Ekspozita ‘Velloja e kujtimit si dramë’, si revoltë ndaj harresës së librit  

E hapur pak ditë më parë ekspozita “Velloja e kujtimit si dramë” e piktores Jeta Kalaveshi, shpalos më së miri preokupimin që bartë sot shoqëria jonë rreth zbehjes së interesimit për librin.

Nëntëmbëdhjetë pikturat e ekspozuara në Galerinë e Ministrisë së Kulturës,  e njohur edhe si Galeria “Qafa”, në Prishtinë nga krijuesja Kalaveshi në vaj dhe pëlhurë të punuara që nga koha e studimeve, përcjellin mesazhe unike.

Ekspozita vë në pah jetën e fëmijëve dikur dhe sot, të cilët gjithnjë e më shumë po largohen nga libri.

Ndryshimi

Në  prononcim për Kallxo.com, Naser Shatrolli, krijues dhe kritik arti ka potencuar se përmes ekspozitës së saj, Kalaveshi na bën me dije atë se çfarë ndryshimesh rrënjësore po përjeton shoqëria jonë, sidomos sa i përket lakueshmërisë, ku më së miri paraqet përmes libri dhe fatit të tij.

“Përmes ngjyrave të librit do ta njollosë brushën për të krijuar diçka tërësisht të veçante dhe krejt origjinale”, ka pohuar Shatrolli, duke shtuar se ekspozita e Kalaveshit mbase do të ishte dhe objekt përtallës me të sotmen, gjersa, raftet e drunjta nuk janë portal kohe, ose digjitalizim mediatik.

Sipas tij, ekspozita, Velloja e kujtimi si dramë” e Jeta Kalaveshit është nostalgji për të kaluarën dhe model jetik për të sotmen.

Post mortemi i librit

Ndërsa Zake Prelvukaj, kuratore e ekspozitës, pikturat e Kalaveshit i sheh si një përcaktuese të fati të librit në kohën, siç ka potencuar ajo, transformimet e mëdha dhe të shpejta teknologjike kanë ndikuar po ndikon dukshëm në çdo fushë.

 “Autorja e këtyre pikuarave, përveç ambientit që e ka rrethuar, inkorporon edhe elementet e etnosit, si simbolike autoktone, por në një mënyrë e pikturon edhe këndin e dhomës me librat e gjyshit”, ka potencuar ndër të tjerash Prelvukaj.

Krijuesja Prelvukaj ka potencuar se ekspozita e Kalvaeshit është një shprehje reale me tendencë konceptuale, siç ka vazhduar ajo më tej, duke hulumtuar kohë pas kohe motive për të gjetur vetveten, duke i jetësuar synimet dhe përjetimet e veta, qoftë momentale apo ato të fëmijërisë.

Ekspozita “Velloja e kujtimit si dramë” e hapur në fillim të kësaj jave do të jetë e hapur deri në fund të këtij muaji.