Foto: ZKM

Kurti i përgjigjet Lajçakut: Vitin e ardhshëm mund ta shkruaj një draft modern europian të Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vitin e ardhshëm ai mund të shkruajë një draft modern europian të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Kurti këtë ka thënë duke ju përgjigjur të dërguarit special të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili së fundi ka deklaruar se draftstatuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës.

Ndërsa, Kurti ka thënë se këtë mund ta bëjë në bashkëpunim me ministrat Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi.

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”- ka thënë Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka cekur shtatë pika që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve drejt vitit 2024.

Kurti ka propozuar që Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Europian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024.

Ndërsa, ka thënë se Brukseli dhe emisari europian Lajçak duhet të merren më shumë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike”- ka thënë Kurti.

I dërguari special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se “themelimi i Asociacionit është obligim i kahershëm ligjor i Kosovës”.

Ndërsa ka folur edhe për çështjen e nënshkrimit të marrëveshjeve në rrugën drejt normalizimit.

“BE-ja e ka thënë publikisht shumë herë se Marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme dhe valide. Në këtë kontekst, do të duhej ta përsërisja qëndrimin e BE-së, por edhe të SHBA-së, se çështjet formale – siç është mënyra e miratimit – nuk duhet ta pengojnë procesin e zbatimit. Në fund të fundit, Palët do të vlerësohen në bazë të rekordit të zbatimit, jo të mënyrës së formalizimit. Mungesa e nënshkrimit nuk është arsyeja që e pengon zbatimin – por është mungesa e vullnetit politik”- ka thënë ai.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe- marrëveshje që rrjedh nga procesi i dialogut me Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft-statut të vetëmenaxhimit.