Kontestimi ligjor i vendimit të Qeverisë Kurti për bordet politike
Qeveria Kurti i ka emëruar tri borde të përkohshme të ndërmarrjeve Publike, pasi më parë i ka shkarkuar bordet e emëruara nga Qeveria Haradinaj.
Në mesin e të emëruarve ka edhe kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës që kanë garuar nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2019.
Emërimi i bordeve është bërë duke u thirrë në nenin 43 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili i jep mundësi qeverisë që të emërojë borde të përkohshme pasi të bëjë shkarkimin e bordeve.
Në paragrafin 3, të nenit 43 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, thotë se Qeveria e Kosovës kur të bëjë emërimin e bordeve të përkohshme, duhet të bëjë përpjekje maksimale për të siguruar që drejtorët i plotësojnë kushtet që janë përmendur në paragrafin 1 dhe 4 të nenin 17 të Ligjit.
“Secili Bord i Përkohshëm i Drejtorëve do të përbëhet nga pesë (5) anëtarë dhe duhet të përfshijë KE-në ose menaxherin e lartë të NP-së. Gjatë emërimit të drejtorëve të tjerë të një Bordi të Përkohshëm të Drejtorëve, Qeveria do të bëjë përpjekje maksimale për të siguruar që këta drejtorë t’i plotësojnë kushtet e përcaktuara në paragrafët 1 dhe 4 të nenit 17 të këtij ligji”, thuhet në pikën 3 të nenin 43 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
Kurse, paragrafi 1 e nenit 17 thotë drejtor i bordit të një ndërmarrje publike mund të bëhet një person që i plotëson kushtet që janë të listuara në paragrafin 2 dhe 3 të këtij neni.
“Një person ka të drejtë të shërbejë si drejtor vetëm nëse i plotëson të gjitha kushtet më poshtë si dhe kushtet për pavarësi dhe përshtatshmëri profesionale të përcaktuara në paragrafët 2 dhe 3 të nenit 17 të këtij ligji”, thuhet në parafrafin e parë të nenit 17.
Pra, paragrafi 1 i nenit 17 të referon në pikën 2 dhe 3 të këtij neni.
Në nenin 17, paragrafi 2, ndër të tjerash kërkohet që personat e emëruar në borde të jenë të pavarur.
“Është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në pikën k, paragrafit 2 të nenin 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
Ndërsa, plotësim-ndryshimi i këtij ligji që është bërë në vitin 2012 tregon se kush konsiderohet i emëruar politik.
“’I emëruar politik’ – nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur”, thuhet në plotësim/ndryshimin e nenin 2 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike që është bërë në vitin 2012.
Ky argument është përdorë edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit në opinionin e lëshuar në vitin 2016, në kohë kur kryeministër ka qenë Isa Mustafa dhe ka qeverisur së bashku me PDK-në.
Antikorrupsioni kishte kërkuar nga Qeveria Mustafa që të shkarkonte të gjithë anëtarët e bordit që bien ndeshtë me këtë nenë të ligjit që flet për nevojë që drejtori i bordit të një ndërmarrje të jetë i pavarur.
Por, në komunikatën e lëshuar nga ministria e Punës dhe Ekonomisë (MEPTINIS) thotë se ligji nuk i përjashton anëtarët e partive politike që të emërohen në bordin e drejtorëve të një ndërmarrje publike. Por, ata kanë thënë se ligji i përjashton të emëruarit politikë.
“Kushtet dhe cilësimet ligjore sigurojnë pavarësinë dhe integritetin e bordit, parandalojnë konfliktin e interesit, dhe përcaktojnë profilet dhe përvojën profesionale që kërkohet në bord. Posaçërisht kërkohen ekspertët e fushës dhe njohësit e kontabilitetit. Përjashtohen të zgjedhurit e të emëruarit politikë dhe drejtuesit e partive të 36 muajve të fundit, por jo anëtarët (LNP, neni 17)”, thuhet në komunikatën e MEPTINIS.
Por, ata nuk e kanë dërguar edhe çka nënkupton i “emëruari politik” sipas interpretimin të Ligjit për Ndërmarrjet Publike. I emëruari politik është edhe personi që ka kandiduar për deputet.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime shtesë nga MEPTINIS për interpretimin e ligjit për Ndërmarrjet Publike. Getoar Mjeku, këshilltar juridik i ministres, Rozeta Hajdari ka thënë se Neni 43.3, në bazë të cilit janë emëruar bordet e përkohshme kërkon që drejtorë t’i plotësojnë kushtet e përcaktuara në paragrafët 1 dhe 4 të nenit 17 të këtij ligji.
“Pra, merren parasysh vetëm kushtet e radhitura në paragrafët 1 dhe 4. Neni 43.3 është dispozitë e posaçme që përjashton paragrafët 2 dhe 3 [të nenit 17], pra paragrafët 2 dhe 3 nuk zbatohen te bordet e përkohshme. Megjithatë, ne kemi marrë parasysh kushtet nga paragrafët 2 dhe 3 për të siguruar një bord me integritet dhe sa më të pavarur”, ka thënë Mjeku.
Tutje, ai nuk e ka përmend fare pikën 2 të nenin 17 që flet për pavarësinë e kandidatëve kur ka folur për të emëruarit në këto pozita.
“Kemi emëruar profesionistë të dëshmuar. CV-të do të jenë në dispozicion për publikun. Të gjithë të emëruarit plotësojnë kushtet e radhitura në nenin 17.1 (që siguron integritetin dhe pavarësinë e të emëruarit) dhe në nenin 17.4 (që kërkon njohuri të kontabilitetit)”, ka thënë Mjeku.
Ai ka treguar edhe për mënyrën se si i kanë identifikuar drejtorët e përzgjedhur.
“Kandidatët i kemi identifikuar me ndihmën e këshilltarëve të brendshëm, të akademikëve, të komunitetit të biznesit dhe të profesionistëve të fushave”, ka thënë ai.
Mentor Hyseni i cilli është emëruar kryesues i Bordit të Përkohshëm të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.
Ai në zgjedhjet e fundit kishte marrë 5 mijë e 18 vota, të pamjaftueshme për t’u bërë deputet.
Ndërsa, Seat Bilbani, është emëruar anëtar bordi në KRU “Prishtina”. Bilbani kishte qenë kishte qenë kandidat për deputet nga radhët e partisë së ministres në detyrë të Qeverisë, Emilja Rexhepi, Nova Demokratska Stranka. Ai kishte marrë vetëm 163 vota, të pamjaftueshme për t’u bërë deputet.
As Mentor Hyseni e as Seat Bilbani nuk i kanë kaluar 36 muaj prej që kanë qenë të emëruar politik.
Abdullah Lala në një bisedë për KALLXO.com e ka konfirmuar së është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. I njëjti është emëruar anëtar i bordit në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës- Infrakos”.
Artan Dërmaku është emëruar anëtar bordi në po këtë ndërmarrje dhe i njëjti është konfirmuar nga vet ministrja, Rozeta Hajdari së është pjesë e LVV-së.