'Arratisja' e qeverisë nga debati për monopolin në homologim të veturave

Në një seancë të jashtëzakonshme sot Kuvendi i Kosovës diskutoi mes akuzash por pa rezultat konkret mbi monopolin në homologim të veturave në Kosovë.

Në këtë seancë ishte propozuar që të shfuqizohet Udhëzimi Administrativ i ministrit Pal Lekaj që rrezikon t’ia vazhdojë kontratën për homologimin e automjeteve kompanisë “EuroLab”, por një gjë e tillë dështoi të hidhet në votim për shkak të mungesës së deputetëve në sallë.

Ndonëse ishte një seancë e jashtëzakonshme, aty nuk u pa asnjë ministër i Qeverië së Ramush Haradinajt e as ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj.

Iniciues i seancës së jashtëzakonshme ishte deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Zharku. Ai propozoi që të pajtohen për ndalimin e monopolist në homologimin e veturave në Kosovë.

Propozoi që të shfuqizohet Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Infrastrukturës , brenda dy muajve të hyjë Udhëzimi Administrativ i ri i cili duhet të jetë në përputhje me ligjet dhe rekomandimet e zyrës së BE-së, si dhe ndërmarrjen e masave për ndryshimet e nevojshme legjislative për eliminim të monopoleve”, deklaroi deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku gjatë fjalës në Kuvend.

Zharku tha se në kohën sa me ekzekutivin udhëhiqte partia e tij, monopolin në homologimin e veturave kishin tentuar ta ndalnin.

Lutfi Zharku, LDK

“Marrëveshja e cila ofron ekskluzivitet më autoritet 10 vjeçar, secila qeveri pasuese ia ka bërë të pamundur ndaljen e saj. Qeveria Mustafa kishte marrë vendim që t’i ndërpresë monopolet, dhe i kemi dërguar shkresë zyrtare “EuroLab” në janar të vitit 2016. “EuroLab” ka refuzuar duke thënë se do të dëmtoheshin për shkak të investimit të madh që kanë bërë”, tha tutje ish- ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Mustafa.

Gjatë kësaj seance të jashtëzakonshme foli edhe Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai tha se për monopolin në homologimin e veturave në Kosovë, fajin e kanë të gjithë.

“Më vjen keq që s’kemi përfaqësues të Qeverisë në këtë seancë, sepse ky Udhëzim Administrativ  është i qeverisë. Ne si PDK jemi në favor të konkurrencës dhe kundër monopolove, kjo është edhe për shkak të ideologjisë sonë, si parti e qendrës së djathtë”, tha Krasniqi.

Tutje Krasniqi tha që asnjëherë nuk është marrë ndonjë veprim në këtë drejtim.

“Asnjëherë askush s’ka marrë asnjë vendim për këtë çështje, deri tash kur e kemi një insistim nga ndërkombëtarët.  Ligjin për automjete nuk e kemi në fuqi me direktivat evropiane. Na e kemi raportin e TAEX-it që thotë se ky ligj nuk është përputhje me direktivat e BE-së. Ata kanë kërkuar që me i bë disa ndryshime në ligj’, tha ai.

Memli Krasniqi, PDK

“Udhëzimi Administrativ i ri nuk e pengon liberalizim e tregut, por veç e vështirëson, unë kam kërkuar nga ministri Lekaj që të krijohet hapësira për një konkurrencë pas 10 vitesh. Vendimi i qeverisë kundër  monopoleve, në gusht të 2015. Unë e kam votu bashkë me juve atë vendim. Asnjë masë se kemi ndërmarrë për 2 vjet tjera që kemi qenë në pushtet”, tha deputeti i PDK-së.

Sipas Krasniqit, për gjendjen në homologia ka fajtor.

“S’mundemi me thanë, “Jo, na kanë thanë juristat që s’bon”. Unë ju garantoj që është në Ministri të Infrastrukturës thonë që nuk bën. Fajin e kemi bo bashkë, nëse ka këtu faj, nuk është për me relativizu por qeverinë e keni udhëheqë ju bashkë me PDK-në askush nuk ju ka pengu”, shtoi ai.

Në fjalën e tij, deputeti dhe shefi i Grupit Parlamentar nga Vetëvendosje, Galuk Konjufca ka numëruar institucionet që kishin kundërshtuar monopolin, por sipas tij, ministri aktual i Transportit dhe Infrastrukturës, nuk i kishte marrë parasysh.

