Foto: ZKM

Gjasat e Kosovës për njohjen nga Greqia

Ndonëse janë bërë 13 vite që nga shpallja e pavarësisë, Greqia është në mesin e 5 vendeve të Bashkimit Evropian së bashku me Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Mirëpo sipas njohësve të diplomacisë dhe integrimeve evropiane, shteti grek ka filluar të tregoj sinjale për njohjen e pavarësisë së Kosovës, njohje e cila po vlerësohet si e ‘veçantë’ për të dyja vendet.

Vizitat e kryediplomatit grek Nikos Dendias në nëntor të vitit 2020 dhe në qershor dhe tani vizita e kryeministrit të vendit, Albin Kurti në Greqi, u shoqëruan me një kërkesë të vetme ‘njohjen e pavarësisë së Kosovës’.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, gjatë vizitës së tij në Kosovë nuk përmendi njohjen, por vetëm të ardhmen e Kosovës në Bashkim Evropian.

“Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe duhet të jetë pjesë integrale e Bashkimit Evopian, në këtë drejtim kemi qenë në favor të liberalizimit të vizave, meqë keni përmbushur kriteret. Për këtë ne kemi mbajtur qëndrim në Këshillin e ministrave dhe do të vazhdojmë të mbështesim në drejtim të kësaj çështjeje”, tha Dedias më 4 qershor.

Për të vazhduar bashkëpunimin me shtetin grek, kryeministri i vendit, Albin Kurti takoi homologun grek, Kyriakos Mitsotakis dhe zyrtarë të tjerë grek, të cilëve jua përsëriti kërkesën e njëjtë.

“Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet ekzistuese historike midis dy popujve dhe të ngritë raportet me Greqinë, si element i rëndësishëm për stabilitetit afatgjatë rajonal. Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët”, citohet të ketë thënë Kurti në takim.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, kryeministri grek Mitsotakis ka konfirmuar përkushtimin e shtetit të tij në promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes dy vendeve në kuadër të promovimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

‘Njohje me kosto’

Jehona Lushaku- Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për KALLXO.com ka vlerësuar se njohja nga Greqia mund të influencoj në përshpejtimin e integrimit evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Ajo është anëtare e BE-së dhe ka influencë përsa i përket politikave të zgjerimit që kanë të bëjnë me Ballkanin perëndimor për shkak raporteve të fqinjësisë që mund t`i ketë Greqia në të ardhmen. Greqia mund të influencoj në përshpejtimin e integrimit evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor në imputet dhe fondet që ndahen për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën”, tha ajo.

Sipas saj deri më tani Greqia edhe pse nuk e ka njohur Kosovën ka pasur bashkëpunim shumë konstruktiv.

“Greqia mund ta luaj një rol pozitiv për shkak të interesave të saj strategjike në Ballkanin Perëndimor, Kosova po ashtu ka pasur një lloj bashkëpunimi shumë konstruktiv me Greqinë deri më tani, pavarësisht që Greqia nuk e ka njohur pavarësinë, kanë ekzistuar disa parime të mirëkuptimit për njohje, sa i përket pasaportave, për turizëm, bashkëpunimit ekonomik dhe në fusha të tjera”, theksoi ajo.

Profesoresha universitare, ka theksuar se një njohje e tillë mund të ndodhë në një të ardhme të afërt, mirëpo sipas saj, ajo do të jetë rezultat i një ujdie, Kosovë-Greqi- BE- ShBA.

“Kosova mund të siguroj një njohje të tillë, gjithçka që mund të ndodhë prej anëtarëve të BE-së, do të ndodhë në mënyrë të koordinuar dhe do të ndodhë si rezultat i presioneve ndërkombëtare të ShBA-së, BE-së, por gjithësesi do të kërkohet që edhe Kosova të bëjë diçka për këtë njohje. Nëse nuk ka njohje, nuk ka njohje të nënkuptueshme, edhe njohja e Greqisë do të ndodhë me një kosto”, ka theksuar ajo.

Sipas saj ‘intensifikimi i kontakteve, intensifikimi i bashkëpunimit, nënshkrimi i marrëveshjeve të ndryshme bashkëpunimi – si marrëveshjet ekonomike, arsim, kulturë në fusha të ndryshme ku kanë interes të dyja shtetet, mund të sigurojnë sukses më të shpejtë për sigurimin e njohjes.

Njohjen e fundit, Kosova e ka siguruar nga Izraeli, kjo njohje e cila për shtetin tonë është e 117-ta është siguruar si rezultate i ujdisë në Uashington 4 shtator 2020, ujdi e cila u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë.

Njohja nga Greqia ‘thyen’ bllokun mosnjohjes dhe hap rrugën drejtë BE-së

Njohësi i integrimeve evropiane Besnik Vasolli në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se Greqia ani pse nuk e ka njohur Kosovën, vazhdimisht e ka përkrahur atë në procese të ndryshme.

“Greqia, në fakt, edhe pse ishte një nga vendet jo-njohëse, ajo kontribuoi shumë në mirëqenien e vendit dhe popujve që jetojnë në Kosovë. Për ta kujtuar lexuesin, Greqia mbështeti angazhimin e NATO-s në Kosovë dhe angazhoi shumë trupa për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin e Kosovës”, tha ai.

Greqia ka njohur pasaportat e lëshuara nga Republika e Kosovës, ka vendosur lidhje diplomatike me Kosovën dhe ata kanë azhurnuar Zyrën e Kosovës në Athinë. Greqia ka mbështetur Kosovën për t’u bërë anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare.

Sipas tij,  “Greqia ka treguar qartë se nuk ka asgjë me Kosovën dhe popullin e saj, mosnjohja nga Greqia kishte të bënte më shumë me çështjen e rastit të Qipros dhe Turqisë”.

Për Vasollin njohja nga Greqia është e rëndësishme sepse do të thyente bllokun e shteteve mos njohëse.

“Pas njohjes nga shteti mik i Izraelit, njohja nga Greqia do të kishte një jehonë të rëndësishme si në Rajon, BE dhe më gjerë. Njohja nga Greqia do të thyejë një lloj rezistence ndaj njohjes që pesëshja Evropiane i bëri pavarësisë së Kosovës, kjo do e rriste mundësinë që edhe ata të ndiqnin shembullin e Greqisë, veçanërisht Qiproja mund të ndryshonte pozicionin e saj”, theksoi ai.

Njohësi i integrimeve Evropiane, Besnik Vasolli, ka theksuar se diplomacia kosovare duhet të punoj në zvogëlimin e numrit e mosnjohjeve nga vendet anëtare të BE në minimum.

“Me njohjen nga Greqia do të fillonte një fazë e re e njohjes nga BE dhe fillimi i anëtarësimit të Kosovës në familjen ku ajo edhe e ka vendin. Qëllimi dhe fokusi përfundimtar duhet të jetë marrja e njohjes nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, prandaj BE si një organ politik gjithashtu do ta njohë Kosovën në mënyrë të plotë. Përpos procesit të Integrimit në BE, çështje siç i kemi me asteriksin por dhe çështje të tjera nuk do të shfaqeshin më”, ka theksuar ai.

Kurti në Greqi kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës