Zgjedhjet pa zgjidhje në Shqipëri

Ato që socialistët dhe KQZ i quajnë “zgjedhje”, presidenti i shtetit dhe dy partitë opozitare, PD e LSI, po pretendojnë t’i neutralizojnë semantikisht duke i quajtur “votime”.

Pas 30 vjet të pluralizmit politik, Shqipëria për herë të parë mbajti zgjedhje pa opozitën.

Ka disa muaj që kriza politike ka kapluar vendin. Gjykata Kushtetuese, si institucioni më i lartë në vend, aktualisht është jashtë funksionit me vetëm dy gjyqtarë nga gjithsej nëntë që kishte para se të fillojë reforma në drejtësi e njohur si Vetting.

Në anën tjetër, opozita e bashkuar që kryesohet nga Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike (PD) dhe Monika Kryemadhi, kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), ndërmorën vendimin politik për djegien e mandateve të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë me pretendimin se kryeministri Edi Rama kishte bërë vjedhje të votave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Pas djegies së mandateve nga muaji shkurt, opozita organizoi 9 protesta kombëtare kundër Qeverisë së Edi Ramës.

Pas protestave, opozita paralajmëroi se dosjet e shitblerjes së votave, “339” dhe “184”, do të tronditnin Qeverinë Rama II.

Gjatë kohës së fushatës zgjedhore, të nisur më 1 qershor, gazeta gjermane “Bild” publikoi disa përgjime nga këto dosje ku përfshiheshin ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në shitblerjen e votave.

Në përgjime dolën zërat e disa eksponentëve politikë në zonën e Durrësit dhe të Dibrës, ku përfshiheshin ish-ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako si dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të partisë në pushtet. Por, kryeministri Rama deklaroi se prokuroria do të merret me çështjen dhe se përgjimet ishin të dhëna, por jo edhe prova.

Ndërkohë që vendi po përgatitej për zgjedhjet e 30 qershorit, opozita filloi protestat në çdo qytet ku Rama bënte fushatë si dhe tentuan asgjësimin e materialeve zgjedhore në çdo Komision Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) të bashkive ku ende qeverisnin demokratët.

Duke qenë në një ngërç institucional, pa Gjykatë Kushtetuese dhe me djegien e mandateve në Kuvend, presidenti Ilir Meta vendosi anulimin e dekretit të datës së zgjedhjeve më 30 qershor duke vendosur 13 tetorin si datën tjetër më të afërt për zgjedhjet vendore.

I pari i vendit deklaroi se me shtyrjen e datës së zgjedhjeve do t’i jepet kohë palëve që të ulen dhe të dialogojnë. Opozita e njohu dekretin ndërsa mazhoranca e kundërshtoi hapur duke e quajtur si një akt antikushtetues dhe jashtë kompetencave të presidentit të Republikës.

Profesori i shkencave juridike, Jordan Daci, ka argumentuar për Gazetën Jeta në Kosovë arsyet se pse dekretet e presidentit Meta janë të vlefshme.

Sipas tij dekretet e presidentit në Shqipëri, si edhe në vendet e tjera parlamentare janë një ndër burimet formale të së drejtës.

Daci sqaron se natyra e dekreteve përcaktohen së pari nga burimi, që janë drejtpërdrejt normat kushtetuese të cilat autorizojnë nxjerrjen e aktit.

“Dekreti i dytë është i lidhur me dekretin e parë të presidentit, me atë të shfuqizimit të datës së parë të zgjedhjeve, pra të 30 qershorit dhe caktimin e 13 tetorit. Pra, dekreti i parë nuk do të ishte në rregull nëse nuk do të dilte i dyti. Duhet pasur parasysh këtu që i vetmi akt i cili shënon caktimin e datës së zgjedhjeve, është dekreti i presidentit. Te dekreti i parë pala kundërshtare thoshte se presidenti nuk ka të drejtë të zhdekretojë, por ka të drejtë vetëm të dekretojë. Pyetja retorike që unë bëj në këtë rast është, po tani që presidenti dekretoi? Dekretet e presidentit janë në fuqi dhe vetëm Gjykata Kushtetuese mund t’i shfuqizojë këto dekrete”, shprehet për Gazetën Jeta në Kosovë juristi Daci.

Analisti Rezart Prifti theksoi se kriza politike dhe ngërçi institucional kanë prekur edhe sovranitetin e Shqipërisë, por tashmë sipas tij situatën e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët.

“Në këtë ngërç institucional ne kemi prekur në një farë forme sovranitetin e Shqipërisë, por që ndërkombëtarët, amerikanët kanë zgjidhur kriza në mënyra të ndryshme kudo në botë dhe në rastin tonë zgjidhjen ata po e bëjnë me formën e ‘rule of law’. Pra zgjidhja po vjen pasi do të formohet Gjykata Kushtetuese. Në këtë sens ky është hapi i parë, e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët dhe nuk ka kthim prapa në këtë gjë. Hapi i dytë është që po përgatitet tregu i ri politik, ai që unë e quaj gjenerata e re politike, të cilin e konsideroj një proces të pashmangshëm”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë pedagogu Prifti.

Sa i përket numrit të pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet e 30 qershorit, analisti Prifti tha se duke pasur parasysh kohezionin dhe vetëm pjesëmarrjen e Partisë Socialiste, përqindja ishte e mjaftueshme.

“Po të flasim nga ana statistikore unë e shoh një shifër të mirë për qeverinë që ka arritur të mobilizojë aq njerëz duke arritur shifrën 22.97 për qind. Pra në kushtet e mosdaljes masive të njerëzve, mosangazhimit dhe neglizhencës që pati shoqëria në tërësi, të kapësh shifrën 22.97 për qind është një arritje”, tha ai.

Ndërkohë pas zgjedhjeve lokale, misioni i OSBE-ODIHR publikoi raportin e plotë paraprak për mbarëvajtjen e tyre.

Në raport u theksua klima e ngërçit politik, ku sipas ODIHR votuesit nuk patën alternativa për të zgjedhur disa opsione politike dhe pati presione të qytetarëve nga të dy palët politike.

Po ashtu, në raport u vlerësua pozitive klima e qetë dhe paqësore në votime si edhe procesi i numërimit, ndërsa u theksua se pati parregullsi në zbatimin e disa procedurave.

Ambasada amerikane në Tiranë reagoi gjithashtu pas procesit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe pas raportit paraprak të OSBE-ODIHR.

Në deklaratën e saj, Ambasada theksoi se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt, por pranoi gjithashtu se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuuan që votuesit të mos kishin një zgjedhje kuptimplotë.

Tutje, Ambasada u bëri thirrje liderëve politikë që të respektojnë shtetin ligjor dhe të presin formimin e Gjykatës Kushtetuese për të gjithë ata që nuk e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi zyrtarisht se në zgjedhjet e së dielës sipas të dhënave paraprake të raportuar nga KZAZ-të në sistemin elektronik, rezulton se kanë marrë pjesë në votime 812,249 zgjedhës ose 22.97 për qind e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve prej 3 milionë e 536 mijë e 16 që ka Republika e Shqipërisë.

Kështu, Partia Socialiste do të drejtojë 60 bashki të vendit, përveç asaj të Finiqit ku Partia Socialiste mbështeti kandidatin e partisë së minoritetit grek MEGA.