Trafiku në Prishtinë Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Mangësia në legjislacion lë larg zgjidhjen për ndotjen e ajrit nga veturat
Qyngat e veturave brenda trafikut të dendur kudo në Kosovë janë ndër kampionët e listës së ndotësve të ajrit, bashkë me termocentralet e qymyri në ekonomitë familjare. Megjithatë, zgjidhja për ndotësit e përditshëm nuk po shihet në horizont për shkak të mungesës së legjislacionit që penalizon veturat me lirim të lartë të gazrave të dëmshëm.
Përveç disa masave sporadike që janë ndërmarrë në vendin tonë, me qëllim të ndalimit të qarkullimit të veturave, ende mungojnë masat konkrete në këtë drejtim.
Vjetërsia e veturave në Kosovë, nga e cila varet edhe ndotja e ajrit nga lirimi i gazrave është një presion i madh që i bëhet mjedisit.
Se kjo është një problematikë e madhe e thonë edhe ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, sipas të cilëve, ndotja e ajrit në qytet po bëhet gjithnjë e më shumë problem i madh ekonomik dhe shëndetësor.
IKSHPK rekomandon që të ndalohet ardhja e veturave nga periferia në kryeqytet, të merren urgjentisht masa rigoroze të kontrollit teknik të automjeteve, e poashtu të ndalohet importi i veturave të vjetra më shumë se 15 vjet nga vendet e BE-së.
Vjetërsia e veturave në Kosovë
Në bazë të raportit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, sa më të vjetra që të jenë veturat dhe sa më i vjetër që është standardi EURO i tyre emetimet do të jenë më të larta dhe presioni do të jetë më i lartë.
Në raport thuhet se numri më i madh i automjeteve nga të gjitha kategoritë i takon grupit që i takojnë standardit EURO3 dhe EURO4, dhe që mund të konsiderohen si automjete të moshës mesatare.
“Pas këtyre kategorive vije kategoria e automjeteve para EURO1, që mund të konsiderohen si automjete të vjetra, ndërsa që numri më i vogël i automjeteve që qarkullojnë në Kosovë i takon kategorisë EURO6, që mund të konsiderohen automjete të reja”, thuhet në raport.
Në bazë të të dhënave të raportit, në Kosovë më së shumti vetura janë të regjistruara sipas standardit EURO3. Në bazë të statistikave, të tilla janë të regjistruara 109 mijë e 920 vetura.
Në bazë të përgjigjes së Ministrisë së Infrastrukturës, secili automjet duhet t’i arrijë vlerat të cilat janë paraparë nga prodhuesi në momentin e daljes në treg, pra automjeti i cili ka sistem EURO 1, duhet ti përmbush kriteret e parapara me standardin EURO 1.
“Shumica e qendrave të kontrolli teknik posedojnë pajisje për matjen e gazrave sipas standardit të përcaktuar me EURO 4. Tek pas plotësimit dhe ndryshimit të legjislacionit mund të fillohet me matjen e nivelit EURO 5 dhe 6”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas raportit, në vendin tonë si mjet kryesorë i transportit përdoren veturat ku, kjo vjen si pasojë e mos funksionimit adekuat të transportit urban i cili operon me autobusë të vjetruar të cilët janë shumë të ngadalshëm dhe shkaktojnë shumë ndotje. Numri i veturave është një tregues i rëndësishëm mjedisor meqenëse transporti është një nga burimet kryesore të ndotjes së ajrit.
Mungesa e legjislacionit
Deri më tani, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, matja e lirimit të gazrave të veturave bëhet vetëm në karakterin informues.
“Në mungesë të legjislacionit matja e gazrave momentalisht është e karakterit informues. Të gjitha Qendrat e Kontrollit Teknik të Automjeteve të licencuara nga Ministria e Infrastrukturës janë të obliguara të bëjnë matjen e gazrave të liruara nga automjetet”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës, dhënë për KALLXO.com.
Në përgjigjet e ministrisë thuhet se në rastet kur një veturë nuk i plotëson kushtet pasi që shkakton ndotje më shumë sesa normat të cilat janë të lejuara, ajo nuk paraqet pengesë për regjistrimin e veturës.
“Mos përmbushja e kritereve të përcaktuara nuk paraqet kusht për regjistrimin e automjetit. Nuk paraqet kusht në mungesë të legjislacionit”, thuhet në përgjigje.
Ndalimi i qarkullimit të veturave nga Komuna e Prishtinës
Në janar të vitit 2018, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte marrs vendim në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për një bllokadë të përkohshme të disa rrugëve për qarkullim të veturave.
Ky vendim ishte marrë me qëllim të përmirësimit të ajrit në Komunën e Prishtinës, pasi që numri i madh i veturave konsiderohet si njëri nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit.
Atë kohë, në rrugët ku ishte ndaluar qarkullimi me vetura, Komuna e Prishtinës ka lejuar që të qarkullojë vetëm transporti publik falas, ndërsa ky ndalim zgjati për dy ditë radhazi.
Që nga viti 2018, Komuna e Prishtinës nuk ka ndërmarrë më një plan operativ të tillë për ndalimin e qarkullimit me vetura në rrugët e Prishtinës.
Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës ka thënë për KALLXO.com se pas këtij plani të cilin e kishte ndërmarrë Komuna e Prishtinës, janë vërejtur efektet e menjëhershme.
“Po është vërejtur një zbutje në ndotje të ajrit por nuk është se kemi pasur mundësi ta bëjmë një krahasim me vlera numerike”, ka thënë Mullafaliu.
Sipas saj, plani operativ të cilin e kishte ndërmarrë Komuna e Prishtinës, ka pasur ndikim për zbutjen e ndotjes së ajrit në Prishtinë, mirëpo ky plan nuk ka gjetur përkrahjen nga qytetarët.
Tani, Komuna e Prishtinës sipas Mullafazliut është duke përgatitur plane afatgjate për reduktimin e automjeteve që qarkullojnë në kryeqytet.
“Po sa herë që kërkohet dhe ka mundësi Komuna e Prishtinës do të marrë masa përkatëse por Komuna tashmë po përgatit edhe plane afat gjata për reduktimin e automjeteve motorike që qarkullojnë në qytet. Një dokument i tillë i cili edhe ka filluar të implementohet është “Plani i Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban” i cili përfshin të gjitha masat që do të merren në trafik me qëllim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit nga komunikacioni”, ka thënë Mullafaliu për KALLXO.com.
Në bazë të Planit të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban në Komunën e Prishtinës parashihet përsëri organizimi i ditëve pa trafik në Prishtinë.
Në këtë plan poashtu thuhet se pas planit të lëvizjes së automjeteve nga ora 06:00, deri në orën 22:00, i cili u bë në fillim të vitit 2018, për të reduktuar ndotjen e ajrit në qendër të qytetit, kishte rezultate në uljen e ndotjes së ajrit, duke e ulur ICA-në (Indeksin e Cilësisë së Ajrit) në 61.
Zonat e kufizuara për lëvizje të trafikut ishin rruga ‘Bill Kllinton’, nga udhëkryqi i rrugëve Idriz Gjilani dhe Bekim Femiu, bulevardi Dëshmorët e Kombit nga rreth-rrotullimi i Flamurit, rruga ‘Agim Ramadani dhe udhëkryqi te konviktet, rruga Edmond Hoxha te Salla 1 Tetori, rruga Ilir Konushevci në hyrje të qytetit nga drejtimi i Podujevës, si dhe te hyrja në qendër të qytetit nga rreth-rrotullimi në lagjen Arbëria, në rrugët UÇK dhe Fehmi Agani.
Në Planin e Mobilitetit thuhet se njëri ndër faktorët kryesor për ndotjen e ajrit është nga trafiku i mbingarkuar, dhe përdorimi i automjeteve të vjetra.
