Arinjtë u Vranë Për Organet e Tyre

Dy arinjtë, që ishin në plan të qeverisë për tu shpëtuar nga kushtet jo të duhura për jetë, janë vrarë. 

Policia e Kosovës kishte pranuar thirrje nga një qytetar, javën e kaluar, se ka gjetur dy lëkura të arinjve në deponin e mbeturinave në Mitrovicë.

Me të marrë lajmin, policia gjatë rrugës takon disa persona dhe arrestohen si të dyshuar për vrasjen e arinjve.

“Në raportin tonë policor kemi theksuar se këta persona kanë bërë vepër penale”, tha Avni Zahiti, zëdhënës i policisë në Mitrovicë.

Në ndalim policor prej 48 orëve mbahen: Skender Ali Plakolli nga Mitrovica dhe tre shtetas të Shqipërisë, Gjergj Xhevahir Hoxha (Librazhd), Vullnet Nazmi Hoxha (Librazhd) dhe Dashamir Ymer Alushi (Tiranë).

Plakolli lirohet pasi paguan dënimin prej 200 euro dhe tre shtetasit e Shqipërisë po ashtu lirohen pasi paguajnë secili nga 150 euro. 

Ministria e mjedisit e konsideron skandaloze vendimin e gjykatës së Mitrovicës për lirimin e personave të cilët kishin vrarë dy arinj. 

Ministria e mjedisit dhe organizat austriake “Vier Pfoten” (Katër Putrat) janë në konfiskim e sipër të arinjve të murrmë që mbahen nëpër kopshte zoologjike dhe restorante si atraksion.

Deri më tani, “Katër Putrat” kanë konfiskuar pesë arinj nëpër disa vende të Kosovës dhe i kanë strehuar në strehimoren e tyre të re që gjendet në afërsi të liqenit të Badovcit.

Ministria ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë duke kërkuar që ti ndjek penalisht këta persona për vrasjen e dy arinjve të moshës gati një vjeçare.

Sipas kodit penal të Kosovës, neni 359 përcakton se ”kushdo që pa leje ose autorizim, gjuan ose mbyt një kafshë të egër ose e zë të gjallë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj”.

“Kodi penal dënon shitjen apo nxjerrjen e jashtëligjshme jashtë vendit të kafshëve posaçërisht të mbrojtura me burgim deri në 2 vjet”, thuhet në komunikatën për shtyp të ministrisë.

Po ashtu, Ligji për Mbrojtjen e Natyrës parasheh dispozita ndëshkimore me gjobë deri në 40.000 euro ndaj personave juridikë që zhdukë llojin e egër autokton, dhe deri në 4.000 euro ndaj personave fizikë, shtoi ministria.

“Ne si Ministri e Mjedisit do t’i ndjekim të gjitha rrugët e mundshme ligjore dhe do të kërkojmë dënimin maksimal që lejohet me ligj ndaj këtyre personave. Ne konsiderojmë se kjo është vrasje mizore dhe shkatërrim i pasurisë kombëtare të Kosovës”, tha sot Dardan Gashi, ministër i mjedisit.

Dy arinjtë e vrarë, që mbaheshin si atraksion në restorantin “Krapi” në Mitrovicë, me pronar Bahri Osmani, kanë qenë në listë po ashtu për t’u dërguar në strehimore. 

Mirdi Osmani, vëllai i Bahriut, konfirmon se Skenderi ishte blerësi i arinjve.

“Ata (arinjtë) përbënin rrezik për punëtorët dhe fëmijët e vegjël dhe në këtë mënyrë ia shitëm këtij personi”, tha Osmani.

“Unë kam kontaktuar me ata të organizatës (Vier Pfoten)…por më thoshin se nuk janë gati me vend ‘edhe një javë, edhe një javë…’. Kështu nuk munda të pres më”, Osmani i tha Gazetës Jeta në Kosovë.   

Osmani tha se Plakolli u kishte thënë se kishte rënë në kontakt me disa qytetarë të Shqipërisë, për t’ua shitur arinjtë.

Me sa duket, Plakolli iu kishte shitur atyre organet e brendshme të arinjve me sugjerimin se janë të mirë për kurimin e kancerit.

Policia konfirmoi se arinjtë ishin vrarë për zorrët e tyre qorre. Ato të jenë të kushtueshme në Kinë, Japoni dhe vende tjera të Azisë.

 

Ariu Rina dhe Ari në strehimoren e re | Foto: www.mmph-rks.org

Ministria e mjedisit shpjegon se Bahri Osmani kishte pranuar tua japë arinjtë organizatës Vier Pfoten kur është takuar kohë më parë me përfaqësuesit e saj, por në fund ka refuzuar. 

Gëzime Hasani, zëdhënëse e ministrisë së mjedisit, thotë se arinjtë janë vrarë në ditën kur është bërë konfiskimi i dy arinjve të tjerë nga një kopsht zoologjik në Prizren, me 23 maj. 

“Osmanit i kemi dhënë 30 ditë për përmirësimin e kushteve të jetesës për arinjtë. Ai nuk ka arritur ta bëjë këtë gjë dhe në plan kemi pasur që ato t’i konfiskojmë”, tha Hasani.

Organizata Vier Pfoten (Katër Putrat) me seli në Austri dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mjedisit kanë filluar një mision shpëtimi për arinjtë e murrmë që mbahen të internuar në restorante dhe mini kopshte në Kosovë. 

Ata kanë ngritur një strehimore me qëllim të ofrimit të kushteve humane të jetesës për këta arinj. 

Shkrimi është publikuar fillimisht më 28 maj 2013