosovës kishte nxjerrë një vendim me të cilin kjo zonë nuk mund të tjetërsohej për qëllime të tjera.

Ish-kryeministri Hashim Thaçi gjitashtu nënshkroi për një tjetër tjetërsim të kësaj prone | Foto: Atdhe Mulla
Ish-kryeministri Hashim Thaçi gjithashtu nënshkroi një tjetër tjetërsim pronësor | Foto: Atdhe Mulla

Vendimi i nxjerrë më 30 mars 2010 nga Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, e shpall zonën me interes të veçantë duke arsyetuar qëllimin e interesit publik.

“Hapësira ku ka qenë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në Kleçkë dhe Divjakë, me sipërfaqe prej 1.500,29 ha në komunat Lipjan, Malishevë dhe Drenas, shpallet zonë e rëndësisë së veçantë”, thuhet në vendimin e 30 marsit 2010.

Sipas Ylli Kaloshit, qeveria ka të drejtë të shpallë një pronë si hapësirë me interes të veçantë, dhe vendimi i qeverisë është mbi çdo vendim tjetër.

Por edhe ky proces i bartjes së pronësisë duket se është bllokuar për shkak të mospagesës së parave në llogarinë e AKP-së nga qeveria, e cila është gjithashtu e detyruar të bëjë kompensimin.

Kisha: “E kemi ne të qartë”

Komuna e Drenasit, ka thënë se do të kërkojë informata shtesë rreth këtij rasti, sepse nga të dhënat kadastrale që ata posedojnë, prona është blerë në emër të Ipeshkvisë së Kosovës.

Nexhat Demaku, kryetar i kësaj komune, tha se Ipeshkvia Katolike e ka blerë pronën prej AKP-së, ndërsa listimin e tyre si uzurpatorë e quajti “lojë politike”.

Por sipas AKP-së, një pronë e tillë nuk është e blerë, dhe nuk ka pasur asnjë procedurë tenderimi.

Gazeta JNK kërkoi shpjegime nga Ipeshkvia mbi pronësinë e cilësuar si të uzurpuar nga AKP-ja.

Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, tha se prona nuk është e uzurpuar dhe se do të jetë bërë ndonjë gabim.

“Kisha Katolike nuk është uzurpatore e askujt, krejt prona ka lidhje me komunën”, tha Zefi.

kisha_katolike

Ndërsa Don Marjan Ukaj, përgjegjës i kishës për Llapushnikun, nuk dha sqarime se nga kush është blerë ose është liruar hapësira që i është dhënë kishës.

“Unë nuk di për çka bëhet fjalë, unë e di që lokacioni i varrezave katolike është i dhuruar nga komuna dhe se ne posedojmë atë me të gjitha të drejta”, tha ai.

I pyetur për sqarime shtesë se si ai lokacion është dhuruar nga komuna, Ukaj tha se “ju nuk keni nevojë ta keni të qartë, e kemi ne të qartë”.

Konfrontim jofetar

Për sigurimin si uzurpatorë në listat e AKP-së, kanë reaguar edhe asamblistë nga opozita në Drenas duke e cilësuar rastin si abuzim me pronën publike.

Sipas Vehbi Berishës, asamblist i pavarur në Drenas, hapësira prej 2,5 hektarësh e dhënë për varrezat katolike në Llapushnik, është bërë në mënyrë të paligjshme.

Ai tha se qysh në fillim, problemi me dhënien e kësaj hapësire nuk ka qenë fetar por ligjor.

“U bë aq e madhe dhe iu dha krejt tjetër kahje përderisa i tërë problemi qëndronte tek skandalet dhe shkeljet me vetëdije dhe të njëpasnjëshme ligjore të Komunës, kryetarit të Drenasit”, tha Berisha.

Zhurma e Kambanës së Paralajmëruar në Llapushnik

Sokol Bylykbashi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas tha se prona e kontestuar është trajtuar në kundërshtim me ligjin, duke fajësuar edhe AKP-në.

“Prona e paluajtshme komunale dhe shoqërore në Drenas është shfrytëzuar jashtëligjshëm për interesa të ngushta, me ndihmën e zyrtarëve komunalë dhe AKP-së”, tha Bylykbashi për g-JNK.

Çështja e varrezave katolike në Llapushnik mori jehonë të gjerë mediatike, kur banorë të zonës shembën murin rrethues të tokës, duke thënë se ajo ishte zonë e mbrojtur me vlera historike që lidheshin me luftimet e bëra aty nga UÇK-ja.

Kjo solli reagimin e një sërë institucionesh, përfshi edhe ambasadorë, të cilët dënuan incidentet dhe bënë thirrje për bashkëjetesë fetare, pavarësisht mungesës së fakteve të së ashtuquajturit “konflikt fetar”.