Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori: RTK pagoi shujta mbi 160 mijë euro për persona të cilët nuk kishin qenë fare në punë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Radio Televizioni i Kosovës (RTK) kishte paguar shujta në vlerë prej 164,285 euro, për persona të cilët nuk kishin qenë fare në punë.

Pra, pagesa e shujtës ishte bërë pa konfirmimin e prezencës së tyre në punë.

raportin e auditimit për vitin 2021 thuhet se sipas RTK-së, pagesa e shujtave kishte ndodhur në kohën e pandemisë me ç’rast ishte krijuar një situatë ku nuk mund të evidentohej prezenca e punonjësve në punë.

“Mungesa e kontrolleve efektive të brendshme lidhur me vijueshmërinë e stafit në punë sjellë rrezikun e pagesave të parregullta pa ndonjë bazë të qartë ligjore të cilat e ngarkojnë buxhetin e RTK-së për shpenzime që nuk duhet paguar”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka rekomanduar se bordi i RTK-së duhet të sigurojë që pagesat për shujta iu bëhen vetëm personave të cilëve u takon ky kompensim sipas rregulloreve

Paragrafi i parë i nenit 58 të Marrëveshjes Kolektive të RTK-së, përcakton se ”Të punësuarve u sigurohet kompensimi për ushqim gjatë punës me orar të plotë për ditët e pranisë në punë dhe vlera e kompensimit të shpenzimit të ushqimit në punë, për një ditë pune është 2.5 euro”.

Në fund të vitit 2021, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte njoftuar se ka filluar uditimin e performancës dhe auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore të Radio Televizionit të Kosovës.

Auditimi i Pasqyrave Vjetore Financiare të RTK-së për herë të fundit nga ZKA-ja është kryer në vitin 2010. Që atëherë auditimi i PFV-ve të RTK-së është kryer nga një auditor i jashtëm, të cilin RTK-ja e ka përzgjedhur me procedura të prokurimit. Përderisa, raporti i fundit i auditimit të performancës së RTK-së nga ZKA-ja është publikuar në vitin 2015.

RTK financohet nga buxheti i Kosovës dhe të hyrat tjera vetanake. Në kuadër buxhetit për vitin 2022, Qeveria ka ndarë 8 milionë e 960 mijë euro buxhet total për RTK-në.