Akuzat e Mentor Shalës rreth suspendimit të tij, flet kryetari i Bordit të RTK-së Besnik Boletini

Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini ka thënë se nuk ka ndonjë informacion nëse është suspenduar nga puna në RTK, redaktori në programin satelitor në televizionin publik, Mentor Shala.

Boletini i pyetur nga KALLXO.com ka thënë se nuk i ka lexuar akuzat e Shalës ndaj tij, duke theksuar se kushdo që ka bërë shkelje do të trajtohet sipas dispozitave ligjore.

“Këto janë çështje me të cilat merret menaxhmenti dhe jo bordi. Nuk e kam pas mundësi me lexu se çfarë ka deklaruar z. Shala dhe se nuk e di për çfarë shkeljesh mund te dyshohet. Ajo çka mund te them është se kushdo ka bere shkelje, duhet te trajtohet konform dispozitave ligjore ne fuqi dhe rregullat ivës se brendshme te RTK-së”, ka thënë Boletini.

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Mentor Shala ka thënë se është suspenduar nga puna e tij në televizionin publik.

Ai ka thënë se këtë vendim të cilin e ka konsideruar të jashtligjshëm e ka marrë komisioni disiplinor pas presionit të ushtruar.

“Që 7 muj, nuk kanë mujt me u ba rahat, kryetari i Bordit të RTK-së, Drejtori i Përgjithshëm e le ma ud.Zv/Drejtori i Përgjithshëm, që ka probleme serioze me veten e tij, derisa ta gjejnë rrëfimin me përmbush misionin, me m’hjek mu prej RTK-së.   “Ose duhet me hjek Mentorin ose ecni ju”, këtë mesazh e kanë pas Bordi dhe Drejtori i Përgjithshëm”, ka shkruar ai në postimin në Facebook.

KALLXO.com ka kontaktuar më herët edhe drejtorin e RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, i njëjti ka thënë se është duke u zhvilluar procedurë disiplinore ndaj tre personave, por që sipas tij ende nuk ka pranuar ndonjë vendim.

“Ajo çfarë mund të ju konfirmoj për momentin është se një rast ndaj 3 personave në RTK që dyshohet se e kanë keqpërdorur pozitën e tyre, duke falsifikuar dokumente zyrtare, kanë qenë në komision disiplinor dhe unë si drejtor jam në pritje të vendimit final”, ka thënë ai.

Mentor Shala thotë se është suspenduar nga puna në RTK