Çmimet u rritën për 1,5 % në vitin 2017

Në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se rritja ekonomike e Kosovës ishte 3.7 për qind në vitin e kaluar. Në anën tjetër, tregjet ndërkombëtare ndikuan në rritjen e çmimeve në Kosovë, inflacioni arriti në 1.5 për qind.

Më 2017, ekonomia e Kosovës shënoi një rritje 3.7 për qind duke u ndikuar nga rritja e investimeve dhe përmirësimi në eksporte.

“Ekonomia e Kosovës në vitin 2017, sipas statistikave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shënoi rritje vjetore prej rreth 3.7 për qind, rritje e gjeneruar kryesisht nga rritja e investimeve, si dhe përmirësimi i pozicionit të neto eksporteve si rezultat i rritjes së eksportit të mallrave dhe shërbimeve”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së.

Sipas qasjes së prodhimit, rritja ekonomike gjatë vitit 2017 ishte kryesisht rezultat i rritjes së vlerës së shtuar të aktivitetit në sektorin financiar, sektorin e ndërtimtarisë, tregtisë, etj.

“Rënie reale vlerësohet të jetë shënuar tek administrimi publik dhe shërbimet tjera. Për vitin 2018, parashikimet e BQK-së sugjerojnë se norma reale e rritjes së BPV-së që pritet të luhatet në një interval prej 4.2 deri në 4.4 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së.

Në raportin e BQK-së për vitin 2017 thuhet se në rritjen e çmimeve të metaleve, naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare u reflektua në ngritje të nivelit të çmimeve në ekonominë e Kosovës. Norma mesatare vjetore e inflacionit, shprehur përmes indeksit të çmimeve të konsumit, arriti në 1.5 për qind në vitin 2017 (0.3 për qind në vitin 2016)

Kosova regjistroi një rritje të borxhit publik mbi 16 për qind në vitin 2017, nga 14.6% sa ishte në fillim të vitit.

“Borxhi publik, në vitin 2017, ka arritur në 996.4 milionë euro që është për 16.8 përqind më i lartë krahasuar me vitin 2016. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 16.6 përqind nga 14.6 për qind sa ishte në vitin 2016”, thuhet në raportin e BQK-së.

Përkundër miratimit të buxhetit 2 miliardësh, Kosova nuk ka arritur të shpenzojë më shumë se 1 miliard e 740 milionë euro.

“Të hyrat buxhetore arritën vlerën neto prej 1.68 miliard euro, që paraqet një rritje vjetore prej 5.3 për qind, përderisa shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 1.74 miliard euro që paraqet një rritje vjetore prej 5.0 për qind. Rrjedhimisht, buxheti i Kosovës regjistroi deficit primar buxhetor prej 59.0 milionë euro krahasuar me deficitin prej 61.1 milionë euro në vitin 2016”, thuhet në raportin e BQK-së.

Në shkëmbimin tregtar të Kosovës me vendet tjera, shënohet një deficit në rritje për 7.6 për qind. “Përkundër përshpejtimit të rritjes së eksporteve të mallrave dhe shërbimeve gjatë vitit 2017, rritja e vlerës së importit u përkthye në rritje vjetore të deficitit në mallra për 7.6 për qind në 2.7 miliard në vitin 2017”, thuhet në raportin e BQK-së.

Por, janë shërbimet ato që po ia shpëtojnë fytyrën Kosovës.

“Sektori i jashtëm i Kosovës u karakterizua me zvogëlim të deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe kapitale në 425.1 milionë euro, një rënie vjetore prej 9.0 përqind, kryesisht si rezultat i rritjes së bilanceve pozitive të shërbimeve, llogarisë së të ardhurave parësore dhe dytësore”, thuhet në raportin vjetor.

Në vitin 2017 kishte rritje të remitancave dhe investimeve të jashtme. Remitencat arritën vlerën prej 759.2 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 9.9 përqind. Kurse, Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë shënuan rritje vjetore prej 30.8 përqind dhe arritën vlerën prej 287.8 milionë euro.

