Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës

Banorët e “Lakrishtës” u rebeluan më 4 tetor kur në lagjen e tyre me shpejtësi dhe pa debat publik e panë të rrënohet një objekt me material asbesti, i cili vlerësohet të jetë kancerogjen. Por, kjo nuk duket të jetë e vetmja gjë e kalbur në historinë e rrënimit dhe ndërtimit të kompleksit të ri banesor që planifikohet të bëhet aty nga Ndërmarrja Publike Banesore, NPB, e Komunës së Prishtinës.

Historia për të ndërtuar diçka të re në këtë pjese profitabile të Prishtinës nis me aksionarët e NPB-së, të cilët në fund të vitit të kaluar e ndërruan statutin e NPB-së dhe bënë rregullore të re, për t’i hapur rrugë këtij investimi. Pas ekspozimit të shkeljeve të bëra në këtë projekt dhe pezullimit të punës nga Ministria e Mjedisit, bordi i NPB-së mori vendim për të shkarkuar Hajdar Hoxhën, drejtorin e NPB-së. 

Por, vendimi për shkarkim të kryeshefit nuk arriti të protokolohej për tri ditë. Kjo kohë u shfrytëzua nga aksionarët e NPB-së, Dren Kukaj, drejtor i mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës dhe Genc Sherifi, asamblisti i PSD-së, që të shkarkojnë bordin, duke e lënë në punë kryeshefin që të shtyjë përpara projektin ndërtimor, të cilin Ministria e Mjedisit e quan joligjor. Dy aksionarët e ndërmarrjes, të dy të lidhur me ish-partinë e Shpend Ahmetit, i kanë zëvendësuar katër anëtarët e shkarkuar të bordit me katër persona të tjerë, pa kurrfarë konkursi publik. 

Krejt kjo ndodhi disa muaj para se Shpend Ahmeti, kryetari i Komunës, të dorëzojë mandatin si kryetar dhe të mos kthehet më pasi që nuk kandidon për mandat të ri. Hapja e udhës për këtë investim të kontestuar në tokën profitabile në qendër të Prishtinës në fund të mandadit të tij, ka hapur debat për parregullsi të shumta që kanë filluar të hetohen nga Policia e Kosovës.

Ky projekt është një prej investimeve më të mëdha ndërtimore që janë bërë në komunën e Prishtinës nga një investitor privat, i cili pritet të ketë një vlerë prej 120 milionë euro. 

Kufizimi i konkurrencës 

Drilon Buzuku më 9 mars 2021 e kishte regjistruar biznesin ‘Made Group Construction’, në të cilin ishte pronar. Regjistrimi i biznesit ishte bërë në të njëjtën ditë që Ndërmarrja Publike Banesore kishte vendosur që të hapte një shpallje për shprehjen e interesit për këtë projekt që kap vlerën 120 milionë euro.

Të gjitha bizneset e interesuara kishin vetëm tri ditë kohë të hyjnë në garë për këtë projekt që parasheh ndërtimin e objekteve afariste e banesore në një prej zonave më të shtrenjta të Prishtinës, në “Lakrishtë”. 

Shpallja e publikuar në ueb-faqen e Ndërmarrjes Publike Banesore u kishte dhënë mundësi bizneseve që të aplikojnë nga data 10 deri më datë 12 mars, prej orës 9:00 deri në ora 15:00. 

Nga data 9 deri më 12 mars, Buzuku përveç regjistrimit të biznesit kishte arritur të bënte konsorcium me dy kompani të tjera dhe të aplikonte për hyrë në garë për projektin e Ndërmarrjes Publike, që është në pronësi të Komunës së Prishtinës, e qeverisur nga Shpend Ahmeti. 

Kryeshefi i NPB-së, Hajdar Hoxhaj, thotë se personalisht si kryeshef ai vetë e kishte bërë caktimin e afatit të shkurtë prej 3 ditësh që kompanitë të garojnë në shpalljen e interesit.

“Rregullorja nuk e përcakton as publikimin, e as afatin. Unë i kam bërë të dyjat. Meqenëse je te afati, shpallja është bërë për tre ditë, me mundësi vazhdimi”, ka thënë Hoxhaj.

Por, rregullorja që ai iu ka referuar është hartuar dhe miratuar nga bordi i Ndërmarrjes Publike Banesore shumë rishtazi, më 7 dhjetor 2020. Bordi emërohet nga aksionarët e Ndërmarrjes që janë asamblistë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, njëri prej të cilëve kishte dalë në konferencë për prezantim të projektit.

Për këtë projekt kanë shprehur interes vetëm 7 kompani, përkundër faktit që aktualisht në Prishtinë janë duke ndërtuar shumë kompani të mëdha.

Kryeshefi Hajdar Hoxhaj thotë se nuk e ka vazhduar afatin edhe pse, sipas tij, ka qenë në diskrecion të tij nëse duhet të vazhdohet afati apo jo.

“Brenda këtij afati kanë aplikuar 7 vetë, që për ne kemi vlerësuar që ka qenë e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e garës, sepse Rregullorja e kërkon 3 vetë të jenë minimum dhe ne e kemi vazhduar më pas këtë projekt”, thotë Hoxhaj.

