FOTO KUVENDI I KOSOVES

Seanca 47 pikëshe e Kuvendit që miratoi vetëm një projektligj

Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes i kishte për shqyrtim 47 pika në rend të ditës, por arriti ta miratojë vetëm një projektligj.

Nga 12 projektligje në lexim të dytë që kaluan në proces votimi, u miratua vetëm Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.

Kurse 11 projektligjet e tjera u bartën në seancën e ardhshme.

Përveç Projektligjit për mësimdhënësit, me 62 vota për dhe 1 abstenim, Kuvendi e miratoi formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ndërkohë, mungesa e kuorumit për vendimmarrje dhe akuzat ndërmjet ligjvënësve ishin kryefjalë edhe në këtë seancë.

Me një orë vonesë, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti i hapi punimet e legjislativit, por ende pa nisur punën, u mbajt pauzë 15 minutëshe.

“24 deputetë në sallë, kushtet nuk janë plotësuar për t`u votu pikat e rendit të ditës. Atëherë jap një pauzë 15 minutëshe me qëllim që të bëhet kuorumi nëse do të bëhet”, tha Haliti.

Pas pauzës me 77 deputetë prezentë në sallë, seanca vazhdoi me kryesimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Debatin në Kuvend e ndezi pika e parë e rendit të ditës, e që ishte votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Ky Projektligj u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare, të cilat kërkuan që të hiqet viti i vjetërsisë së veturave dhe të bazohet vetëm në standardet e BE-së.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se nëse nuk kalon Ligji për Automjete është në dëm të qytetarëve, e cila njëherë i kritikoi kolegët e saj nga opozita.

“Për interesin e atyre që kanë buxhet të fortë pra është që të mos kalojë ky ligj, interesi i shumicës së deputetëve është të mos kalojë ky ligj, që kanë vetura me kilometra 00 e që kanë xhipa të zi”, u shpreh ajo.

Kurse deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i reagoi koleges së saj, deputetes Teuta Haxhiu.

“Ministri i AAK-së e ka bërë një udhëzim administrativ i cili i mundëson kompanisë që ka monopolin në homologim ta ketë në pafundësi. Arsyeja që nuk po votohet ky ligj është për arsye se kemi dyshimet që monopoli për homologim do t’i jepet sërish dikujt. Këtu nuk ka interesa të qytetarëve, por të grupeve”, tha ajo.

Kurse Haxhiu, iu kundërpërgjigj duke e fajësuar LDK-në se sa ka qenë në pushtet nuk e ka ndal këtë monopol.

Ndërkaq, Bajrami në replikë tha se se nuk kanë mundur të ndërmarrin veprime për shkak të kontratës për monopolin.

Në debat u përfshi edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, i cili tha se Fatmir Limaj ka nënshkruar kontratë sa ka qenë nënkryetar i PDK-së dhe jo si kryetar i Nismës.

Ndërkohë, propozuesi i ligjit, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku kërkoi që ky Ligj për Automjetet të kthehet në komision parlamentar. Por me 54 vota për dhe 1 abstenim i njëjti nuk arriti të kthehet në komision dhe mungesa e kuorumit bëri të mos votohet asnjë amendament i tij.

Pak më vonë, vëmendjen e mori përplasja mes kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe kryetares së Komisionit për Legjislacion nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, kur pikë re rendit të ditës ishte shqyrtimi i dytë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Veseli, për ta arsyetuar votimin e projekt-rregullores, ia dha fjalën nënkryetarit të Komisionit Hajdar Beqa, duke e anashkaluar kryetaren e Komisionit Albulena Haxhiu.

Kjo e fundit reagoi duke thënë se sipas rregullores kur kryetarja është prezent nuk mund të anashkalohet.

“Së pari me qartësu, nuk e kam hall a flas unë a Hajdari. Po përpiqemi me ju mësu disa rregulla. Qershori i vitit të kaluar ka qenë kur kjo rregullore është procedu në Kuvend. Dhe në shtator siç e dini kemi nis bojkot aktiv të Kuvendit dhe prandaj ka qenë çështja që është autorizuar Hajdari”, tha ajo.

“Dhe tash janë rrethana tjera a po më sheh që jam këtu? Dhe nëse unë jam këtu ti nuk mundesh dhe nuk ke asnjë të drejtë me anashkalu kryetaren e Komisionit për Legjislacion”, shtoi Haxhiu.

Kurse, Veseli tha se administrata e Kuvendit u referohet dokumenteve zyrtare duke i thënë se vet Haxhiu e ka autorizuar nënkryetarin për ta marrë fjalën.

“Kjo është sjellje e paskrupullt dhe e pa dinjitetshme. Unë e kam një dokument të nënshkruar nga Albulena Haxhiu si kryetare e komisionin e cila e autorizon Hajdar Beqën për ta lexu raportin. Është dokument zyrtar. Ju kisha lut me pas sjellje ma të mira”, tha Veseli.

Përveç një sërë projektligjesh që nuk e morën miratimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në këtë seancë nuk arritën dot të zgjidhen as anëtarë e kryesues të bordeve të institucioneve publike.

Përkundër mbajtjes së dy raundeve të votimit, deputetët nuk e zgjodhën kryesuesin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për arsye se asnjëri kandidat nuk i mori votat e  nevojshme të ligjvënësve.

https://kallxo.com/deshton-zgjedhja-e-kryesuesit-te-bordit-te-zrre-se-edhe-ne-rundin-e-dyte/

Në këtë seancë, votat e nevojshme të deputetëve nuk i morën as kandidatët për anëtar të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) e që rezulton me përsëritje të konkursit për këto pozita.

Gjithashtu, konkursi do të përsëritet edhe në Komisionin e Pavarur për Media, pasi asnjë kandidat nga komunitetet e tjera nuk i ka fituar votat e mjaftueshme për t`u bërë anëtar i Komisionit.

https://kallxo.com/perseritet-konkursi-per-bordin-e-rtk-se-asnje-kandidat-nuk-i-merr-votat-e-mjaftueshme/

Edhe pas një orë e gjysmë pauzë, Kuvendi nuk arriti të jetë produktiv në vendimmarrje as pasdite.

Seanca vijoi punimet me procesin e votimit të fshehtë, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas.

Vetëm Hidajete Shala mori votat e nevojshme për anëtar të Këshillit, ndërsa për gjashtë pozita të tjera do të përsëritet votimi.

Më pas, Kuvendi emëroi Naser Shalën drejtor të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ndërsa për zëvendësdrejtor asnjëri kandidat nuk mori votat e mjaftueshme.

Tutje mungesa e kuorumit ka bërë që kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të ndërpresë punimet e seancës plenare.

“70 deputetë janë në sallë por po abstenojnë në votime, me këtë formë unë e vazhdoj por ju maltretoj edhe juve dhe po e ndërpresim”, tha Veseli.

Kështu, një sërë pikash të rendit të rendit të ditës, mbetet të votohen në seanca të ardhshme.

https://kallxo.com/abstenimet-e-deputeteve-cojne-ne-nderprerjen-e-seances-se-kuvendit/

www.kallxo.com