Foto: ZKM

KALLXO.com i kërkon Zyrës së Kryeministrit CV-të e anëtarëve të rinj të bordeve të ndërmarrjeve publike

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës, qeveria Hoti mori vendim për shkarkimin e katër Bordeve të Përkohshme të Ndërmarrjeve Publike.

Katër Bordet e shkarkuara nga qeveria Hoti, ishin Borde të Përkohshme të emëruara nga ish- kryeministri, Albin Kurti.

Në mbledhjen e Qeverisë që u mbajt ditën e djeshme u mor vendim për shkarkimin e Bordeve të Përkohshme të  Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Prishtina”, Ndërmarrjes Publike Qendrore NPH “Ibër – Lepenc”, Ndërmarrjes Publike “Korporata Elektroenergjetike e Kosovës – KEK”, dhe Ndërmarrjes Publike KRU “Hidroregjioni Jugor”, Prizren.

Qeveria në këtë mbledhje pas shkarkimit të këtyre bordeve ka bërë edhe emërimin e Bordeve të Përkohshme të këtyre katër Ndërmarrjeve Publike.

Menjëherë pas emërimit të anëtareve të rinj në katër Bordet e Ndërmarrjeve Publike, KALLXO.com me anë të një kërkese për qasje në dokumente publike i ka kërkuar zyrës së kryeministrit qasje në CV-të e të gjithë anëtarëve të rinj të  emëruar në bordet e reja.

Lidhur me këtë kërkesë, KALLXO.com ka pranuar një email nga zyra e kryeministrit të cilët e kanë konfirmuar pranimin e kërkesës dhe kanë lajmëruar se janë duke e shqyrtuar kërkesën.

Kujtojmë se KALLXO.com kishte kërkuar qasje në CV-të e anëtarëve të bordeve të përkohshme të emëruara nga  kryeministri i atëhershëm, Albin Kurti. Pas disa insistimeve qasja ishte lejuar.

Në Bordin e Përkohshëm të KRU “Prishtina”, janë emëruar Labinot Dedushi, kryesues, drejtor, Agim Miftari, drejtor, Arlind Haziri, drejtor dhe Linda Spahiu, drejtoreshë.

Ndërsa në Bordin e Përkohshëm të Ndërmarrjes Publike  “Ibër Lepenc”, janë emëruar Marigona Hamdija, kryesuese, drejtoreshë, Aferdita Llumnica, drejtoreshë,  Enver Rrustemi, drejtor,  Dejan Radojkovi, drejtor.

Qeveria ka njoftuar se në Bordin e Përkohshëm të NP “Korporata Elektroenergjetike e Kosovës – KEK”, janë emëruar, Hysen Fazliu, kryesues, drejtor, Egzon Berisha, drejtor,  Petrit Ibraj, drejtor, dhe Fatime Grajcevci, drejtoreshë.

Në Bordin e Përkohshëm të NP Kompania Rajonale e Ujësjellësit – KRU “Hidroregjioni Jugor” Prizren, Qeveria ka njoftuar se ka emëruar  Zambeze Guraziu, kryesuese, drejtoreshë,  Edmond Hoxha, drejtor, Mirzet Dzogovic, drejtor, dhe Agron Shala, drejtor.

Pas vendimit të qeverisë Hoti, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Përmes një reagimi Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka listuar arsyet për shkarkimin e bordeve të emëruara nga qeveria Kurti.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, shkarkimi i bordeve të këtyre ndërmarrjeve ka ardhur si pasojë e mos respektimit të rekomandimit dhe kërkesës nga aksionari Qeveria e Kosovës në lidhje me pezullimin e procedurave të rekrutimit brenda ndërmarrjeve publike.

“Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, e cila ka përgjegjësi të përfaqësimit të aksionarit në këto ndërmarrje publike, e ka brenda saj Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike. Kjo njësi i ka dërguar rekomandim dhe kërkesë ministrit Blerim Kuçi për pezullimin e procedurave të rekrutimit të pozitave të larta në ndërmarrjet publike. Arsyeja e kërkesës për pezullimin ishte që duhet pritur deri në fillimin e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar me Ambasadën Britanike, për asistencë në përzgjedhje meritore të pozitave të larta dhe udhëheqëse në Ndërmarrje Publike Qendrore dhe Agjencione Qeveritare”, thuhet në njoftim.

Pas këtij rekomandimi, sipas reagimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ministri Blerim Kuçi u ka dërguar menjëherë Ndërmarrjeve Publike Qendrore kërkesë që të pezullojnë përkohësisht këto procedura të rekrutimit, deri në fillim të zbatimit të marrëveshjes me Ambasadën Britanike, por që sipas Ministrisë kjo kërkesë e ministrit është injoruar totalisht që të zbatohet për më shumë se një herë.

Sipas reagimit përkundër kërkesës së ministrit të katër bordet tashmë të shkarkuara kishin vazhduar me procedurat e rekrutimit të zyrtarëve të lartë, gjë e cila ka quar në shkarkimin dhe zëvendësimi e tyre me anëtarë të rinj të përkohshëm.