Beteja për shkarkimin e Bordit të KPMM-së

Deputetët e mazhorancës në Komisionin për Ekonomi në mbledhjen e fundit i rekomanduan Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Kjo nuk është hera e parë që ky Komision pati rekomanduar shkarkimin e këtij Bordi, një rekomandim i njëjtë ishte bërë edhe në janar, por që kjo pikë ishte tërhequr nga rendi i ditës nga partia në pushtet (LVV).

Bordin të cilin e kishte emëruar vet partia në pushtet po synon ta shkarkojë tash e 6 muaj.

Selvete Grajqevci Pllana, kryesuese e Bordit dhe anëtarët e tjerë të këtij Bordi, Jahir Gashi, Gani Kastrati, Gani Maliqi dhe Rrezarta Pushkolli Makolli, kishin marrë votat për ta drejtuar KPMM-në qysh në dhjetor të vitit 2021.

Mirëpo ‘përçarja’ e vet Bordit, dhe një vendim për uljen e borxhit për rentën minerare për kompaninë “Newco Ferronikeli Complex” nga 9 milionë në 1 milion euro, ka bërë që mazhoranca të kërkojë me ngulm shkuarjen në shtëpi të këtij Bordi.

Kryesuesen e kanë shkarkuar vet anëtarët e Bordit, pasi që ajo kishte arritur moshën e pensionit, anëtari i Bordit Jahir Gashi ka dhënë dorëheqje një ditë para rekomandimit, ndërsa 3 anëtarët e tjerë janë duke pritur verdiktin e Kuvendit.

Njëherë ndryshimi ligjit, pastaj shkarkim Bordi

Përpara se të rekomandonte edhe njëherë shkarkimin, partia në pushtet i përvoli krahët për ta bërë plotësim-ndryshimin e ligjit për KPMM-në, përkatësisht pjesën e cila flet për shkarkimin e Bordit.

Nenit 60 i cili flet për shkarkimin e Bordit, iu hoqën dy paragrafe, paragrafi 3 dhe 4.

Paragrafi 3 i ligjit bazik, e i cili është larguar me plotësim ndryshimin e ri, flet për mundësinë që anëtarët e Bordit të kundërshtojnë vendimin e Kuvendit për shkarkim.

“Anëtari përkatës i Bordit mund ta kundërshtojë vendimin e Kuvendit në përputhje me ligjin e Kosovës për konfliktin administrativ. Në rast të paraqitjes së një ankese të këtillë, anëtari përkatës i Bordit pezullohet deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Supreme e Kosovës lidhur me faktin nëse vendimi i Kuvendit ka qenë në përputhje me paragrafin 1 dhe 2 te këtij neni”- thuhet në ligjin bazik të vitit 2010.

Ndërsa me largimin e paragrafit 4, anëtarët e Bordit nuk do të kenë mundësi që të marrin pagë gjatë kohës së pezullimit.

“Gjatë kohëzgjatjes së pezullimit, anëtari i Bordit vazhdon të marrë pagën e tij/saj; megjithatë, ai/ajo: nuk merr pjesë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në çfarëdo çështje, veprimtarie ose procesi vendimmarrës të KPMM ose Bordit të KPMM, nuk diskuton, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çfarëdo çështje, veprimtarie ose procesi të tillë me asnjë person nuk i lejohet hyrja në zyrat ose objektet tjera të KPMM dhe nuk i lejohet qasje në asnjë të dhënë të KPMM-së ose të dhëna që ndodhen në zyrat e KPMM-së, përveç nëse urdhërohet nga Gjykata Supreme e Kosovës”- thuhet në ligjin bazik.

Ligji i ri, ka hyrë në fuqi më 4 korrik të këtij viti.

Çka shkoi keq me Bordin e KPMM-së?

Një ndër vendimet i cili kishte ‘përçarë’ Bordin e Komisionit për Miniera dhe Minerale (KPMM), kishte qenë vendimmarrja për kompaninë ‘Ferronikel’.

Ndonëse kishin marrë mandatin në dhjetor, janari i vitit 2022 nuk kishte filluar lehtë për Bordin e ri.

Në janar në tavolinë të Bordit kishte ardhur një raport prej Auditorit të Brendshëm. Në raport njëra prej gjetjeve ishte edhe çështja e “Ferronikelit” ku kompania nuk kishte raportuar drejtë për rentën minerare dhe si rrjedhojë i ngarkohej një borxh prej më shumë se 9 milionë euro.

Në këtë njoftim për dështim, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, figuron se borxhi i “Ferronikelit” ndaj KPMM-së është 9,019,979.44 euro.

Bordi i cili kishte para vetës një raport të Auditorit, një rekomandim të komisionit të ankesave, nuk ishte njëzëri sesi duhej t`i ipej epilogu kësaj çështje.

Kryesuesja dhe anëtari Jahir Gashi kërkonin që të merrej parasysh rekomandimi i komisionit të ankesave i cili konstatonte se “Ferronikeli” ka raportuar drejt, por duhet ta paguajë diferencën për ta bërë unifikimin në të dy departamentet, atë të gjeologjisë dhe financave.

Ndërsa 3 anëtarët e tjerë, Gani Maliqi, Gani Kastrati dhe Rrezarta Pushkolli kishin konstatuar se ndërmarrjes duhet t`i faturohet borxhi që nga viti 2018 për mos raportim në gjendje natyrore.

Ky propozim kishte kaluar, dhe kështu që borxhi nga 9 milionë, ndërmarrjes i ishte zbritur në rreth 1 milion.

E në fund të vitit 2022, 3 anëtarët e bordit, Gani Maliqi, Gani Kastrati dhe Rrezarta Pushkolli kishin marrë vendim ta shkarkonin kryesuesen Selevete Grajqevci Pllana për shkak që ka arritur moshën e pensionimit, dhe në vend të saj të emëronin ud Rrezarta Pushkollin.

Rrjedha si u hodh poshtë dosja e “Ferronikeli”-t për borxhin 9-milionësh