Edhe një anëtar tjetër i LVV-së emërohet në Bordin e përkohshëm të Infrakosit

Mbrëmë, Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga Albin Kurti, emëroi anëtarë të ri në Bordet e tri Ndërmarrjeve Publike.

Në mesin e të emëruarve është edhe Abdullah Lala, si anëtar i bordit në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës- Infrakos”. Lala është anëtar i partisë e cila udhëhiqet me ekzekutivin kosovar.

Ai në një bisedë për KALLXO.com e ka konfirmuar se është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në degën e kësaj partie në Podujevë.

“Unë jam anëtar i Vetëvendosjes në Podujevë se jam i asaj ane por jetoj në Prishtinë, po anëtar i VV-së në Podujevë”, tha Lala.

Ai ka thënë se nuk ka ndonjë post vendimmarrës në degën e LVV-së në Podujevë. Sipas tij, emërimi i përkohshëm në borin e Infrakos nuk paraqet naj problem.

“Unë mendoj që Bordet e Ndërmarrjeve Publike, të gjitha duhet me qenë profesionale dhe pa ndikime politike, ashtu është interesi i udhëheqës së ekonomisë përpara. Meqë është një Bord i përkohshëm dhe situatën kështu e ka vlerësuar kabineti qeveritar nuk jam ndonjë strukturë vendimmarrëse”, tha ai.

“Nuk kam ndonjë funksion vendimmarrës në strukturat e partisë në Podujevë, jam vetëm anëtar. Ligji e parasheh shumë qartë që brenda 36 muajsh që nuk je në ndonjë pozicion vendimmarrës në strukturat e partisë apo emëruar politik. Nuk kam qenë kandidat as për asamble as për deputet”, vlerësoi Abdullah Lala.

Qeveria e Kosovës emëroi edhe një person tjetër, anëtar i Vetëvendosjes.

KALLXO.com ka raportuar se Mentor Hyseni i zgjedhur në bordin e përkohshëm të Ujësjellësit, është anëtar i Vetëvendosjes dhe ish-kandidat për deputet në këtë parti.

Po ashtu, është gjetur se anëtari tjetër i këtij bordi, është ish-kandidat për deputet i partisë së ministres Emilija Rexhepit.

Ndërsa, Rozeta Hajdari, e ka konfirmuar se anëtari Artan Dërmaku i emëruar në bordin e përkohshëm të Infrakos është pjesë e partisë Lëvizja Vetëvendosje. Artan Dërmaku ishte prezantuar disa muaj më parë nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, si anëtari më i ri i partisë.

www.kallxo.com