Arkiv - Dëmet e shkaktuara nga breshëri
Bujqësia e pasigurt - Sa ja vlen sigurimi i kulturave bujqësore në Kosovë?
Një nga problemet kryesore në bujqësi është rreziku nga kushtet atmosferike që kanë kulturat bujqësore. Pra, një bujk mundet të harxhoj para e kohë, e në fund krejt mundi mund t`i shkojë dëm për shkak të një breshëri, erërave të forta apo ngricave të pranverës.
Nga viti 2019, në Kosovë është hapur mundësia e sigurimeve të kulturave bujqësore, por numri i atyre që i sigurojnë është i vogël. Aktualisht në Kosovë janë vetëm 12 produkte që mund të sigurohen, por vetëm për periudha të caktuara të vitit.
Në emisionin #KallxoPernime është diskutuar për sigurimin e produkteve bujqësore. Nga më shumë se 100 mijë bujq që ka Kosova vetëm 100 prej tyre i kanë të siguruara kulturat e tyre në kompaninë e sigurimeve Elsig.
Brahim Isufaj, nga kjo kompani në emisionin #KallxoPernime ka thënë se për t`i siguruar produktet bujqësore, fermerët financohen nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa pjesën tjetër e paguajnë vet ata.
“Tash pagesën e primit e kanë 75%, që rimbursohet nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa 25% e paguan vet, por ka disa komuna që kanë shprehur gatishmërinë që t`i financojnë fermerët me 10-15%, ndërsa atyre ju ka mbetur me pagu diku 10% primin”, ka thënë Isufaj.
Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC, anëtare e Grupit të Bankës Botërore), në kuadër të projektit për financimin e bujqësisë në Evropë dhe Azi Qendrore, ka punuar me Ministrinë e Bujqësisë, në krijimin e sistemit të sigurimeve bujqësore në Kosovë.
Fatmir Selimi, magjistër i agro-ekonomisë ka thënë se në vitin 2019 ky dikaster ka filluar me sigurimin e kulturave bujqësore.
Janë 12 kultura bujqësore që mund të sigurohen në Kosovë: mjedra, arra, dardha, dredhëza, fasulja, speci, molla, kumbulla, misri, qershia, vreshtat, vishnje.
“Fillimisht kanë qenë vetëm 6 lloje të kulturave bujqësore që janë mbuluar nga këto sigurime, dredhëza, mjedra, speci, molla, rrushi dhe kumbulla. Pastaj kjo është shtuar dhe deri në vitin 2022 kanë qenë 12 kultura tash janë futur edhe tri të tjera, gjithsej 15 sosh”, ka thënë Selimi.
Selimi është pyetur pse vetëm 15 kultura bujqësore mund të sigurohen?
“Nëse jemi t`u fol për sigurimet bujqësore janë ndikimet klimatike që mund të ndikojnë në këto të mbjella, në këtë rast jemi duke folur për ngricat e hershme të pranverës. Duhet t`i dallojmë fatkeqësitë natyrore prej ndikimeve klimatike. Fatkeqësi natyrore janë ngricat e hershme, breshëri, temperaturat e larta dhe thatësirat”, ka thënë Selimi.
Por një kulturë bujqësore që është mjaftë e kultivuar në Kosovë e që nuk është e sigurime, është patatja. Bedri Kasumi, prodhues i patateve, ka thënë se patatja është një kulturë e shtrenjtë, e cila vetëm në ditën e mbjelljes ka 3 mijë euro investime.
“Unë sot nuk po kërkoj që patatja të sigurohet nga thatësirat pasi nuk kultivojmë patate aty ku nuk ka mundësi të ujitjes por po kërkojmë që kjo kulturë të sigurohet nga ngricat e hershme, breshëri dhe vërshimet, tri gjëra që ne shumë shpesh ballafaqohemi”, ka thënë Kasumi.
Ai ka shtuar se Serbia si konkurrente në tregun vendor i ka dy sigurime.
