Stano: BE e përgatiti draft-statutin për Asociacionin sepse Kosova nuk i kreu obligimet

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka thënë se draft-statuti i Asociacioni është bërë nga Bashkimi Europian pasi Kosova ka dështuar të dorëzojë një draft për Asociacionin.

Ai ka përsëritur që ky është obligim ligjor, të cilin Kosova vetë e ka pranuar.

Megjithatë, sipas Stanos, Asociacioni nuk nënkupton asnjë formë autonomie për pjesën veriore të Kosovës.

“E kemi thënë për shumë kohë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim ligjor i Kosovës, obligim të cilin vetë Kosova e ka pranuar. Bashkimi Europian bashkë me SHBA-në thonë që ky është prioritet, dhe duhet të realizohet sipas obligimit që ka Kosova. Statuti, drafti i fundit, është bërë nga Bashkimi Europian, pas dështimit të Kosovës të sjellë draftin, të kryejë obligimin nga ana e tyre. Përkundër thirrjeve të shumta nga BE-ja dhe SHBA-ja, në nivelin më të lartë. Drafti është përgatitur nga ne, duke respektuar vijat e kuqe të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të ekspertëve më të njohur ligjorë ndërkombëtarë, duke marrë parasysh modelet më efektive të asociacioneve të ngjashme brenda BE-së. Janë mbi 20 modele në BE që funksionojnë pa krijuar frikë për autonomi a ndarje”- ka thënë ai për Tëvë1.

Në kuadër të procesit të dialogut, SHBA dhe BE në tetor të vitit 2023 i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit – një marrëveshje që rrjedh nga dialogu Kosovë-Serbi, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin Mirosllav Lajçak.

Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft-statut të vetëmenaxhimit.

Kurti ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar sesa ai i vitit 2013.