Bujar Basha i Shpëton Arrestit

Policia në Prizren ka bërë të ditur se Njësia Speciale Operative ishte përpjekur ta arrestonte të arratisurin nga Burgu i Dubravës, Bujar Bashën, mbrëmë në afërsi të fshatit Vraniq të Suharekës, por nuk ia ka arritur.

Hetues rajonalë dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative nga Prizreni, rreth orës 22, kishin ndërmarrë operacionin për arrestim, pasi kishin pranuar një informatë përmes rrugëve operative se Basha me dy persona të tjerë, që po e shoqëronin, lëvizte me një automjet të llojit “Opel Vectra”.

Por, në momentin kur e ka vërejtur veturën e policisë, Basha ka kërcyer nga automjeti, duke ikur nëpër një arë të mbjellë me misër, ka njoftuar zëdhënësi i policisë Hazir Berisha.

Policia ka arrestuar dy shoqëruesit, Urim B. dhe Visar K., ndaj të cilëve do të bëhet kallëzim penal për dhënie të ndihmës kryerësit të veprave penale. Policia ka sekuestruar veturën e dyshuar.

Bujar Basha, i cili po vuante burgimin në kohëzgjatje prej 14 vjet e dhjetë muaj në Burgun e Dubravës, ishte lejuar nga drejtori i burgut të shkojë për fundjavë në shtëpi. Por, nga 1 gushti ky i burgosur, i cili disa herë ka ikur nga burgjet e Kosovës, nuk është kthyer më në burg.

Basha (1981) nga Prizreni është i dënuar për shkak të një vjedhjeje që e ka kryer menjëherë pas luftës në Kosovë. Ai ishte arratisur disa herë nga burgu dhe së fundi ishte pjesë e grupit prej shtatë vetave që kishin ikur nga Dubrava, duke përdorur edhe armët e zjarrit.

Në arrati, ai kishte kryer një rast tjetër grabitjeje në një argjendari në Drenas, me ç’rast kishin mbetur të plagosur dhe dy policë. Pasi ishte kapur, në nëntor 2009, atij i është shqiptuar dënimi i unisuar me gjithsej 14 vjet e dhjetë muaj.