Avdullah Hoti premton transparencë në zgjedhjen e bordeve të ndërmarrjeve publike
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në ‘Facebook’ ka premtuar transparencë për procesin e zgjedhjes së bordeve të ndërmarrjeve publike në Kosovë.
Hoti ka shkruar se si Qeveri, janë të vendosur të sigurojnë profesionalizëm në pozita të larta të institucioneve publike dhe bordeve të ndërmarrjeve publike.
Ai ka thënë se pasi ligji i ri për zyrtarët publikë ka hyrë në fuqi, ka vendosur që të mos ketë vazhdim automatik të mandatit për asnjë zyrtar të lartë në institucione.
“Me mbarimin e mandatit të zyrtarëve në pozita të larta publike, do të hapet konkursi sipas ligjit për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë, garë të hapur dhe transparencë. Vetëm kjo qasje na siguron se përzgjedhen më të mirët”, ka shkruar Hoti.
Ai gjithashtu ka njoftuar se konkursi për bordet e ndërmarrjeve publike është i hapur deri më 14 gusht.
“Ftoj të gjithë të interesuarit të konkurrojnë. Do të sigurohet transparencë e plotë në përzgjedhje, ndërsa procesi do të mbikëqyret nga ekspertët e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar. Ftoj edhe organizatat e shoqërisë civile ta mbikëqyrin nga afër këtë proces”, ka shkruar në fund kryeministri Hoti.