“E ka sigurimin nga kompanitë e sigurimeve dhe nëse nuk është i siguruar fermeri, është Fondi Emergjent që menaxhohet nga komunat që iu del në ndihmë atyre, pra ne ballafaqohemi me konkurrencë që kanë dy lloje sigurimeve”, ka thënë Kasumi.
Kasumi më tej ka treguar se për këtë vit ka planifikuar që të mbjell 500 hektarë me patate bashkë me 60 bashkëpunëtorë të tij bujq, ndërsa në krejt Kosovën patate mbillen rreth 3 mijë e 500 hektarë.
Përderisa ka thënë që ka shprehur interesim që sigurimin e kësaj kulture bujqësore ta paguaj vet, por nuk i është mundësuar një gjë e tillë.
“Unë jam i gatshëm vet me e pagu sigurimin vetëm mos me u ballafaqu me këto humbje që fermeri të jetë i sigurt, që në fund mundin që e ka dhënë, paret që i ka investu me i pas të sigurume. Ka 5-6 vjet që është thënë që sigurimi i kësaj kulture është afër por as sot nuk është gati, unë e kisha marr vet përsipër që ti siguroj edhe bujqit që punojnë për mua vetëm të jemi të të sigurt në fund” – ka thënë Kasumi.
S’ka sigurim për kulturën e specit
Rreth tre mijë bujq sa janë në komunën e Rahovecit, vetëm 8 nga ta i kanë siguruar kulturat bujqësore. Ata në Kallxo.com janë ankuar sepse specin mund ta mbrojnë vetëm nga të reshurat e muajit maj-qershor, por jo edhe nga breshëri. E speci është i rrezikuar kryesisht nga breshëri.
Sipas Fatmir Selimit, nga IFC-ja, i cili është edhe magjistër i agro-ekonomisë, speci nuk mbrohet nga breshëri sepse sipas tij në atë pjesë ndodh shumë rrallë.
Speci mund të sigurohet vetëm nga reshjet e shumta në periudhën 15 maj – 10 qershor (gjithsej 27 ditë), periudha me reshje të mëdha të shiut.
Kompania e sigurimeve ka pasur takim me fermerët në atë pjesë dhe me një numër të madh të tyre janë pajtuar që të fillohet me sigurimet e kulturave bujqësore, në atë periudhë ka qenë mbulueshmëria nga ngricat.
“Ministria ka thënë që ju (fermerë) do të paguani vetëm 10% të polisës së sigurimit ndërsa më vonë del që sistemi i këtij dikasteri nuk lejon që t`i bëhet pagesa direkt kompanisë, por duhet fermeri komplet të paguaj pagesën e primit tek kompania e më pas ata duhej të aplikonin për rimbursim në ministri, atëherë fermerët janë tërhequr”, tha Brahim Isufaj nga kompania Elsig.
Sindikata e Bujqve nuk është e informuar rreth sigurimeve të kulturave bujqësore
Ndonëse është në krye të Sindikatës së bujqve, ku janë të anëtarësuar rreth 5 mijë bujq në gjithë Kosovën, Tahir Tahiri, në emisionin #KallxoPernime ka thënë se tash po e kupton që ka sigurim për kultura të caktuara bujqësore.
“Ministria nuk është transparente. Ne e dimë që nuk ka pasur asnjë bujk i cili ka siguruar ndonjë kulturë bujqësore sepse nuk kanë pasur informacione se ku duhet t`i sigurojnë. Mua m’kanë pyet se ku mund t`i sigurojmë por unë kam pasur informatë jozyrtare bile se kam ditë as cila kompani bën sigurimin e kulturave bujqësore”, ka thënë Tahiri.
Fatmir Selimi, magjistër i agro-ekonomisë e ka mohuar që nuk kanë pasur fushata informuese për sigurimin e kulturave bujqësore, madje ka përmendur një numër të shoqatave që përfaqësojnë bujqit, që janë duke bashkëpunuar.
