Parapagimi, mënyra më e mirë për financimin e transmetuesit publik

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) së shpejti pritet që të financohet drejtpërdrejt nga qytetarët e Kosovës përmes formës së parapagimit e jo si deri më tani nga buxheti i shtetit.

Më 30 maj të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës ka kaluar në lexim të parë Projektligji për Transmetuesin Publik të Kosovës me votën e 61 deputetëve, prej tyre 55 për, 1 kundër dhe 5 deputetë abstenuan.

KALLXO.com ka siguruar Projektligjin për Transmetuesin Publik dhe në nenin e 33-të flitet për mënyrën e parapagimit.

Në pikën e parë të këtij neni thuhet se RTK duhet të parapaguhet përmes faturave të energjisë elektrike.

“Radiotelevizioni i Kosovës prej datës 01.01.2019, financohet përmes parapagimit të tarifës fikse mujore prej 2.50 (dy euro e pesëdhjetë centë) euro në faturat e energjisë elektrike, të cilat inkasohen nga operatori përgjegjës për inkasimin e energjisë elektrike në Kosovë apo ndonjë institucion tjetër dhe depozitohen në llogarinë e vetme zyrtare të RTK-së, e hapur në pajtim me rregullat e Kontrollit dhe Menaxhimit Financiar”, thuhet në Projektligj.

Por, jo të gjitha partitë parlamentare u pajtuan me kalimin në lexim të parë të këtij Projektligji.

Lëvizja Vetëvendosje tha se parapagimi i paraparë me Projektligj nuk është i duhuri, ndërsa paralajmëroi se nëse i njëjti kalon në lexim të dytë, do ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse ky Projektligj mbërrin dhe leximin e dytë të votohet, grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Sipas kësaj partie, nga parapagimi do të përfitojnë dy kompanitë private që merren me inkasimin e borxheve të faturave të rrymës.

“55 deputete të Qeverisë pra nga PDK, AAK, NISMA, PSD etj, votuan sot Projektligjin për transmetuesin publik (RTK) ku detyrohen qytetarët që të paguajnë në faturat e tyre të rrymës plus 2.5 euro, nga të cilat 50 cent për çdo faturë i fiton KEDS, pra rreth 2 milionë e 400 mijë euro të tjera do i falen KEDS dhe do i zhvaten qytetarëve”, thuhej në një reagim të LVV-së në “Facebook”.

Me konstatimet e partisë së Albin Kurtit nuk janë pajtuar dy kompanitë, KEDS dhe KESCO.

“KEDS dhe KESCO kanë mësuar nga mediat fillimisht se ekziston, pastaj që ka kaluar në lexim të parë Projektligji për RTK-në ku parashihet që taksa të inkasohet nga kompania. KEDS dhe KESCO nuk dëshirojnë në asnjë rrethanë të interferojë në punën dhe vendimet e deputetëve. Por, meqenëse është apostrofuar emri i kompanisë si përfituese nga ky Projektligj, ne e bëjmë të qartë se nuk kemi asnjë përfitim nga ajo taksë”, thuhet në reagimin e tyre.

Për ish- drejtorin e Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi, forma e propozuar në Projektligjin e ri, është më e mira dhe do ta zgjidhte problemin e financimit të këtij televizioni.

“Duke pasur parasysh praktikat e mira europiane dhe gjendjen aktuale të sundimit të ligjit në Kosovë unë jam i bindur që parapagimi për transmetuesin publik përmes faturave të energjisë elektrike është mënyra më efikase që siguron financim të qëndrueshëm për RTK-në dhe njëkohësisht krijon parakushte për pavarësi editoriale dhe ofrim të programit cilësor”, thotë Paçarizi për KALLXO.com.

Në fakt, Radio Televizioni i Kosovës në qershor të vitit 2003 kishte filluar financimin përmes parapagimit me faturat e rrymës elektrike.

Por, kjo formë e financimit kishte zgjatur deri në vitin 2009. Një qytetar me emrin Tomë Krasniqi kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vënien e masës së përkohshme lidhur me pagesën e shumës prej 3 euro e 50 centë në emër të parapagimit për RTK-në, që për gjashtë vite ishte inkasuar përmes faturave të KEK-ut nga të gjithë konsumatorët në Kosovë.

Sipas palës ankuese, Tomë Krasniqi, pagesa për RTK-në ishte e papërballueshme për të si pensionist, pasi atë kohë pensionet ishin 40 euro.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me kryetar të atëkohshëm, Enver Hasani, caktoi masën e përkohshme për ndërprerjen e mënyrës së parapagimit përmes faturave të energjisë elektrike. Që nga fundit i vitit 2009, RTK u financua nga buxheti i shtetit.

