Radovan Karaxhiq në fillimin e gjykimit të tij në Hagë në vitin 2011 | Foto: ICTY

Si përfitoi Radovan Karaxhiqi nga kryengritja e trupave serbe të Bosnjës

Dokumentet në arkivat e Tribunalit të Hagës zbulojnë se si një rebelim i vitit 1993 nga ushtarët serbë të Bosnjës, që u pretendua se ishte kundër padrejtësisë shoqërore dhe përfituesve të luftës, në të vërtetë rriti mbështetjen për liderin politik serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiq.

 

Rreth mesnatës së 9 shtatorit 1993, ushtarët e Brigadës së 16-të të Motorizuar të Blinduar dhe pjesë të njësive të tjera të Korpusit të Parë të Krajinës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës braktisën pozicionet e tyre në pjesët perëndimore të entitetit të Republikës Srpska të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ushtarët rebelë hynë në qytetin më të madh të Republikës Srpska, Banja Luka, pas orës 3 të mëngjesit më 10 shtator, raportoi në atë kohë gazeta me bazë në Banja Luka, Glas Srpski.

Para se të hynin në Banja Luka, ushtarët bllokuan të gjitha rrugët hyrëse që të çonin në qytet. Godinat e Qendrës së Shërbimeve të Sigurisë të Ministrisë së Brendshme u pushtuan pasi oficerët e saj u dorëzuan në orën 5:30 pa asnjë të shtënë. Rebelët morën kontrollin e qendrës, pastaj bllokuan hyrjen në të gjitha institucionet kryesore të qytetit, përfshirë Radio Televizionin e Banja Lukës.

Ata pezulluan të gjitha autoritetet civile dhe ngritën atë që ata e quajtën një Këshill Krizash. Selia e Korpusit të Parë të Krajinës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës u pushtua rreth orës 07:00 të mëngjesit, me rojet që u vendosën rreth godinave dhe tanket që u pozicionuan në kryqëzimet që të çonin në seli.

Për dy vjet, nga viti 1991 kur filloi lufta në Kroaci deri në vitin 1993, Banja Luka kishte qenë larg vijave të frontit dhe nuk ishte ekspozuar drejtpërdrejt ndaj veprimtarive ushtarake.

Megjithatë, qyteti kishte pësuar ndryshime të mëdha ekonomike, sociale dhe kulturore. Në fillim të vitit 1990, Banja Luka pa dëbime dhe ekzekutime të jo-serbëve dhe të kundërshtarëve politikë të Partisë Demokratike Serbe në pushtet, SDS.

Në periudhën para rebelimit, banorëve të Banja Lukës dhe zonës përreth u ishin ndërprerë informacionet. Transmetimet televizive ishin ndërprerë dhe e vetmja radio e pavarur lokale ishte ndaluar të transmetonte gjë.

Gazeta lokale Glas Srpski – nën kontrollin e njerëzve pranë presidentit të Republikës Srpska Radovan Karaxhiq – u bë media e vetme në dispozicion dhe luajti një rol të madh propagandistik në drejtimin e rrjedhës së rebelimit.

Rreth mesditës së 10 shtatorit, një konferencë për shtyp u mbajt në ambientet e Radio Televizionit të Banja Lukës, me përfaqësuesit e Këshillit të Krizave – udhëheqësit e vetëshpallur të rebelimit – dhe Komitetin e Operacionit Shtatori ‘93, siç quhej rebelimi . Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësuesit kryesorë të autoriteteve civile të qytetit – Predrag Radiq, kryetari i asamblesë komunale të Banja Lukës dhe Radislav Vukiq, presidenti i degës së SDS-së të Banja Lukës.

Konferenca për shtyp u pasua nga një tubim në Sheshin Krajina, organizuar nga Komiteti i Operacionit Shtatori ‘93 dhe ku morën pjesë turma njerëzish. Ushtarët rebelë paraqitën kërkesat e tyre në tubim.

Ata thanë se po rebeloheshin kundër përfituesve që kishin marrë fitime financiare bazuar në sakrificat e ushtarëve në luftë dhe kundër njohjes joadekuate të këtyre sakrificave nga ana e autoriteteve. Rebelët kërkuan përmirësime urgjente në kushtet e jetesës së familjeve të ushtarëve të vrarë në luftë, por ata gjithashtu donin ndryshime politike dhe ndryshime në institucionet ushtarake dhe gjyqësore.

Kryengritja e tyre erdhi në një pikë të ndërlikuar në luftë. Ajo përkoi me operacionin polemik ushtarak të Ushtrisë Kroate “Medak Pocket” kundër të ashtuquajturës Republika e Krajinës Serbe, një shtet serb i panjohur rebel brenda Kroacisë. Propaganduesit serbë të Bosnjës përdorën operacionin “Medak Pocket” si një argument për mobilizimin më të gjerë.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, konteksti politik u bë më kompleks pasi u themeluan dy shtetet e tjera rebele të panjohura – forcat kroate të Bosnjës, të mbështetura nga Zagrebi, shpallën krijimin e Republikës kroate të Herceg-Bosnjës, ndërsa boshnjaku Fikret Abdiq deklaroi themelimin të Krahinës Autonome të Bosnjës Perëndimore.

