Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj për draft-statutin e Asociacionit: Kurti ka bërë tradhti, tejkaloi vijat e kuqe

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka tejkaluar vijat e kuqe kur ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, në të cilën përfshihet draft- statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Haradinaj thotë se Kurti pa konsultim me opozitën ka shprehur dëshirë ta nënshkruajë draftin e Asociacionit.

“Së pari të sqarojmë se Kurti pa konsulta, pra me asnjë nga ne në Kosovë, të paktën jo me opozitën, ka shprehur dëshirë ta nënshkruajë marrëveshjen për Asociacionin me këtë draft- statut, por Vuçiq ka refuzuar sipas Kurtit. Kështu na ka treguar Kurti”- ka deklaruar Haradinaj në një intervistë në Kanal 10.

Ai ka akuzuar Kurtin se “ka bërë tradhti”, teksa shton se në preambulë, dokumenti i Asociacionit thirret në Rezolutën 1244.

“Kurti ka shkuar më larg se çdo imagjinatë e mundshme. Ai realisht ka rënë dakord për ta mohuar shtetësinë Kosovës, për faktin se ai kur ka dashur ta nënshkruajë këtë dokument, në preambulë ky dokument thirret në Rezolutën 1244. Pavarësia jonë mohon Rezolutën 1244 për shkak se Rezoluta 1244, në një farë mënyre, ia ngrin sovranitetin Serbisë. Pra Kurti realisht e ka bërë një tradhti”- është shprehur Haradinaj.

“Kurti nuk ka mundur në asnjë mënyrë, pra nuk ia lejon Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet, të pranojë një draft- statut të Asociacionit që thirret në Rezolutën 1244. Kushtetua jonë mohon Rezolutën 1244, shpallja e pavarësisë tonë e mohon atë. Pra Kurti realisht e ka tejkaluar çdo vijë të kuqe potenciale, është në pozicion kundërkushtetues”- shton ai.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe- marrëveshje që rrjedh nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Përmbajtja e dokumentit nuk është bërë publike zyrtarisht, përderisa konfidencialiteti i tij po arsyetohet nga palët si kërkesë e ndërkombëtarëve.