Foto: ZKM

Kurti në Greqi kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës

Kryeministri Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se njohja e Kosovës, bashkëpunimi në rajon dhe përfshirja sa më e shpejtë e rajonit në Bashkimin Evropian, është rruga e duhur drejt paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate.

Kështu ka thënë kryeministri tha, në ditën e dytë të edicionit të 25-të të tryezës së organizuar nga magazina prestigjioze britanike “The Economist”, në bashkëpunim me qeverinë greke, që po mbahet në Greqi.

Greqia është në mesin e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, bashkë me Spanjën, Rumaninë, Qipron dhe Sllovakinë.

Në panelin e diskutimit me temë “Evropa Juglindore: Rritja e Bashkëpunimit dhe Solidariteti”, kryeministri Kurti ka përsëritur kërkesën që Greqia t’u bashkohet vendeve që e kanë njohur Kosovën.

“Të mos harrojmë që 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës sikurse edhe 26 nga 30 shtetet anëtare të NATO-s, tha kryeministri Kurti, njofton ZKM-ja.

Kurti thuhet se ka folur edhe për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Kosova tashmë ka propozuar një kornizë të re të bashkëpunimit, të quajtur SEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Juglindore), e cila do të përfshinte të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, si anëtare të barabarta dhe si e tillë do të bazohej në një marrëdhënie të veçantë me Bashkimin Evropian, sipas modelit EFTA-EEA.

Në panel ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ish-presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, presidentja e Rrjetit për Reformë në Greqi “Diktio” dhe ish-komisionerja evropiane për Punësim dhe Çështje Sociale, Anna Diamantopoulou, dhe deputeti i Parlamentit Helen dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, George Katrougkalos.