Operacioni Shtator ‘93 u zhvillua gjithashtu në një pikë kur lidershipi politik i Republikës Srpska po sugjeronte që entiteti do të njihej ndërkombëtarisht si shtet. Në bisedimet në Gjenevë për atë që më vonë do të njihej si plani i paqes Owen-Stoltenberg, komuniteti ndërkombëtar e përshkroi luftën e Bosnjës si një konflikt të tre palëve ndërluftuese – boshnjake, kroate dhe serbe – duke shpërfillur faktin se Bosnja dhe Hercegovina ishte një shtet i njohur nga Kombet e Bashkuara.

Karaxhiq përfiton nga kryengritja

Ushtarët rebelë serbë nuk e kundërshtuan spastrimin etnik që kishte ndodhur në Republikën Srpska, por ata e shihnin veten si luftëtarë tepër të moralshëm që po lanin hesapet me tradhtarët midis radhëve të popullit të tyre.

Kërkesat e rebelëve morën mbështetje të gjerë publike dhe kompani të shumta dhe biznese dërguan telegrame mbështetjeje.

Por Radovan Karaxhiqi dhe lidershipi politik i Republikës Srpska u treguan të shpejtë dhe të aftë për të mos u shënjestruar si përfitues të luftës dhe në kanalizimin e pakënaqësisë drejt shkelësve dhe “armiqve” të paemër.

Menjëherë pasi filloi rebelimi, Karaxhiqi njoftoi se “do të mbështeste” kërkesat e rebelëve dhe do të pranonte kërkesat e Këshillit të tyre të Krizave, duke minuar kështu efektivisht Operacionin Shtatori ‘93 që nga fillimi i tij.

Mosmarrëveshja e parë e hapur me rebelët u shpreh nga Komandanti i Korpusit të Parë të Krajinës, togeri i përgjithshëm Momir Taliç. Taliç shkroi një artikull në gazetë duke u kërkuar ushtarëve të ktheheshin në front, duke përdorur motive propagandistike nacionaliste serbe dhe duke pretenduar se serbët në Bosnjë kishin nevojë për shtetin e tyre sepse ishin në rrezik nga myslimanët dhe kroatët.

Arkivat e Hagës hedhin dritë mbi revoltën

Materialet nga arkivi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë tregojnë se akademikët që kanë sugjeruar se rebelimi ishte drejtuar kundër lidershipit të Karaxhiqit nuk ishin të saktë.

Shënimet Stenografike nga një seancë e Asamblesë së Popullit Serb – parlamenti i Republikës Srpska – e cila përkoi me Operacionin Shtatori ‘93, tregojnë se qëllimi aktual i rebelimit ishte të siguronte pozicionin e Karaxhiqit si kreu i Republikës Srpska.

Më konkretisht, ai duhej t’i tregonte publikut, si lidershipit politik ashtu edhe atij ushtarak në Republikën Srpska, se do të kishte pasoja katastrofike nëse lidershipi politik i kryesuar nga Karaxhiqi do të humbte autoritetin dhe mekanizmat e pushtetit.

Në seancën e Asamblesë, Milan Gvero, një anëtar i Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i gjeneralit Ratko Mlladiç, paraqiti dyshimet e tij se pas rebelëve qëndronin zyrtarë të lartë politikë.

“Krijuam këtë përshtypje, e cila na bën të besojmë se kishte disa nivele më të larta hierarkike të përfshira që qëndronin pas të ashtuquajturit Këshill i Krizave, i cili vepronte si udhëheqës dhe drejtonte të gjitha aktivitetet, pa u zbuluar natyra e tyre politike për të gjithë anëtarët e të ashtuquajturit Këshill i Krizave, aq më pak për ushtarët dhe qytetarët që u manipuluan në këto kohë të vështira. Deri më tani, nuk kemi qenë në gjendje t’i identifikojmë këto ‘nivele më të larta’”, tha Gvero.

Megjithatë, Gvero tha se ai e pa rebelimin, i cili përfundoi pa “derdhje gjaku serb”, si një mundësi për të bashkuar popullin serb pas një qëllimi të vetëm.

“Unë besoj se ne, si shtet, si ushtri dhe si popull, do të bëhemi edhe më të bashkuar në fund të kësaj. Të fortë dhe të gatshëm për të luftuar, sepse kjo është ajo që po na kërkon ky moment historik, ky është misioni ynë dhe është në interes të popullit serb”, deklaroi ai.

Në një raport ushtarak që iu prezantua Asamblesë, Karaxhiq u përshkrua si një negociator i aftë, i durueshëm dhe këmbëngulës, i cili komunikoi me udhëheqësit rebelë dhe kontribuoi më shumë për t’i dhënë fund Operacionit Shtatori ‘93 “në mënyrë paqësore, pa viktima ose ndonjë pasojë të madhe”.

Nuk ishte e qartë nga seanca e Asamblesë se kush saktësisht i kishte manipuluar ushtarët për të organizuar “puçin” në Banja Luka, por ishte e qartë se ishte dikush nga vetë radhët e autoriteteve.

Megjithatë, rebelimi demistifikoi qëllimet e liderëve nacionalistë serbë, duke zbuluar motivet kriminale që bashkëjetonin me dëshirën e tyre për të krijuar një shtet serb dhe duke treguar sesi ata kishin ndërmend të plaçkitnin Bosnjën dhe Hercegovinën.

 

Edin Omercic është një hulumtues që punon në Institutin për Histori në Sarajevë si specialist në historinë moderne. Ky artikull është një përmbledhje e një hulumtimi që ai realizoi në bashkëpunim me BIRN. Hulumtimin e plotë mund ta gjeni më poshtë.

Ky artikull dhe raporti hulumtues u realizuan si pjesë e skemës së granteve të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, mbështetur nga Matra Regional Rule of Law Programme.