VIDEO -Breshëri shkakton dëme në Mihaliq të Vushtrrisë, fermerët presin të kompensohen nga komuna

Breshëri që ka rënë mbrëmë ka shkaktuar dëme të mëdha në kulturat bujqësore në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë.

Specat, domatet e misëri janë disa prej të mbjellave të banorëve që kanë pësuar humbje.

Pothuajse tërësisht janë dëmtuar edhe pemët e perimet në bahçen e Ramadan Nasufit për rreth gjysmë ore sa ka rënë breshër.

Nasufi thotë se në fshatin Mihaliq nuk e mbanë mend të ketë rënë më shumë breshër sesa mbrëmjen e 21 gushtit.

Ai thotë se secilën nga këto kultura që e ka prekur breshëri ka filluar të kalbet.

“Dame ka shkaktua në misër, në pemë këtu siç pë shihni, në bahçe sidomos në bahçe, kam pas speca goxha do, domate, tranguj ato i ka shkatërrua plotësisht krejt, siç pe shihni molla, dardhat, arrat, ftoj kam atje pak ma nalt, secilës që i ka ra kjo më veç vjen tu u kalb”- ka thënë Nasufi për KALLXO.com.

Domatet e dëmtuara nga breshëri në bahçen e Ramadan Nuhiut. 22.08.2022 Foto: KALLXO.com

Ndërsa fermerit Hasan Nasufi, breshëri ja ka dëmtuar rreth 70 ari speca të cilët kanë qenë të gaqëm për shitje.

Ai thotë se me ketë kulturë bujqësore merret tash e gjashtë vite.

“Dikund 70 ari janë spec, kallamoq përmbi dy hektar e diçka, dy e gjys për momentin, domate dikund 200 fije”-ka thënë ai për KALLXO.com.

Specat e dëmtuar nga breshëri në arën e Brahim Mehmetit. 22.08.2022 Foto: KALLXO.com

Mbulimin e këtyre dëmeve banorët e fshatit Mihaliq po e konsiderojnë të pa përballueshme, ndërsa thonë se presin që për këto humbje të kompensohen nga komuna.

“Ne përveti nuk mund ta mbulojmë ketë humbje po ishalla na ndihmon qeveria a ministria e komuna a dikush se valla na ka dëmtua goxha shumë”-ka thënë Hasan Nasufi për KALLXO.com.

Ndërsa, femëri Brahim Mhemeti thotë se për 1 hektar e 800 ari tokë të mbjella me speca ka investuar rreth 6 mijë euro.

Ai thotë për KALLXO.com se ka qenë në komunë për të ankuar për dëmët e shkaktuara.

“Jena shku në komunë, kanë thanë dalim me i vizitua, tash presim, naj ndihmë diçka sa të ka njëri mundësi, komuna a ministria”- thotë ai.

Lidhur me dëmet e shkaktuara nga moti i lig mbrëmë, nga Komuna e Vushtrrisë thonë se kanë pranuar dy ankesa për vlerësim.

Sipas Maliq Ferizit, Drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Vushtrrisë, komisioni do të del në terren që adresojnë të dëmtuarit.

Sipas tij, në ketë komunë më i godituri nga kjo situatë është fshati Mihaliq dhe një pjesë e fshatit Bequk.

“Komisioni do të del në teren sipas kërkesave që adresojnë të dëmtuarit. Komuna nuk ka buxhet të ndarë për të bërë kompensimin e dëmeve por vlerësimin e dëmit e adreson në Ministrinë e Bujqësisë”- ka thënë Ferzi për KALLXO.com.