Dëshmon i Bashkakuzuari i Nazmi Mustafit

Në Gjykatën Themelore në Pejë, të mërkurën, vazhdoi gjykimi ndaj ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafi, vëllezërve Xhelal e Reshat Zherka, si dhe Mirela Ndocit.

Ndonëse në seancën paraprake, të hënën, ishte paralajmëruar deklarimi i të akuzuarit Reshat Zherka, vëllai i tij Xhelal Zherka, po ashtu i akuzuar, vazhdoi paraqitjen duke deklaruar përsëri se ndihet i pafajshëm dhe se te gjitha ato që janë në akuzë janë të pavërteta.

Ky i akuzuar, në pyetjen e prokurorit lidhur me atë që ka thënë dëshmitari bashkëpunues, se vëllezërit Zherka brenda dite e kishin thirrur në telefon 112 herë ish-prokurorin Mustafi, i mohon të gjitha duke thënë se mohimi i tij edhe mund të vërtetohet.

Ndërsa sa i përket shumës prej 18.400 eurosh, të cilat dëshmitari Luk Nikollbibaj në dëshminë e tij të datës 9 janar të këtij viti ka thënë se ua kishte dhënë vëllezërve Zherka , i akuzuari deklaroi se ato para i ka marrë vëllai i tij Reshati si huazim për të kryer një obligim qe e ka pasur ndaj bankës Raiffeisen. 

Nazmiu ka kundërshtuar dha na ka thënë, ‘për kësi punësh mos me thirrni’

I akuzuari Zherka në dëshminë e tij akuzon edhe mediat, duke thënë se pas arrestimit të tij dhe të vëllait të tij, ato kanë marr një fushatë kundër firmës së tyre “Reshati Impex”.

“Kinse në firmën tonë janë gjetur shishe të mbushura me viski të falsifikuar”, tha ai.

Në pyetjen e prokurorit lidhur me atë se a ishte informuar nga Mustafi për ndonjë hetim ndaj Pashk Mirashit, i akuzuari deklaron se kurrë nuk kishte biseduar për këtë me Mustafin.

“Lidhur me këto hetime rreth Pashkut e kemi marr vesh nga vet Pashku”, tha Xhelal Zherka, sipas te cilit Pashk Mirashi në një rast kishte kërkuar nga vëllai i tij Reshati qe të bisedonte me Nazmiun për ta lutur që atij t’i lejohet të shkojë në një darsmë.

Kjo pasi Mirashi nuk kishte mundësi të shkonte pa lejen e prokurorit, duke qenë se ishte ne arrest shtëpiak.

“Nazmiu ka kundërshtuar dha na ka thënë, ‘për kësi punësh mos me thirrni’”, shpjegon i akuzuari Zherka.

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafi, ngarkohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, nga neni 339, paragrafi 1 dhe 3, dhe veprën penale “armëmbajtje pa leje”, nga neni 328, paragrafi 2, si dhe shpërdorim i detyrës zyrtare nga neni 339 par 1 i KPK-së;

Reshat dhe Xhelal Zherka, akuzohen për veprat penale “Ushtrim i ndikimit”, nga neni 345, paragrafi 1 lidhur me nenin 23, dhe shtytje e shpërdorimit te detyrës zyrtare nga neni 339 paragrafi 1 dhe 3, lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Kurse Mirela Ndoci akuzohet për veprën penale “Ndihmë pas kryerjes së veprës penale”, nga neni 339, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 25, të KPK-së. 

Aktakuza ishte konfirmuar më 4 shtator 2012. 

“Pa mëdyshje është vërtetuar se e tëra është montuar ndaji z.Mustafi

Mbrojtja e bindur se e tëra është montim

Bajram Tmava, avokati i Nazmi Mustafit, tha se deri me tash është i kënaqur me procedurën dhe me mënyrën se si po udhëhiqen këto seanca.

“Sa i përket provave te administruara, si ato materiale dhe ato dëgjimore të dëshmitarëve, nuk është vërtetuar në as një mënyrë përgjegjësia penale e klientit tim.  E vetmja provë që në një mënyrë e implikon te mbrojturin tim, është dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues Pashk Mirashi”, tha avokati Tmava.

Mirëpo, sipas tij, kjo dëshmi i ka dy te meta, sepse në kohën kur inkriminon veprimet e Nazmi Mustafit, Mirashi ka qenë i dyshuar dhe nën masat e sigurisë.

Sipas z. Tmava, aktgjykimi nuk mund të bazohet vetëm në një dëshmi apo provë, e veçanërisht në dëshminë e dëshmitarit bashkëpunues.

“Pa mëdyshje është vërtetuar se e tëra është montuar ndaji z.Mustafi, dhe besoj se gjykata do t’i ketë parasysh këto fakte dhe rrethana, dhe do të sjell aktgjykim lirues për te mbrojturin tim. Po qe se ndodh kjo, atëherë unë dhe i mbrojturi im kemi se çka ta informojmë opinionin kosovar”, ka deklaruar Bajram Tmava, avokati i Nazmi Mustafit.

Pashk Mirashi, likuidator i ish Bankës Kreditore në Gjakovë, është dëshmitar bashkëpunues në rastin Mustafi.

Në vitin 2008 Policia e Kosovës kishte pranuar ankesa anonime me të cilat akuzohej Mirashi për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Nazmi Mustafi në, atë kohë  prokuror në Prokurorinë  Speciale të Kosovës, kishte filluar hetimin e tij kundrejt Pashk Mirashit për dyshime për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës kundër Nazmi Mustafit, ky i fundit përmes vëllezërve Zherka, i kishte kërkuar Mirashit  50 mijë euro, si kundër shpërblim për pushimin e hetimeve penale kundër tij dhe heqjen e arrestit shtëpiak, të cilin e kishte caktuar gjykata.

Pas kësaj Mirashi e kishte lajmëruar rastin në organet kompetente.