Financimi i transmetuesit publik asnjëherë nuk pati rregullim të qëndrueshëm. Sipas një raporti të Institut GAP të vitit 2011, financimi i RTK-së përmes buxhetit të shtetit, nuk garantonte, para së gjithash, një pavarësi editorale nga partitë politike dhe grupet e tjera të interesit.

Sipas raportit të njëjtë, forma më e mirë e financimit të transmetuesit publik është drejtpërdrejt nga qytetarët sesa nga buxheti i shëtit.

Unionit të Transmetuesve Europian (EBU), në një raport për format e financimit të transmetuesve publik thotë se forma e parapagimit është më e mirë për disa arsye.

“Është garanci për sigurimin e pavarësisë editoriale, të hyrat mund të parashikohen për disa vjet, që është një parakusht esencial për çfarëdo planifikimi afatmesëm apo afatgjatë dhe kur ekziston parapagimi, transmetuesi publik natyrisht ka të drejtën e vetë-administrimit”, thuhet në raport.

Sipas hulumtimit të Institutit GAP mbi financimin e transmetuesve publikë të rajonit, në Shqipëri, Kroaci, Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi, financimi i tyre bëhet pemës parapagimit.

Sipas Paçarizit, që është profesor në degën e gazetarisë në UP, taksa e propozuar me Projektligjin e ri nuk është e lartë dhe kjo formë garanton pavarësi editoriale.

“Taksa prej 2.5 nuk është e lartë dhe është e përballueshme. Financimi direkt dhe i qëndrueshëm do ta ndryshojë perceptimin për RTK-në, do ta mbrojë RTK-në nga presionet politike dhe do te sigurojnë kushte për program cilësor në pajtim me kërkesat e Ligjit për RTK që i përcakton përmbajtjet programet dhe detyrimet e tjera. Tekefundit këtu nuk po zbulohet asgjë e re, por po aplikohen politika standarde të financimit për transmetuesit publike ashtu ai edhe në vendet e tjera anëtare të EBU”, vlerëson ish- drejtori i Bordit të RTK-së.

Ai ka thënë se partitë që kundërshtojnë parapagimin e RTK-së po bëjnë presion mbi të ndërsa thotë se forma e financimit të drejtpërdrejtë nga qytetarët, RTK-në e kthen te vetë ata.

“Partitë i ftoj të lexojnë mbi praktikat e financimit të transmetuesve publike në EBU dhe të pajtohen që të heqin dorë nga presionet mbi RTK-në, ndërsa qytetareve ua bëj me dije se financimi direkt është mekanizmi për kthimin e transmetuesit publik nën kontrollin e tyre duke eliminuar presionet politike”, tha Paçarizi.

Kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, ka thënë se forma e prezantuar në Projektligjin për Transmetuesin Publik, i garanton këtij televizioni pavarësinë editoriale.

“Kjo formë e kombinuar e financimit, ku për bazë e ka parapagimin, mundëson pavarësinë editoriale dhe llogaridhënien e drejtpërdrejtë ndaj publikut. Pothuajse një propozim i tillë është marrë parasysh nga Kuvendi i Kosovës, i cili e ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Transmetuesin Publik”, thotë ajo.

Sipas saj, kalimi i Projektligjit në lexim të dytë, do të zgjidhte përfundimisht çështjen për financimin e transmetuesit publik në Kosovë.

“Natyrisht se pritjet tona janë që edhe në lexim të dytë të miratohet ky ligj, i cili do t’i jepte zgjidhje përfundimtare çështjes se financimit, i cili do të ndikonte në zhvillimin e mëtutjeshëm të RTK-së”, ka thënë ajo.

Për formën e re të financimit të RTK-së është pajtuar edhe drejtori i këtij televizioni, Ngadhnjim Kastrati.

Në një postim në “Facebook”, Kastrati tha se  miratimi i Ligjit për RTK-në do t’i hapë rrugë zhvillimit të televizionit.

“Votimi në parim i Ligjit për Transmetuesin Publik nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës i hap rrugë miratimit në tërësi të këtij ligji. Miratimi i Ligjit të RTK-së do t’i hap gjithashtu rrugë zhvillimit të RTK-së duke filluar nga financimi adekuat i cili do t’i ndihmonte proceset nëpër të cilat po kalon Transmetuesi Publik e deri te zgjidhja e çështjes së pronës”, ka thënë drejtori i RTK-së.

“Unë si drejtor gjeneral dhe stafi i RTK-së janë të gatshëm të ndihmojnë në amandamentimin e Ligjit të RTK-së për leximin e dytë, duke ofruar edhe asistencë nga ekspertët e Unionit Europian të Transmetuesve”, thuhet tutje në shkrimin e tij në “Facebook”.

Një historik të RTK-së mund ta lexoni KËTU.