Ministria e Kulturës zvarrit shpalljen e rezultateve të konkursit për mbështetje të librit

Ndërkohë që kanë mbetur më pak se 4 muaj deri në fund të vitit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporiti ende nuk ka bërë publike rezultatet e konkursit për mbështetje të veprimtarisë botuese.

Në janar të këtij viti MKRS kishte shpallur konkurs për financimin e botimeve nga botuesit kosovarë dhe një konkurs tjetër për blerje të botimeve po nga botuesit për nevoja të bibliotekave në vend.

MKRS, deri në publikimin e artikullit, ende nuk ka bërë të ditur rezultatet e këtyre dy konkurseve.

Për vonesat në publikimin e përfituesve që do të marrin ndihmë për librin për vitin 2020, zyrtarë të MKRS-së fajin e hedhin te Këshilli i Librit.

Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS-së ka thënë për KALLXO.com se vlerësimi i konkurrentëve për dy konkurset e Ministrisë për mbështetje të librit, atij për botimin e veprave dhe për blerje të botimeve nga botuesit, janë përgjegjësi e Këshillit të Librit.

“Vlerësimi i aplikimeve për përkrahje financiare për botimin dhe blerjen e librave është kompetence e Këshillit të Librit. Ne momentin që Këshilli i Librit i kryen vlerësimet, do të publikohen përfituesit”, ka thënë drejtoresha Shyti për KALLXO.com.

Ndërsa, zyrtarë të Këshillit të Librit nuk kanë dashur të komentojnë rreth konkursit.

I kontaktuar nga KALLXO.com, kryetari i Këshillit të Librit, Anton Berishaj, nuk ka dashur të prononcohet rreth vonesave në përzgjedhjen e fituesve të konkurseve për mbështetje të veprimtarisë botues për këtë vit.

Në anën tjetër, botuesit kosovarë e konsiderojnë papërgjegjësi vonesën  e mospublikimit të rezultateve të konkursit për mbështetjet të projekteve të botuesve kosovarë dhe blerjen e librave.

“Në këtë vit tejet të rëndë për botuesit, pa panairet e librave që siguronin një xhiro për botuesit, pa fuqinë blerëse për shkak të krizës, pritej që MKRS të reagonte më shpejt dhe më shumë se herëve të kaluara. Çuditërisht këtë vit ende s’kemi marrë asnjë lajm dhe ndonëse është premtuar ndryshe nga Ministrja, kemi kuptuar që edhe shuma e mbështetjes do të jetë po njëjtë si vitet e kaluara. Kjo neglizhencë është në fakt edhe shkaktari kryesor i gjendjes sonë të mjerë në fushën e librit.”, ka thënë për KALLXO.com, Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Në bazë të Ligjit për veprimtarinë botuese dhe librin, dhe Rregullores për punë e këshillit, Këshilli i Librit është organi përgjegjës sa u përket politikave për mbështetje të veprimtarisë botuese në vend.