Fotografi: Festim Kabashi, facebook

Jep dorëheqje drejtori i televizionit të RTK-së, Festim Kabashi

Drejtori i televizionit në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Festim Kabashi, ka bërë të ditur se të enjtën ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë brenda transmetuesit publik.

Kabashi ka thënë se këtë e ka bërë për shkak “të presionit” të Bordit ndaj drejtorit të përgjithshëm të RTK-së për ta larguar nga puna, për shkak të një gjetjeje në raportin e auditimit, edhe pse sipas tij, thotë se ajo s’lidhet me punën e tij.

“Një e gjetur e ZKA-së, që s’lidhet aspak me punën time profesionale, (e shndërruar në kauzë fiktive nga elementë të caktuar), ka muaj që po shfrytëzohet nga Bordi si mjet presioni ndaj drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për të gjetur zgjidhje për të më larguar nga pozita e drejtorit të Televizionit”- ka shkruar Kabashi.

“Duke parë se një situatë e tillë po pamundëson shtyrjen përpara të projekteve, e si rrjedhojë po reflekton në shumë aspekte në funksionimin e RTK-së, ju njoftoj se i kam dorëzuar drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, kërkesën për lirim nga detyra, pasi me asnjë çmim nuk mund të lejoj që integriteti im profesional e njerëzor të nëpërkëmbet”- ka shkruar Kabashi në rrjetin social “Facebook”.

Sipas Kabashit, ky vendim, ishte i domosdoshëm për t’u hapur rrugë proceseve të ngelura pezull për funksionimin normal të RTK-së, “përfshirë edhe përzgjedhjen e kryeredaktorëve të RTK 1 e RTK 3”.

“Dihet se kjo detyrë është mandatore, rrjedhimisht është e kuptueshme që kam pritur ta përmbyll mandatin e plotë 3-vjeçar, ashtu siç e kam nisur, me përkushtim, nder e dashuri për punën, për të lënë prapa një RTK më të fortë e profesionale, një RTK në shërbim të publikut! Sukseset dhe sfidat nuk do t’i matja me kohën e qëndrimit në këtë pozitë, por me vullnetin dhe punën që është bërë në këtë periudhë, gjatë së cilës ia kemi dalë ta ndërtojmë një standard dhe kulturë të re pune”- ka shkruar tutje Kabashi.

Ai ka thënë se do të vazhdojë t’i luftoj paragjykimet, prapa të cilave, thotë se mund të fshihen agjenda të rrezikshme për funksionimin e mediave dhe për zhvillimin e demokracisë në vend.

“Duke qenë ballëhapur për çdo vendim, do të vazhdoj të angazhohem për ta finalizuar, në secilin rol, fuqizimin e besimit te Transmetuesi Publik dhe për t`i luftuar paragjykimet, prapa të cilave mund të fshihen agjenda të rrezikshme për funksionimin e mediave dhe për zhvillimin e demokracisë në vend”

“Ky vendim imi nuk nënkupton dorëzim, por refuzim për të bashkëjetuar në të njëjtin mes, ku dominon prirja për ta shkelur dinjitetin e tjetrit, në këmbim që t’u bëhet strehë personave të caktuar në udhëheqje të RTK-së” – ka shkruar Kabashi në rrjetin social “Facebook”, më 15 shtator 2022.

KALLXO.com ka raportuar më datën 2 qershor 2022, se Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se zgjedhja e drejtorit të televizionit në RTK, Festim Kabashi, në vitin 2020 ishte bërë duke mos përfillur disa kushte të caktuara.

Në raportin e performancës të hartuar nga ZKA thuhet se gjatë procedurave të rekrutimit dy kandidatët finalistë ishin notuar me pikë të njëjta.

KËTU mund të gjeni raportin e performancës nga ZKA për RTK ndërsa raportin i auditimit financiar mund ta lexoni në këtë LINK

Raporti i Auditorit për RTK-në: Festim Kabashi ishte zgjedhur drejtor i TV-së pavarësisht se kishte përvojë më pak