Zyra Kombetare e Auditimit

Detaje nga gara për Auditor të Përgjithshëm

Vlora Mehmeti – Spanca, është emri i cili do të vijë për votim sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si propozim i presidentes Vjosa Osmani për Auditore të Përgjithshme.

Mehmeti – Spanca ka qenë kandidatja më e poentuar nga ekspertët britanikë të angazhuar nga Ambasada britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutim të pozitave të larta drejtuese. Mehmeti – Spanca ka qenë kandidatja e dytë më e poentuar nga Komisioni vendor, me 30.4 pikë.

Presidentes së Kosovës i janë rekomanduar dy kandidatë, Ujkan Bajra dhe Vlora Mehmeti – Spanca.

Më e vlerësuar se Mehmeti – Spanca, nga Komisioni vendor ka qenë kandidati Ujkan Bajra, i cili ishte renditur i pari me 34.2 pikë apo 3.8 pikë më shumë se kandidatja e propozuar për Auditore të Përgjithshme. Por Bajra sipas vlerësimit të BDO-së, ishte renditur në pozitën e katërt me 23.5 pikë. Dallimi në vlerësimin e Komisonit vendor dhe BDO-së për kandidatin Bajra ka qenë 10.7 pikë.

Për propozimin e kandidatit Mehmeti – Spanca nga presidentja e Kosovës ka reaguar edhe Bajra, i cili ishte renditur si kandidati i parë më i vlerësuar nga Komisioni vendor.

E propozuara për Auditore të Përgjithshme, Vlora Mehmeti – Spanca e cila deri tani ka qenë ndihmës Auditore e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit, është motra Valbona Mehmetit, drejtoreshës së Komunikimit në Zyrën e Kryeministrit, Albin Kurti.

Sipas Bajrës, presidentja Osmani nuk e ka marrë parasysh rekomandimin e Komisionit vlerësues vendor.

“Propozimi i komisionit profesional që u krijua me vendim formal dhe në bazë të të cilit duhet të vendoset, nuk është marrë parasysh, kështu që po vërehet se mungon meritokracia dhe transparenca në lidhje me ketë proces”, ka shkruar Bajra në Facebook.

Ai thotë se mospërfillja e propozimit të Komisonit vlerësues nga presidentja Osmani përcjell një mesazh diskriminues dhe paragjykues.

“Pse të mos publikohet raporti i komisionit dhe të shohim se cilët janë kandidatët me më së shumti pikë të vlerësuar e të propozuar për auditor nga komisioni profesional. A lejohet ndokush të diskriminohet në bazë të gjinisë, moshës ose fesë? Mendoj se jo, por lajmi i Presidentit të Kosovës pos qe nuk përfill propozimin e komisionit, ai përcjell mesazh diskriminues dhe paragjykues…., andaj nuk do koment!”, ka theksuar Bajra.

Bajra ka qenë njëri ndër tre kandidatët që i kanë shkuar Zyrës së Presidentes, Atifete Jahjaga edhe në dy konkurset që ishin zhvilluar për Auditor të Përgjithshëm në vitin 2015 dhe 2016.

Në vitin 2015, Ujkan Bajra kishte qenë në listën prej tre kandidatëve së bashku me Valbon Bytyçin dhe Ilaz Dulin. Ky konkurs ishte anuluar më pas. Edhe në konkursin e rishpallur për Auditor të Përgjithshëm, përsëri Ujkan Bajra kishte qenë ndër tre kandidatët e propozuar së bashku me Ilaz Dulin dhe Besnik Osmanin. Në fund, Besnik Osmani ishte propozuar dhe ishte zgjedhur Auditor i Përgjithshëm.

Besnik Osmani ishte hyrë në garë për t’u rizgjedhur në postin e Auditorit të Përgjithshëm. Pasi kishte filluar procesi i intervistimit të kandidatëve, Osmani ishte tërhequr nga konkursi duke mos u paraqitur fare në ditën e intervistimit.

Futja dhe largimi i njeriut të Vetëvendosjes nga lista e ngushtë

Një nga kandidatët i cili kishte aplikuar për pozitën e Auditorit të Përgjithshëm ka qenë edhe Mentor Hyseni. Hyseni ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2019. Ndërsa, gjatë Qeverisë Kurti I, ai ishte emëruar përkohësisht në krye të bordit të Ujësjellësit “Prishtina”.

Fillimisht, Hyseni ishte eliminuar nga gara dhe nuk ishte kualifikuar për intervistim për shkak të mungesës së përvojës menaxheriale të punës e cila është kërkuar me konkursin për Auditor të Përgjithshëm. 

Nga lista u largua Hasan Preteni pasi sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku ai së bashku me 15 kandidatë të tjerë ishte dërguar për verifikim, Preteni figuroi se kishte të kaluar politike në 36 muajt e fundit.

Pas kësaj faze përbërja e listës së ngushtë pësoi ndryshime, pasi në listën e të ftuarve për intervistë u përfshi edhe kandidati Mentor Hyseni me arsyetimin se pozita e tij kishte rezultuar të jetë pozitë menaxheriale. Hyseni u bë pjesë e listës së personave që u kualifikuan për intervistë edhe pse kishte marrë pjesë si kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2019. 

Edhe pse Hyseni u bë pjesë e listët së kandidatëve të cilët do të intervistoheshin për pozitën e Auditorit të Përgjithshëm, ai përsëri u largua nga lista gjatë procesit të intervistimit.

Diskutimi për largimin e tij nga procesi zgjati disa ditë, pasi brenda komisionit u ngritën dilema nëse kandidimi për deputet nënkuptonte angazhim politik. 