Sipas BQK-së, treguesit e performancës dhe shëndetit financiar të sektorit bankar vazhdojnë të reflektojnë shkallë të lartë të stabilitetit. Profiti i realizuar gjatë vitit 2017 arriti në 85.4 milionë euro, që përkon të jetë për 13.1 për qind më i lartë se në vitin paraprak. Treguesit e shëndetit të sektorit bankar tregojnë për një përforcim të mëtejmë të pozitës së kapitalizimit të sektorit bankar, ku Treguesi i Mjaftueshmërisë së Kapitalit arriti në 18.1 për qind në dhjetor 2017 nga 17.8 për qind sa ishte në vitin paraprak.

Gjithashtu, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rrezikut kreditor u zvogëlua edhe më tutje si rezultat i rënies së pjesëmarrjes së kredive joperformuese ndaj gjithsej kredive në 3.1 përqind, një nivel dukshëm më i ulët edhe krahasuar me vendet në Ballkanin Perëndimor.

Për më tepër, niveli i mbulueshmerisë së kredive joperformuese me provizione në këtë periudhë shënoi rritje në 149.7 për qind në vitin 2017, kryesisht si rezultat i rënies më të theksuar të kredive joperformuese. Pozita e likuiditetit të sektorit bankar vazhdon të jetë në nivel të qëndrueshëm, përkundër një rënie të evidentuar në treguesin e likuiditetit si pasojë e rritjes së përshpejtuar të kreditimit. Në vitin 2017, raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra qëndroi në 37.9 për qind, që është mjaft mbi minimumin rregullator prej 25 përqind.

Sektori i sigurimeve, shënoi fitim në 6.4 milionë euro vitin e kaluar.

“Në vitin 2017, gjithsej asetet e kompanive të sigurimit që operojnë në vend arritën në 176.8 milionë euro, një rritje vjetore prej 9.2 për qind. Gjatë vitit 2017, vlera e primeve të shkruara nga kompanitë e sigurimeve arriti në 86.7 milionë euro, një rritje vjetore prej 3.9 për qind, përderisa në të njëjtën periudhë, gjithsej dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve dhe Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) shënuan një rritje të theksuar vjetore prej 17.8 për qind dhe arritën vlerën prej 46 milionë euro. Si rezultat i rritjes së të hyrave kundrejt rënies së theksuar të shpenzimeve dhe dëmeve të ndodhura, sektori i sigurimeve regjistroi fitim prej 6.4 milionë euro në vitin 2017”, thotë raporti.

Edhe në sektorin e mikrofinancave, në vitin 2017-të u regjistrua një rritje prej 4 milionë euro fitim në raport me vitin paraprak.

“Sektori mikrofinanciar në vitin 2017 shënoi rritje të aktivitetit kredidhënës. Vlera e gjithsej aseteve të IMF-ve arriti në 192.4 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore të theksuar prej 28.6 për qind. Në vitin 2017, sektori mikrofinanciar realizoi profit në vlerë prej 7.4 milionë euro, që përbën një rritje të konsiderueshme vjetore krahasuar me profitin prej 4.0 milionë të realizuar në vitin 2016”, përmend raporti.

Tutje në raportin e BQK-së përmendet edhe përfomanca për fondet pensionale në vitin e kaluar.

Sipas raporti, Fondet pensionale u karakterizuan me një performancë pozitive në vitin 2017.

Vlera e përgjithshme e aseteve të sektorit pensional arriti në 1.65 miliard euro, një rritje e theksuar e aseteve prej 16.0 për qind në vitin 2017 kryesisht si rezultat i rritjes së realizuar nga kontributet e reja dhe rritja e kthimit në investime. Sektori pensional pothuajse e dyfishoi kthimin në investime duke arritur në 103.1 milionë euro në vitin 2017, për dallim nga kthimi prej 65.3 milionë euro në vitin 2016.