ATK ngec në konfiskimin e pasurisë, borxhet e tatimpaguesve arrijnë mbi 240 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës ka çaluar ndër vite në zbatimin e një prej armëve më të forta të saj sipas ligjit, atë të konfiskimit të pasurisë.

Mbi 243 milionë euro llogaritet të jetë borxhi i bizneseve, institucioneve dhe organizatave ndaj Administratës Tatimore të Kosovës në 5 vitet e fundit dhe edhe përkundër këtyre borxheve ky institucion ka bërë pak konfiskime të pasurisë edhe pse e ka një armë të tillë në dorë sipas ligjit.

Ligji për ATK-në dhe procedurat ka përcaktuar se institucioni i autorizuar për mbledhjen e tatimeve ka të drejtë që të konfiskojë pasurinë e të gjitha bizneseve të cilat nuk i paguajnë detyrimet tatimore ndaj ATK-së.

Kjo e drejtë institucionit kryesor në vend për mbledhjen e tatimeve i buron nga neni 34 i ligjit për ATK-në.

Ky nen ka përcaktuar se në rast se një person i cili është detyruar që të paguaj tatimin nuk e kryen pagesën ose refuzon ta paguaj atëherë ATK ka të drejtë ta mbledhë shumën në fjalë përmes konfiskimit të pasurisë.

Përpos të drejtës së marrjes (konfiskimit) të pasurisë, ATK ka të drejtë që përmes ankandit publik ta shesë pasurinë e konfiskuar.

Sa është zbatuar konfiskimi

Gjatë vitit 2016 ndonëse me një numër të madh të borxheve brenda saj, ATK-ja kishte ndërmarrë masën e konfiskimit të pasurisë vetëm në 18 raste. Vlera e pasurisë së konfiskuar në këto raste ishte vetëm 3,625.00 €.

Viti 2017 në të cilin pritej të kishte përmirësime sa i përket konfiskimeve dhe mbledhjes së borxheve ndodhi e kundërta pasi numri i konfiskimeve pësoj rënie nga 18 sa ishte në vitin 2016 në 15 raste.

Pak përmirësime ATK-ja shënoi në vitin 2018 kur e rriti numrin e konfiskimeve nga 15 në 74 raste ndërsa vlera e konfiskimeve ishte vetëm 23 mijë euro.

Gjërat filluan të përmirësohen gjatë vitit 2019 pasi vlera e konfiskimeve u rrit për mbi 950 mijë euro e numri i konfiskimeve shkoj në 580 raste.

Trendi i rritjes së konfiskimeve pësoi rënie gjatë vitit të pandemisë, vitit 2020. Në këtë vit konfiskime të pasurisë pati vetëm në 52 raste ndërsa të hyrat nga to shkuan në 520 mijë euro.

Mirëpo prapë duke e pasur parasysh vlerën e borxheve të krijuara gjatë 5 viteve të fundit rezulton se ATK-ja nuk ka bërë sa duhet në ndaljen e trendit të rritjes së borxheve.

Kush janë borxhlinjtë e 443 milionëshit të ATK-së

KALLXO.com ka siguruar listën e plotë të institucioneve dhe bizneseve të cilat bashkërisht i detyrohen institucionit të tatimeve plotë 243,935,308.87.

Borxhlinjtë më të mëdhenj në ATK janë bizneset e njohura si Sh.p.k.
Mbi 11 mijë biznese të këtij lloji i detyrohen Administratës Tatimore mbi 123 milionë euro. Pas tyre në rend vijnë mbi 19 mijë biznese individuale të cilat kanë borxh në vlerë prej 82 milionë euro.

Listës së borxhlinjve nuk i mungojnë as ndërmarrjet publike, ndërmarrjet shoqërore, kompanitë e huaja dhe ndërmarrjet nën menaxhimin e AKP-së.

15 ndërmarrje publike kanë borxhe në ATK mbi 260 milionë euro ndërsa 6 ndërmarrje që janë nën menaxhimin e AKP-së i detyrohen ATK-së me 206 mijë euro.

Më shumë borxhe kanë ndërmarrjet shoqërore, pasi 97 ndërmarrje të tilla kanë borxhe rreth 6 milionë euro.

Administrata Tatimore nuk i ka punët mirë as me shoqëritë aksionare pasi ka lejuar që 95 shoqëri të tilla t`i detyrohen mbi 13 milionë euro për 5 vitet e fundit.

Në listën e borxhlinjve nuk mungojnë as partitë politike. Nëntë parti politike i detyrohen ATK-së mbi 1,600 euro ndërsa mbi 51 mijë euro  borxhe kanë edhe 4 ambasada.

Borxhe të shumta ndaj ATK-së ishin edhe para vitit 2016, mirëpo një pjesë e tyre ishin falur përmes ligjit për faljen e borxheve. Sipas të dhënave rreth 245 milionë euro borxhe të tatimpagueseve ishin falur nga ky institucion përmes atij ligji.