Në kuadër të këtij plani, thuhet se gjatë sezonës së dimrit në ndotjen e ajrit ndikon shumë përdorimi i madh i makinave për shkak të temperaturave të ulëta.
Për të përmirësuar cilësinë e ajrit në Komunën e Prishtinës, në Planin e Mobilitetit është rekomanduar një varg masash në lidhje me transportin, si reduktimi i numrit të automjeteve përmes promovimit të transportit publik kundrejt transportit privat, e po ashtu përmirësimi i transportit publik dhe promovimi i teknologjive të automjeteve të pastra.
Masat strategjike nga IKSHPK
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovës, ndotja e ajrit në qytet po bëhet gjithnjë e më shumë problem i madh ekonomik dhe shëndetësor, pasi që sipas tyre, ndotja e ajrit është rreziku i vetëm mjedisor më i madh për shëndetin.
Antigona Ukëhaxhaj, Specialiste e Shëndetit Publik në IKSHPK thotë se ndotja e ajrit është përgjegjës për 7 milion vdekje të parakohshme në baza globale dhe rreth 556 mijë në Evropë.
Për këtë ndotje, Ukëhaxhaj thotë se burim potencial është edhe trafiku dhe lirimi i gazrave nga veturat.
“Tanimë dihet se një ndër burimet potenciale të ndotjes së ajrit është edhe trafiku. Në Kosovë në qarkullim janë mbi 400 mijë vetura .Për fat të keq, shumica e tyre janë mbi 18 vite të vjetra, prandaj edhe lirimi i gazrave nga to përbëjnë një problem në vete”, thotë Ukëhaxhaj.
Sipas saj, përdorimi i automjeteve të vjetruara ne trafik bën që në nivel lokal ndotja e ajrit të ndodh me CO2, CO, NOx, pluhur të cilët lirojnë gazra të pakontrolluara përmes motorëve.
Ukëhaxhaj thotë se IKSHPK në vazhdimësi hulumton ndikimin e faktorëve mjedisor në shëndetin e popullatës, propozon dhe merr vendime profesionale dhe u rekomandon institucioneve kompetente eliminimin e mangësive të zbuluara dhe ndikimin e tyre të dëmshëm në shëndet.
“Njëherazi jemi të obliguar të informojmë popullatën me shkaqet e ndotjes së ajrit i cili mund të kërcënojë shëndetin. Andaj ne ju kemi rekomanduar inspektorateve të mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët”, thotë Ukëhaxhaj.
Sipas saj, si rekomandim i IKSHPK-së është edhe shtimi i numrit të autobusëve me karburante ekologjike në transport publik, me qëllim që qytetarët të kenë qasje të rregullt për kryerjen e obligimeve të tyre.
IKSHPK po ashtu në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se qytetarët duhet që të vozisin më pak gjatë dimrit dhe të mos dalin në qytet me makina pa ndonjë arsye të veçantë, të përdorin disa persona një veturë, të përdorin trafikun urban ose të ecin, e po ashtu të bëjnë kontrollet e rregullta teknike dhe të përdorin karburante pa plumb.
Sipas IKSHPK-së, në nivelin institucional problematike konsiderohet mungesa e granteve për mjedis të ndotur si nga ana e Ministrive, Komunave po ashtu edhe donatorëve, mungesa e strategjisë rrugore me hartat rrugore me qëllim të reduktimit të ndikimit në shëndet nga ndotja e ajrit, e po ashtu mungesa e masave ligjore lidhur me makinat e vjetra që përdoren në Kosovë.
Sipas ekspertëve, në ndotjen e ajrit kontribuon edhe kualiteti i naftës, pasi që shpeshherë është i dyshimtë dhe i pakontrolluar sa duhet.
KALLXO.com në lidhje me këtë temë ka tentuar që të marr një përgjigje edhe nga dy auto servise në Prishtinë në lidhje me procedurat e kontrollimit teknik të veturave por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.