Gjatë këtyre diskutimeve në fillim komisioni kishte mbajtur edhe takime të mbyllura, duke i larguar monitoruesit nga salla e diskutimeve me arsyetimin se është procedurë e cila nuk mund të ndiqet nga monitoruesit. Kjo gjë ishte e pazakontë, meqë monitoruesit e BIRN nëpër konkurse të tjera kanë qëndruar në sallë edhe kur janë bërë diskutime për dilema të tilla ligjore.

Para se të vendosej përfundimisht për largimin e tij, përpara anëtarëve të komisionit ishte paraqitur një zyrtar ligjor i Zyrës së Presidentes. Ai kishte thënë se institucioni rrezikon për padi në rast se do vendosej që Mentor Hyseni të mos i nënshtrohej intervistimit. 

Departamenti Ligjor në Presidencë kishte rekomanduar komisionin që Mentor Hyseni të vazhdonte garën edhe pse i njëjti kishte qënë kandidat për deputet. 

Ai është përjashtuar nga gara për Auditor të Përgjithshëm me arsyetimin se ka të kaluar politike dhe bie në kundërshtim me Ligjin për Zyrën Kombëtare të Auditimit. BIRN nuk ishte i pranishëm në takimin në të cilin është vendosur për përjashtimin e tij nga gara.

Edhe pse u largua nga një garë pasi kishte të kaluar politike në 36 muajt e fundit, 10 ditë më vonë Mentor Hyseni  u propozua nga Qeveria Kurti për pozitën e anëtarit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Dallimet në vlerësime mes anëtarëve të Komisonit vlerësues

Procesi i përzgjedhjes së Auditorit të Përgjithshëm është bërë me asistencë të BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutim.

Komisioni vendor ka qenë në këtë përbërje: Fehmi Mehmeti – U.D Sekretar i Përgjithshëm në Zyrën e Presidentes së Kosovës; Ismet Krasniqi – Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës; Sokol Havolli – Zv.guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës; Mjellma Carrabregu – profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe Arton Demhasaj nga shoqëria civile.

Vlerësimi i anëtarëve të Komisionit vendor ka qenë autonom por te disa kandidatë ka pasur dallime të mëdha në poentim.

Dallimi më i madh në vlerësim mes anëtarëve të Komisonit ka ndodhur te kandidati Bedri Peci. Peci është vlerësuar me 37 nga 40 pikët maksimale nga një anëtar i Komisonit ndërsa me 15 pikë nga anëtari tjetër i këtij Komisoni. Dallimi në vlerësimin e tyre shkon në 22 pikë.

Edhe te kandidatja e propozuar për Auditore të Përgjithshme ka pasur dallim në poentimin e anëtarëve të Komisionit vendor. Njëri anëtar i Komisonit e ka vlerësuar Mehmeti – Spancën me 21 pikë ndërsa anëtari tjetër i Komsionit e ka vlerësuar me 39 nga 40 pikët e mundshme. Dallimi në vlerësimin e këtyre dy anëtarëve të Komisonit është 18 pikë.

Dallim prej 15 pikëve në vlerësim në mes anëtarëve të Komisonit vendor, ka pasur te kandidati Zekë Zuka. Ai është poentuar me 19 pikë nga njëri anëtar i Komisonit kurse nga një tjetër është vlerësuar me 34 pikë. 

Totali i vlerësimit të njërit anëtar të Komisionit për kandidatin Qamil Feka ishte 20 pikë ndërsa e anëtarit tjetër të Komisionit ishte 34. Dallimi në vlerësimin total të tyre është 14 pikë. Edhe te kandidati Isa Lahi ka pasur dallim të madh në poentim mes disa anëtarëve të Komisonit vendor. Lahi është vlerësuar me 23 pikë nga një anëtar i Komisonit kurse nga dy të tjerë është vlerësuar me nga 11 pikë. Dallimi në vlerësimin e tyre shkon në 12 pikë ndersa te kandidati Skender Haziri kishte dallim 11 pikë në mes të një antërari të komisionit me antërin tjeter. 

Dallime në poentim ka edhe tek kandidati Ujkan Bajra, i cili doli më i poentuari nga Komisoni vendor. Vleresimi i tij nga Komisioni vendor del të jetë për 10 pikë më i lartë se sa vlerësimi të cilin e kanë dhënë ekspertët britanikë. Mesatarja e Komisionit vendor për Bajrën është 34.2 (është renditur i pari) ndërsa e britanikëve 23.5 (është renditur i 4-i). 

Komisioni vendor ka ndjekur metodologjinë e BDO-së për procesin e intervistimit. Anëtarët e Komisionit kanë mbajtur shënime në lidhje me performancën e kandidatëve por jo gjatë gjithë kohës. Për vlerësim të kandidatëve asnjëherë nuk kanë harxhuar kohë më shumë se 3-5 minuta edhe pse koha e përcaktuar për vlerësim ishte 40 minuta. 

Procesi për përzgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës ka filluar më 30 qershor 2021 kur edhe është mbajtur procesi i përzgjedhjes së listës së ngushtë të kandidatëve. Për udhëheqjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit kishin aplikuar 25 kandidatë ndërsa vetëm 13 prej tyre i janë nënshtruar fazës së intervistimit. 

Intervistimi i kandidatëve ka filluar më 15 korrik dhe ka përfunduar më 23 korrik 2021. Në këtë fazë përpos anëtareve të komisionit, përfaqësuesve të BDO-së dhe monitoruesit të BIRN, ka marrë pjesë edhe Ramadan Gashi, auditor i lartë i cilësisë se kontrollit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, i cili në këtë proces mori pjesë në cilësinë e vëzhguesit si përfaqësues i Sindikatës së ZKA-së.