“Mendoj që autoriteti më kompetent sa që flasim për këtë çështje është Fakulteti i Inxhierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës. Ata prej vitit 2006 deri në vitin 2018, sic dihet e kanë bërë atë testimin e automjeteve në Kosovë, por është e dhimbshme se si ministri Lekaj në të njëjtën kohë që e ka marrë Udhëzimin Administrativ për vazhdimin e homologimit ndaj kompanisë “Euro-Labi”, në të njëjtën kohë ja ka shkëputë edhe marrëveshjen fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në UP për ta bërë atë testimin e mjeteve në Kosovë”, tha Konjufca gjatë seancës së jashtëzakonshme.

“Kështu që, ministri Lekaj nuk mund të fshihet duke thënë që ne i kemi konsultuar çdo autoritet profesional dhe askush nuk na ka dërguar vrenjtje apo sugjerime. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në UP ka bërë shumë vrenjtje profesionale ndaj UA të Pal Lekaj, prej krejt vërejtjeve, ata konstatojnë se në asnjë nga vërejtjet dhe sugjerimet e tyre nuk është marrë në konsideratë nga ministri Lekaj. P.sh për nenin problematik, që është esenca e monopolit në UA që është neni 7 pika 4 aty ku formulohet faktikisht e zeza e mbi të bardhë, formulimi i monopolit lidhur me shfrytëzimin  mesatar të kapaciteteve prej 85 për qind”, ka thënë tutje ai.

Monopoli, sipas Konjufcës, mund të ndalej sikur ministri Lekaj do t’i merrte parasysh vlerësimet nga fakulteti i Inxhinierisë dhe Mekanikës.

“Fakulteti ia ka kthyer këtë përgjigje që, ky nen nuk është i nevojshëm dhe duhet të hiqet, nuk e lejon konkurrencën e lirë dhe e lejon monopolin në shërbimet e homologimit dhe nuk ofron mundësi për subjektet e reja që të konkurrojnë për homologim. Këtë mendim ia dërgon fakulteti i Inxhinerisë Pal Lekajt dhe ky nuk e përfillë fare. Dhe e formulon në Udhëzim Administrativ monopolin dhe vazhdon tutje. Kjo është e vërteta sesa i respekton Pal Lekaj dhe kjo Qeveri mendimet e autoriteteve kompetente në Kosovë”, ka deklaruar deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca Konjufca.

Sipas tij, në rastin e homologimit kemi dy krime në vite të ndryshme.

Glauk Konjufca, LVV

“Në rastin e homologimit i kemi dy krime të mëdha, krimi parë është i vitit 2008 dhe ai është me Udhëzim Administrativ në të njëjtën mënyrë, atë UA atëherë e ka marrë ministri Fatmir Limaj duke e keqinterpretuar qëllimisht ligjin e atëhershëm për siguri në komunikacion shkon dhe shkruan një udhëzim administrativ duke e pasur në mendje saktësisht një kompani të caktuar të cilën e përgatisin me ja dhënë një fushë prej të cilës ka shumë përfitim siç është procedura e homologimit në Kosovë. Ajo kontratë i kishte 10 vjet afat”, ka thënë Konjufca.

“Krimi i dytë është kur asaj kontrate i është afruar fundi, dhe në vend që të ndërkrehet këtë kontratë, Pal Lekaj shkon dhe e merrë UA i cili ia siguron vazhdimësinë monopolin në homologim kompanisë “Euro-Labi”. Të dy vendimet janë antikushtetues janë në kundërshtim me nenin 119 të Kushtetutës së Kosovës i cili nen thotë se e ndalon monopolin në Kosovë”, ka vazhduar ai.

Përveç Fakultetit të Inxhinierisë, sipas Konjufcës, ka pasur edhe të tjera institucione që e kanë vlerësuar se Udhëzimi Administrativ është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme për konkurrencë në Kosovë.

“Edhe autoritetet tjera kanë dhënë vlerësimin se ky ligj i shkel ligjet tjera, ky Udhëzim Administrativ, për shembull opinioni i Autoritetit të Konkurrencës i cili thotë që ky UA e shkel ligjin e konkurrencës. Prapë nuk dëgjon ministri Lekaj dhe nuk merr vesh. Këto gjana kanë ndodhë në 2 vite e para të pavarësisë edhe homologimi edhe Z-Mobile kanë ndodhë në periudhën e Qeverisë 1”, ka thënë ai.

