Foto: Facebook/ Albin Kurti
I zgjedhuri në bordin e KRU ‘Prishtina’, ish-kandidat për deputet nga partia e ministres Emilija Rexhepi
Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, ndër të tjera, u shkarkua bordi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’ dhe u bë emërimi i bordit të ri të përkohshëm të kësaj kompanie publike.
Të emëruarit e bordit të ri janë Mentor Hyseni, kryesues dhe Hajrie Morina, Idriz Maliqi dhe Seat Bilibani.
Seat Bilibani ishte kandidat për deputet në vitin 2017, nga rradhët e partisë së ministres aktuale të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Emilija Rexhepi.
Në një përgjigje për KALLXO.com, ministrja Redzepi e ka konfirmuar se Bilibani ka qenë kandidat për deputet nga rradhët e partisë së saj, por që tashmë nuk është më. Ajo ka thënë se ka dashur t’i ndihmojë personit në fjalë.
“Përpara ka qenë, por moti nuk është. Ka qenë kandidat për deputet para 4-5 viteve. Kam pas qef pak me e ndihmu sepse është i papunë dhe një djal shumë i mirë, i kam thënë me konkuru. Jo, Qeveria nuk më ka kërku me e delegu askënd prej partisë”, ka thënë Redzepi përmes telefonit.
Tutje, Redzepi ka thënë se çdo herë ka kërkuar nga qeveritë që nëpër bordet publike, me qenë nga një anëtar i komuniteteve jo serbe.
“Unë çdo herë përpara kam insistu prej krejt qeverive që me qenë nëpër borde publike nga një anëtar i komuniteteve jo serbe. Shumë mirë është për komunitetin boshnjak që Seati me qenë anëtar i bordit”, ka thënë Redzepi.
Mbrëmë KALLXO.com ka raportuar për anëtarin tjetër të zgjedhur të këtij Bordi, Mentor Hyseni, i cili në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat për deputet nga rradhët e Vetëvendosjes.
Qeveria Kurti emëron përkohësisht në krye të bordit të Ujësjellësit anëtarin e LVV-së