Ndërtesa e Rektoratit të UP-së | Foto: KALLXO.com
UP-ja nuk e ndëshkon plagjiatin e stafit akademik
Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ është përballur me skandale të plagjiaturave, avancimeve të dyshimta dhe mungesës së kualitetit në vitet e fundit. Pas shpërfaqjes së parregullsive brenda këtij institucioni nuk kishte reagim nga menaxhmenti për adresimin e problemeve.
Këto të dhëna janë pjesë e raportit “STAFI AKADEMIK I UP-SË – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë” të botuar nga ADMOVERE, pjesë e Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU) që përkrahet nga KFOS-i dhe pritet të publikohet në ditët në vazhdim.
Gjetjet e këtij studimi, tregojnë se në UP është krijuar kultura e pandëshkueshmërisë edhe në rastet kur kemi raste të mashtrimit akademik (plagjiat) nga mësimdhënësit e këtij universiteti.
“Nga gjithsej 16 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së, plagjiaturat e të cilëve janë shpalosur në media, 11 nuk kanë reaguar asnjëherë ndaj akuzave. Prej 16 rasteve, vetëm 3 janë pezulluar nga procesi mësimor, mirëpo që të 3 më pas janë kthyer. Vetëm njërit, që nuk ka qenë mësimdhënës i rregullt, por i angazhuar, nuk i është vazhduar kontrata e punës”, thuhet në studim.
Për më tej sipas këtij studimi, 10 prej plagjiatorëve janë avancuar në pozita të ndryshme në UP dhe në shoqëri.
Në anën tjetër, një përqindje e konsiderueshme e stafit akademik të UP-së janë të angazhuar edhe në institucione tjera.
Më saktësisht ‘nga 840 pjesëtarët e stafit akademik me CV të afishuara në uebfaqen e UP-së, 257 (31%) janë të angazhuar të paktën edhe në një institucion tjetër të arsimit të lartë publik ose privat. Prej tyre 141 janë të angazhuar edhe në institucione private, 85 në publike, 29 janë në private e publike, kurse 48 (5.71%) janë të angazhuar në tri institucione të tjera arsimore”, thuhet në raport.
Profesorët e intervistuar lidhur me këtë çështje thanë se angazhimet e shumëfishta ndikojnë negativisht në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Megjithatë edhe në këtë rast, nga 840 pjesëtarë të stafit akademik në UP, nuk ka asnjë rast konkret që mësimdhënësi të jetë ndëshkuar për mungesë.
Një tjetër pengesë në ngritjen e cilësisë së studimeve në universitetin më të vjetër në Kosovë, është edhe mungesa e stafit akademik dhe numri i lartë i studentëve.
Mesatarja e përpjesëtimit profesorë-studentë për UP-në del të jetë ndër më të lartat në rajon.
Gjithnjë sipas studimit, mesatarisht në UP një profesor ka përballë 58 studentë, shifër kjo tejet e lartë, krahasuar me universitetet në vendet e rajonit. Në Shqipëri ajo është 1 profesor me 24, në Serbi 1 me 23, në Maqedoni 1 me 17, kurse në Kroaci 1 profersorë është për 9 studentë.
Ngjashëm, sa i takon përpjesëtimit student-infrastrukturë, me 1.77 m2 për student si mesatare, UP-ja qëndron dobët, ngaqë sipas studimit ky raport nuk i përmbush standardet as për arsim fillor.
Në të dhënat të papublikuara ende, të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë përmenden edhe statistika lidhur me numrin e profesorëve që kanë kryer studimet brenda apo jashtë vendit.
“Nga gjithsej 840 pjesëtarë në UP, 313 (37.26 %) i kanë përfunduar studimet të paktën në njërin nivel jashtë vendit në gjuhë të huaja, kurse 527 të tjerë ose 62.7 % janë me formim akademik krejtësisht vendor”, është gjetja e hulumtimit.
Një nga nismat e konsideruara pozitive për këtë universitet ishte mundësia e vlerësimit të mësimdhënësve në formën online.
E destinuar për të ndikuar në përmirësimin e ligjërimit në UP, kjo platformë po shihet si e pakuptimtë meqë profesorët nuk kanë qasje në këto vlerësime.
“Megjithëse UP-ja ka një sistem online anonim për vlerësimin e profesorëve prej studentëve, pothuajse asnjë profesor nuk i sheh rezultatet, e prandaj nuk mëson si ta përmirësojë mësimdhënien. Prandaj, do të ishte i dobishëm një rimodelim i softuerit të SEMS/SMC që t’i gjenerojë rezultatet në nivel individual për çdo profesor, në nivel profesorati për secilin fakultet dhe në nivel të programeve të studimit për nevoja akreditimi”, thuhet në studim.
Gazeta Jeta në Kosovë dje ka publikuar hulumtimin mbi një avancim të dyshimtë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.