Në kohë pandemie Komuna Leposaviqit pagoi 1,600 euro për 'Iphone 11 Pro Max'

Komuna Leposaviqit, së fundmi ka iniciuar procedurat e prokurimit për blerjen e 10 telefonave celular për nevojat e saj. Edhe pse komuna parashikoi kontratë në vlerë deri në 4,600 euro, ajo tejkaloi parashikimin duke nënshkruar kontratë  në vlerë 5,135 euro, apo 535 euro më tepër. Me këtë tender, komuna pagoi 1,600 euro për një telefon të markës “Iphone 11 Pro Max”, një telefon të markës “Galaxy S20 Ultra” me çmim 1,100 euro dhe “Galaxy Not 10 Plus” me çmim 1,000 mijë euro. Me këtë kontratë komuna bleu edhe telefona të tjerë të markës “Samsung”, por me çmime më të lira.

Në muajin shtator, Komuna e Leposaviqit inicioi aktivitetin e prokurimit për t`u furnizuar me telefona celularë.

Përmes këtij aktiviteti të prokurimit, komuna planifikoi t’i blejë 10 telefona celular. Në paramasën e publikuar në platformën elektronike “e-prokurimi”, Komuna planifikoi të blejë një telefon të mençur të markës “Iphone 11 Pro Max”, një tjetër  “Galaxy S20 Ultra”, pastaj “Galaxy Note 10 Plus”, si dhe telefona të tjerë.

Sipas njoftimit, për këtë qëllim, Komuna ka parashikuar të nënshkruaj kontratë deri në 4 mijë e 600 euro dhe për këtë aktivitet të prokurimit Komuna përdori procedurën e koutimit të çmimit me kriter të dhënies së kontratës me  çmimin më të ulët.

Mjetet për të realizuar këtë blerje komuna i ka siguruar nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.

Komuna pagoi 1,600 euro për “Iphone 11 Pro Max”

Me datën 8 të muajit të kaluar, përmes njoftimit për nënshkrimin e kontratës, të publikuar në “e-prokurim”, komuna bëri të ditur se ka përzgjedhur për kontratë  kompaninë “Nicola Todic I.B.”, me çmim të kontratës 5,135 euro.

Ndonëse komuna kishte parashikuar vlerë të kontratës deri në 4,600 euro, ajo tejkaloi atë në vlerën e 5,135 euro – apo 535 euro më tepër, që i bie për më shumë se 11 për qind më shtrentjë se parashikimi për kontratë.

Dokumentacioni i publikuar në platformën e prokurimit respektivisht nga përshkrimi i çmimeve mësohet se Komuna paguan një telefon të markës “Iphone 11 Pro Max” me çmim 1,600 euro, “Galaxy S20 Ultra” me çmim 1,100 euro, “Galaxy Not 10 Plus” me çmim 1,000 mijë euro si dhe telefona celularë të markës “Galaxy A21s” me çmim më të lirë prej 205 euro për copë.

Komuna Leposaviqit harxhon paratë e buxhetit, por nuk e mbledh tatimin në pronë

Ndonëse për tenderin për blerje e telefonave mobilë Komuna e Leposaviqit mjetet  i ka siguruar nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, Leposaviqi bën pjesë në mesin e komunave veriore të Kosovës të cilat nuk realizojnë të hyra nga tatimi në pronë

Në raportin tremujor të 2020-ës thuhet se komunat veriore të Kosovës nuk kanë regjistruar të hyra nga tatimi në pronë.

“Komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, dhe e Mitrovicës së Veriut nuk kanë regjistruar të hyra nga tatimi në pronë”, thuhet në raportin tremujor.

Raportet e mëvonshme të Minsitrisë së Financave tregojnë se një situatë e ngjashme po vazhdon të jetë edhe më tutje në këto komuna.

Qytetarët e katër komunave veriore vazhdojnë të mos paguajnë tatimin në pronës. Ata madje mund të ndërtojnë objekte pa pasur nevojë që të paguajnë për leje ndërtimore siç kërkohet me ligj. Ky privilegj për banorët e këtyre katër komunave mundësohet nga krerët e komunave veriore, të cilët ‘refuzojnë’ t’i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës.

Rreth tre vite më parë, Gazeta Jeta në Kosovë kishte bërë një analizë lidhur me vjedhjen institucionale tatimore në veri.