Vërshimet e fundit dëmtuan shumë kultura bujqësore
Lavdim Zabeli, kultivues i perimeve në Skenderaj në emisionin #KallxoPernime ka treguar se serën e perimeve e kanë të vendosur afër lumit, dhe nga vërshimet është dëmtuar komplet.
“Kemi kultivuar sallatë të gjelbër, spinaq dhe të gjitha janë dëmtuar. Kemi pasur dëme edhe në mbushjen e moduleve. Ndonëse komuna kishte intervenuar në rregullimin e shtratit të lumit, ai ka shumë devijime”, ka thënë Zabeli.
Dëmet financiare të prodhimeve të tij ende nuk i di saktë por ka shtuar se ka pasur shumë të mbjella.
“Vetëm të mbjella kemi pasur diku rreth 10 mijë euro produkte. Sallatë të gjelbër kemi pasur të mbjellë afër 7 mijë fidanë të cilat edhe dy javë do të ishin të gatshme për treg, spinaq rreth 3 mijë kg, ku përafërsisht çmimi për kg varion nga 1.5 deri në 2 euro”, ka shtuar Zabeli.
Ai ka shtuar se edhe para dy vjetëve, nga dëmet nga kokrrizi kanë qenë diku 24 mijë euro, ndonëse ministria e ka bërë vlerësimin por janë kompensuar vetëm 3 mijë e 800 euro.
Zabeli ka bërë thirrje Qeverisë që nëse e kanë në plan t`u dalin në ndihmë të prekurve nga vërshimet le ta bëjnë tash sepse nuk do të kenë mundësi të fillojnë me të mbjella në pranverë.
“Nëse komuna dhe Ministria e Bujqësisë e ka në plan të na ndihmojë, le ta bëjë tani në start, se në qoftëse na ndihmon në periudhën e verës masi te kryjm sezonën atëhëerë nuk na duhet edhe shumë. Tash starti është shumë i zorshëm neve na duhet të ballafaqohemi me shumë sfida ose të mos startojmë fare me të mbjella” – tha ai.
Qeveria në fund të vitit të kaluar ka ndarë mbi 2.8 milionë euro për të mbuluar dëmet në bujqësi për shkak të reshjeve të shiut.
Kjo ndarje kishte përfshirë kompensimin për periudhën janar – nëntor 2022.
Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Ministri Peci tha se nga këto mjete do të përfitojnë fermerët e 22 zonave të prekura.
“Si ministri kemi buxhetuar mjete për t`u ardhur në ndihmë bujqve, përveç 2 milionë e 826 mijë do të përfitojnë fermerët e 22 zonave të prekura. Vlerësimet e realizuara nga komisioni i ministrisë bazuar në raportet e komunave, kemi hartuar udhëzuesin në bazë të të cilëve drejtoritë kanë hartuar raportet” – u shpreh ministri Peci në mbledhjen e Qeverisë.
Deri në 9% interes paguajnë fermerët për kredi
Bedri Kasumi, prodhues i patateve dhe grurit ka thënë se nëse produktet e tij kishin me qenë të siguruara edhe kamata për kredi do të ishte më e ulët, kjo do i ndihmonte.
“Për mua si kompani nuk është shumë e lartë por për një fermer timin është shumë e lartë, e papërballueshme, 7. 8., 9.%. mirëpo nëse do të ishte e sigurume edhe bankat e kishin marr me risk më të vogël dhe sigurisht edhe kreditë do të kishin qenë me interes më të ulët”, ka thënë Kasumi.
Fatmir Selimi, magjistër i agro-ekonomisë, në #KallxoPernime ka thënë se qëllimi i tyre si IFC me projektin Kosovo Agri-Finance janë duke punuar në zvogëlimin rrezikut të dëmeve në mënyrë që bankat të lëshojnë më shumë kredi për bujqit.
Ai ka thënë se janë duke punuar bashkë me bankat partnere dhe se janë duke punuar që t`i zvogëlojmë rreziqet përmes sigurimeve bujqësore edhe përmes këshillimeve.