Ilustrim

Katër nga të arrestuarit për rrëmbimin e shtetasve maqedonas me të kaluar kriminale

Njëri nga zyrtarët policor me inicialet V. K., punëtori i RTK-së, F. S., dhe dy qytetarë të tjerë V. K., dhe M. I., (grua) sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Gjilan janë të njohur për organet e rendit dhe se të njëjtit kanë të kaluar kriminale.

Dosja e Prokurorisë në Gjilan, përshkruan në detaje ngjarjen në të cilën u përfshinë edhe zyrtarët policor si dhe rolin e gjithsecilit në rrëmbimin i cili ndodhi mes datave 16 dhe 17 shkurt të këtij viti.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e cila tregon se të rrëmbyerit madje edhe ishin kërcënuar me armë nga zyrtarët policor, se nëse lëviznin të njëjtit do të qëlloheshin me plumba.

“Nga data 16.02.2021 nga ora 22:00 gjerë më datë 17.02.2021 në ora 14:00, të dëmtuarit nën presion / kërcenim të armëve nga të pandehurit i kanë zhveshur të dëmtuarit, prangosur me pranga të plastikës duke ua plasuar video familjareve të dëmtuarve, bashkërisht në koordinim me të pandehurit, rolet dhe detyrat e tyre në raport me të pandehurën gruan se si të veprojë, josh të dëmtuarin me qëllim përfitimi material, ashtu që të pandehurit ua kanë marrë të dëmtuarve portofolat, ku njërit nga të dëmtuarve ia kanë marrë 100 euro, 100 franga dhe 4,000 denar të Rep. së Maqedonisë”, thuhet në kërkesën për paraburgim ndaj pesë të pandehurve.

Prej njërit nga të rrëmbyerit sipas prokurorisë, janë marrë 40 euro deri sa i njëjti ka qenë i prangosur, nën kërcënim të armës.

“Të njëjtit gjatë kësaj periudhe kohore kanë qenë të mbyllur, duart e prangosur, të kërcënuar, duke i goditur me shuplaka dhe kondak të revoles në kokë, të dëmtuarit kanë përjetuar shqetësim dhe ankth dhe bërë jetën të pa sigurt nën kërcenim të armëve, ashtu që pas intervenimit të zyrtarëve policor në Gjilan, të pandehurit identifikohen dhe arrestohen”, thuhet tutje në kërkesën për paraburgim të siguruar nga KALLXO.com.