“Zyra e BE në letrën që e kanë çu te ministri. “EuroLab” bashkë me zyrtaret ë ministrisë e kanë shkruar bashkë këtë UA. Ky është konflikt interesi. Tjetër, ky Nebih Shatri ka deklaru te hyra prej “EuroLabit”. Kjo është vepër penale e madhe e konfliktit të i interesit”, ka thënë në fund të fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca.

Isufi: Pal Lekaj nuk është krijues i monopolit

Bashkëpartiaku i ministrit Pal Lekaj, Ahmet Isufi ka thënë se fajin për monopolin në homologia nuk e ka ministri aktual i Infrastrukturës dhe Transportit.

Pal Lekaj nuk është krijues i kësaj situate, por janë ata që e kanë pasur pushtetin ne këto 10 vite, edhe më së paku kanë të drejtë të flasin ata të cilët kanë ushtruar autoritetin edhe nuk i kanë bo ndryshimet, në vitin 2009 ka filluar homoligimi me të njëjtën kompani dhe në të njëjtën mënyrë” ka thënë shefi i Grupit Parlamenar të AAK-së.

Sipas Isufit e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj gjendje është ndryshimi i  Ligjit për Automjete.

“Në vitin 2017 ne kemi Ligjin për Automjete që i lejon fushë veprimtarinë kësaj kompanie e cila edhe më tutje është në angazhim, merreni nenin 34 edhe shikojeni pra , pse keni leju me ndodh kjo. E vetmja mënyrë për me e ndryshu këtë gjendje është ndryshimi i Ligjit për Automjetet”, tha ai.

Tutje Isufi përmendi edhe disa probleme të tjera në këtë drejtim të cilat ai i konsideroi absurde.

Ahmet Isufi, AAK

“Po ashtu, ne jemi kundër monopolit sepse nuk është mirë që në një shoqëri demokratike të kemi monopol, por duhet ta ndryshojmë ligji. Po ashtu jemi kundër centralizimit, pse duhet vetëm në një qendër të bëhet homologimi kur ka mundësi të hapen disa qendra dhe të mos detyrohen njerëzit të paguajnë plus transporte”, shtoi ai.

Sipas tij edhe në Kuvend ka përfitues të cilët janë të lidhur me këtë kompani.

“Ka përfitues që janë të lidhur me kompaninë, mos u fshiheni, dilni e tregoni, qeveri e ka marrë gjendjen komplet qysh e keni pru ju, Qeveria i propozon ligjet, ama na si Kuvend mundemi me i ndryshu e plotësu. Për 1 javë mundemi më i ba ndryshimet e duhura”, shtoi Ahmet Isufi, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Sherfi: Hapi i parë duhet të jetë kalimi i Ligjit Anti-Monopol

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se monopoli ka ardhur si kontratë për interesa personale e partiake.

“Kjo çështje ka qenë temë diskutimi disa here, por tash është aktualizuar pasi që kemi të bëjmë me ripërtëritjen e një kontrate për të cilën ka pasur një debat jashtëzakonisht të gjerë publik. Dikush e ka quajtur si kontratë që e ka pasur për baze sigurinë në komunikacion, dikush e ka shpallur atë si kontratë për interesa personale e partiake private”, tha ai.

Ai po ashtu tregoi sesi është ardhur deri tek kjo situatë.

Si metodologji e kanë përcjellë rrugën që e kanë zgjedhe në bazë të ligjeve të atëhershme fuqi dhe në bazë të një Udhëzimi Administrativ atëherë është hapur një tender dhe nuk është dhënë si monopol por i është dhënë një  kompanie sepse s’ka pasur tjetër që  ka konkurruar”, tha ai.

Sipas tij me ndryshim të Udhëzimit Administrativ nuk mund të ndryshohet monopoli në Kosovë.

Bilall Sherifi, Nisma Socialdemokrate

“Këtu u tha që si qendra të djathta jemi kundër monopoleve, ndërsa kemi së paku një momopol privat që është KEDS-si pra nëse e zgjidhim këtë çështje përmes një vendimi apo shfuqizimit të Udhëzimit Administrativ ne nuk e kemi zgjidhur çështjen e monopolit “, tha ai

Sherifi sqaroi se çfarë nënkupton homologimi pasi që sipas tij është krijuar paqartësi tek publiku.

“Janë krijuar paqartësi tek publiku, përmes propagandës se homlogimi është kontroll teknik, nuk kemi të bëjmë me kontrolle teknikë. Homologimi nënkupton lejen që një autoritet i caktuar i jep një tipi të veturës në territorin e tij dhe homologim bëhet në të gjitha vendet e BE-së edhe jashtë vendeve të BE-së. Homologimi ka për qëllim të detektoj edhe mashtrimin që bëjnë vet prodhuesit, jo vetëm importuesit dhe transportuesit”, sqaroi Sherifi.

“Ne mendojmë që të kalohet Ligji anti-monopol, bazuar në Kushtetutë,  sepse nuk mundesh me u thirre  në një nen te kushtetutës për një çështje dhe të anashkalosh një çështje tjetër.  Na nuk mundemi veç e veç të merremi, por përmes një ligj të veçantë të i ndalojmë të gjitha monopolet”, theksoi ai.

Pantina: A na duhet homologimi për veturat që hyjnë nga Bashkimi Evropian?

Deputetja nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Shqipa Pantina ka folur në emër të Grup[it Parlamentar të PSD-së në seancën e Kuvendit ku po flitet për monopolin në homologim.

Pantina tha se para se të flitet në seancë për fajin e monopolit, duhet të flitet për zgjidhjen e këtij problemi.

Ajo, tutje tha se po ashtu, diskutimi duhet të bëhet për atë nëse është e nevojshme që të ketë homologim për veturat që hyjnë nga shtetet e bashkimit Evropian.

Pa dashur me u ndal e me pa se kush i ka pasur fajet më shumë e kush më pak, për homologimin. Mendoj që duhet të flasim fillimisht se a është i nevojshëm, pse duhet makinat që vijnë nga Bashkimi Evropian, pse është i nevojshëm si i tillë. Mendoj që kjo duhet të jetë pika e diskutimit”, tha ajo në fjalën e saj në Kuvend.

“Cilat janë përfitimit e konsumatorëve që kalojnë përmes këtij procesi, pra nëse bëhet homologimi. A do të thotë jeta e njerëzve që janë në rrugë është më e sigurt, sa ka ndikuar kjo që të ulen aksidentet me fatalitet. Përveç që është i kushtueshëm, nuk mendoj që procesi i homologimit ka ndikuar shteti dhe qytetarët nga ky proces”, tha tutje Pantina.

Shqipe Pantina, PSD

Tutje, deputetja e PSD-së tha se nuk është dashur të thirret një seancë e jashtëzakonshme për këtë temë.

“Ne jemi kundër monopolit, shteti duhet të vëj rregulla e pastaj të kujdeset që këto rregulla të zbatohen, pra t’i mbikçyr zbatimin e këtyre rregullave. Kjo nuk besoj që ka ndodhur, jo vetëm në këtë procesin e homologimit. Nuk e di ka pasur nevojë të bëhet një seancë e jashtëzakonshme, sepse me sa e dimë tashmë është diskutuar në komisionin për Zhvillim Ekonomik dhe të njëjtat rekomandime i janë dhënë ministrisë atje”, tha në fund ajo.

Sherifi – Konjufcës: Nëse do të kaloje nëpër atë çfarë ka kaluar Famir Limaj do të përfundoje në çmendi

Gjatë seancës së jashtëzakonshme për ndaljen e monopolit të homologimit ka pasur edhe një përplasje ndërmjet deputetit të Vetëvendosjes, Galauk Konjufca dhe atij të Nismës, Bilall Sherrifi.

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të LVV-së, tha se deri më tani vetëm NISMA është deklaruar kundër dhe sipas tij këtë po e bëjnë për ta mbrojtur Fatmir Limajn.

“Në këtë seancë kryesisht është folur me argumente, të thuash që mënyra sesi i është dhënë Devollëve homologimi nuk është monopol, kjo e redukton këtë seancë në ata të cilët u panë qartë që janë kundër këtij manipulimi edhe një grupi të cilët do ti kisha quajtur apologjetët e Fatmir Limaj-të, pra vetëm dy grupe i pash sot në parlamentin e Kosovës, bile edhe PDK është që të ndryshohet kjo punë”, tha Konjuvca.

Ai deputetët e NISMA-së i ‘konsideroi’ oda e avokatëve të Limajt, duke shtuar se ata janë të frikësuar se mos ndoshta prokuroria hap hetime për monopolin e homologimit.

“I vetmi grup që ka mbetur oda e avokatëve të Famir Limajt po e vazhdojnë të njëjtin avazë në këtë seancë, unë mendoj që sa i përket homologimit këtu është krijuar një shumicë kritike dhe unë e përshëndes që kësaj ti jepet fund. Është krijuar një grup që e mbështetë Famir Limaj, janë të frikësuar se nëse vërtetohet që kjo ka qenë monopol prokuroria duhet me nis hetim, këta frikësohen që nëse shkon puna deri aty e humbin idolin e tyre të cili po e mbrojnë”, tha ai.

Ndaj këtyre deklaratave të Konjufcës, reagoi shefi i grupit parlamentar të NISMA-s, Bilall Sherifi i cili deputetin Konjufca e quajti shpifës dhe propagandues.

“Glauku vazhdon  me logjikën e propaganduesit, tash ja shtoi vetës edhe shpifësin sepse nuk merr për baze atë që e thash unë, pra unë flas në emër të NISMA-s dhe jo Glauku, unë thash që e mbështesim, heqjen e kësaj mënyre të dhënies së kontratës”, tha ai.

Ndërsa duke iu referuar ‘frikës’, Sherifi tha që nëse Konjufca do të kalonte nëpër procesin gjyqësorë që ka kaluar Fatmir Limaj ai do të përfundonte në çmendinë.

Sa i përket frikës nga prokuroria ti veç ëndërr me pas kapërcye nëpër ato procese shpifëse tash ishe kon ne çmendin se çaç e ke pikën e shkrirjes ti. Ai i ka fituar të gjitha betejat me ligj, rrini bre korrekt se nëse vazhdoni me këtë logjik në karriget e mesit nuk ka me ju ra mu ul kurrë ose majtas ose djathtas”, theksoi ai.

Vjosa Osmani: Problemi i vetëm për ndaljen e monopolit ka qenë dhe mbetet vullneti politik

Deputetja nga LDK-ja, Vjosa Osmani-Sadriu, tha që në vitin 2008 është nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe jo marrëveshje siç po thuhet.

“Në vitin 2008 nuk ka ndodhur kontrata, është një marrëveshje mirëkuptimi, e cila dallon nga kontrata dhe si e tillë duhet të trajtohet. Ajo marrëveshje mirëkuptimi dhe udhëzimet administrative që kanë pasur për ta mbajtë atë në fuqi, përfshirë edhe këtë të fundit të ministrit Lekaj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës por edhe në kundërshtim me ligjet”, tha ajo.

Duke përmendur ligjet në fuqi, deputetja Osmani tha që të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës e përjashtojnë monopolin.

“Gjuha e secilit ligj që është në fuqi e përjashton monopolin, përfshirë edhe ligjin për automjete, por ta zëmë vërtetë ky qenka problemi, asnjë problem dhe asnjë hezitim sot Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka që sot ti qesim nënshkrimet në ndryshimet që ju po i kërkoni për ligjin, nuk është që lejohet një gjë e tillë sepse e ndalon kushtetuta’, tha ajo.

Sipas saj Udhëzimin Administrativ i ministrit Lekaj bie në kundërshtim me vlerat evropiane.

Vjosa Osmani, LDK

“Ky udhëzim administrativ që po tentohet të mbahet në fuqi, sot lëre që bie në kundërshtim me aktet juridike që ne i kemi miratuar por edhe po tregon që ai orientimi strategjik për të cilin e kanë gojën plotë secili që vinë këtu, pra orientimi proevropian nuk qenka aq serioz sepse me pas qenë nuk kish leju Republika e Kosovës me konsideru Kushtetutën si letër të pavlerë”, shtoi ajo.

Osmani propozoi që nëse deputetët me të vërtetë duan të ndryshojnë ligjin për automjetet ta bëjnë këtë në afatim dy javorë, duke shtuar që ky nuk është problem i ligjeve por i vullnetit politikë.

Diskutimi për çështjen e monopolit në homologim po vjen rreth një vit pasi Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’, kishte realizuar hulumtim për këtë temë.

Ministria e Infrastrukturës është kujdesur që të trashë edhe më shumë monopolin e homologimit. Për 10 vjet, e njëjta ministria ia kishte garantuar monopolin në homologim të veturave kompanisë EuroLab, duke ia caktuar edhe shumë që qytetarët do të obligohen që ta paguajnë për homologim.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se kjo praktik mund të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi Ministria e Infrastrukturës e ka hartuar një Udhëzim Administrativ përmes të cilit e vështirëson hapjen e tregut për këtë Homologim. Përveç kësaj, Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar pa procedurat konkurruese të njëjtën kompani, EuroLab për të kryer edhe “A-testimin” e veturave, që tash do të quhet homologim individual. Deri më tani “A-testimi” është bërë nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.

Trashja e monopolit në homologim

www.kallxo.com