Nga këta 7 operatorë që kanë shprehur interesim, në fund vetëm 3 prej tyre kishin ofertuar, pra kanë ofertuar minimumi i kompanive që lejohet me Rregulloren e NPB-së.

Në bazë të procesverbalit të hapjes së ofertave financiare, kompania “Joos & Krasniqi” kishte aplikuar me një ofertë që 35% të objekteve të ndërtuara t’i mbesin NPB-së. Kompania “Pe-vla-ku” kishte aplikuar që 36% të hapësirës së objektit që mund të shfrytëzohet t’i takonte NPB-së. Në procesverbalin e hapjes së ofertave për këto dy kompani nuk ceket se çfarë hapësira, afariste apo banesore, do t’i takojnë NPB-së.

Ndërsa “Made Group Construction” si lider i grupit të operatorëve ekonomikë kishte aplikuar me dy oferta. Te përqindja totale e objektit që do t’i takonte NPB-së ata kanë ofertuar me 38%, ndërsa kanë dhënë edhe një ofertë tjetër duke i ofruar 36% të hapësirës afariste NPB-së.

Në fund, “Made Group Construction” si grup i operatorëve ekonomikë bashkë me “Madekos” dhe “Arkos” fituan projektin.

Lideri i konsorciumit “Made Group Construction” është regjistruar si biznes në ARBK më 9 mars 2021,  me pronar Drilon Buzuku, pra në ditën që është marrë vendimi në NPB.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Drilon Buzuku ka thënë se kompania është regjistruar që të shërbejë si lidere e grupit. Sipas tij, “Made Group Construction” do të bartë përgjegjësitë me NPB, nënkontraktorët, dhe do të bëjë shitjen e banesave.

“Pra, në këtë dhe cilindo projekt të ndërtimit ku kompanitë në këtë konsorcium do të investojnë në kontrata të bashkinvestimit ‘Made Group Construction’ do të shërbejë si adresë kryesore dhe bartëse e këtyre projekteve. Pra ky është një vendim biznesor për çështje praktike”, ka thënë Buzuku.

Në konsorcium me “Made Group Construction” të Drilon Buzukut është një kompani tjetër “Madekos”, me pronar Bedri Buzuku. Kjo kompani është e njohur për tenderët e fituar nga institucionet publike në kohë të pandemisë, kryesisht për furnizim me materiale për mbrojtje nga COVID-19. Në ueb-faqen “Prokurimi i Hapur” thuhet se “Madekos” për katër vjet (2018-2021) ka fituar 147 kontrata nga institucionet publike në vlerë 9.6 milionë euro.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Bedri Buzuku ka thënë se si kompani ekzistojnë që nga viti 2009, por që në ARBK ka pasur gjenerim të të dhënave në vitin 2021 pasi kanë kaluar në Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara.

Bedri Buzuku, pronar i kompanisë “Madekos” është babai i Drilon Buzukut, pronari i kompanisë “Made Group Construction”. Përveç tyre në konsorciumin fitues është edhe kompania “Arkos”, me pronar Avdi Mazreku dhe Visar Tahiri, që është e regjistruar në ARBK më 18 dhjetor 2009.

Kriteret e përshtatshmërisë dhe ato financiare nuk janë bërë publike. NPB-ja në një prej njoftimeve i kishte ftuar bizneset në takim për t’u pajisur me dosjen e thirrjes, duke përfshirë planin ideor.

Kryeshefi i NPB-së, Hajdar Hoxhaj, thotë se të gjitha bizneset së bashku, pra konsorciumi i shpallur fitues, i ka plotësuar të gjitha kërkesat që kanë qenë në thirrje. Por, KALLXO nuk ka mundur ta vërtetojë këtë deklarim të Hoxhajt, pasi NPB deri në publikim të këtij artikulli nuk i ka dhënë qasje në kriteret e thirrjes.

“Ne e kemi pasur një kriter, ku është kërku qarkullim milionësh. Sigurisht, një kompani që regjistrohet një ditë, dy, tri nuk mund të ketë qarkullim milionësh për kaq pak kohë. Mirëpo konsorciumi, kur kompanitë kërkojnë me u bo bashkë, për neve është një organizatë që po aplikon dhe që po i përgjigjet kërkesave tona. Me rëndësi është që kriteri i qarkullimit ekonomik, që është kërku me Raport të Auditorit, me dorëzim të pasqyrave financiare të ATK-së dhe kriteri teknik që duhet të ketë ndërtim ose referenca të ndërtimit, janë plotësu 100% nga grupi”, ka thënë Hoxhaj.

Duke marrë parasysh vlerën e investimit, fakti që NPB hap shpallje të interesit që zgjat vetëm 3 ditë dhe në fund shpallet fituese një kompani komplet e re, që është regjistruar vetëm 1 ditë para aplikimit, ka ngritur dyshimin që shpallja për këtë projekt ka qenë e kurdisur pasi janë favorizuar bizneset që mund të kenë pasur informacione paraprake. 

Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar këtë projekt, duke ngritur disa prej shkeljeve të pretenduara përmes konferencave. Përmes një konference për media më 22 tetor, asamblisti i kësaj partie, Egzon Azemi, u bëri thirrje LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë, ta ndihmojnë Vetëvendosjen për këtë pikë pasi, siç tha ai, është iniciativë qytetare e jo partiake.

Egzon Azemi i Vetëvendosjes thotë se rastin e kanë dërguar edhe në Polici.

“Rastin e kemi denoncuar në Polici dhe në institucione të tjera relevante. Duke marrë parasysh afatin e shkurtër që i është dhënë bizneseve për të hyrë në garë për këtë tender, ka qenë sinjal se projekti është i kurdisur dhe kjo ka qenë pikënisja e gjithë dyshimit tonë për këtë projekt”, ka thënë Azemi për KALLXO.com. 

Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së në Kuvendin e Prishtinës, tha për KALLXO se fakti që një kompani që e fiton këtë investim është regjistruar një ditë përpara se të hapet shpallja e interesit tregon se diçka nuk është në rregull me gjithë këtë projekt.

Ai thotë se NPB nuk e kishte paraqitur idenë e këtij projekti në raportin e fundit që kishte bërë para Kuvendit Komunal të Prishtinës kur e kanë prezantuar raportin vjetor.

“Komisioni Komunal i Aksionareve në Ndërrmarrjen Publike Banesore, të fundit herë para Kuvendit Komunal të Prishtines kanë prezantuar Raportin Vjetor të punës së ndërrmarrjes në vitin 2019! Në atë nuk na është prezantuar se ka ndonjë plan për dhënien e pronës së ndërrmarrjes në partneritet publiko-privat për ndertim”, ka thënë ai, duke shtuar se jo të gjitha ndërmarrjet kanë raportuar para Kuvendit siç kërkohet me ligj. 

Asamblisti i PDK-së thotë se kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, kishte deklaruar se Krimet Ekonomike kanë nisur të hetojnë se a janë bërë shkelje me këtë kontratë apo jo. 

KALLXO.com ka kontaktuar me disa kompani ndërtimore, ndër më të mëdhat që operojnë në biznesin e ndërtimeve në Prishtinë. Pronari i kompanisë së ndërtimeve “Cima Constructions”, Arsim Kabashi, ka thënë se nuk ka qenë i informuar për thirrjen dhe projektin. 

“Nuk e di as për cilin projekt po pyesni, nuk kemi njohuri as nuk kemi qenë të njoftuar. Ndoshta kishim apliku, varësisht prej kritereve dhe përqindjes”, ka thënë ai.

Edhe kompania tjetër që merret me ndërtime të larta “Driloni Com” thotë se nuk kanë qenë të informuar për thirrjen e NPB-së.

“Jo, nuk kemi qenë në dijeni, e di që ka fillu njëfarë projekti por nuk kemi pasur njohuri as kur është bërë thirrja as kur është hapur aplikimi. Nuk e di a ka pasur njoftim publik për këtë. Ta kishim ditë, normalisht ishim interesu”, ka thënë pronari i kësaj kompanie, Dalip Gashi .

Ndarja e hises

Kompanitë që i kanë plotësuar kriteret kanë ofertuar vetëm me përqindjen që do t’ia ofrojnë Ndërmarrjes Publike Banesore.

Por, detajet e ndarjes së hisesë janë dhënë në marrëveshjen e nënshkruar në mes të NPB-së dhe liderit të konsorciumit – “Made Group Construction”.

“NPB-së do t’i takojë 36% nga e gjitha hapësira neto brenda projektit të ndërtimit ashtu siç janë paraparë në kushtet e ndërtimit, ku kjo përqindje do të jetë vetëm nga hapësirat komerciale. Kurse, 64% e hapësirës neto i takon bashkinvestitorit”, thuhet në nenin 9 të kontratës së nënshkruar.

Tutje në këtë nen është cekur se në cilat kulla do të ketë hise NPB-ja. 

“NPB do të marrë hapësirat në dy kulla në veri-perëndim të cilat janë të përshkruara në ofertën e bashkinvestitorit dorëzuar në NPB”, thuhet tutje në kontratën e nënshkruar në mes të palëve, e cila është e noterizuar.

Hoxhaj ka dhënë detaje rreth marrëveshjes për ndarjen e hisesë në projektin për ndërtimin e pesë kullave, të cilat do të jenë të ndara: 50% banim dhe 50% të objekteve do të jenë të destinuara për afarizëm. 

Hoxhaj ka thënë se NPB-ja do të marrë 36% të gjithë hapësirës së ndërtuar, por ai ka sqaruar se NPB-ja do të marrë hise vetëm te pjesa e objekteve për afarizëm. 

Sipas tij, kompanitë private do të marrin gjithë hapësirën banesore apo 50% të objekteve. Përveç kësaj, kompanitë private do të marrin edhe 14% të hapësirave afariste. Kurse, Ndërmarrja Publike Banesore do të marrë 36% të hapësirës afariste. 

Shprehur në numra, nëse një objekt do të ketë 1 mijë metra katrorë, prej të cilave 500 m2 banim dhe 500 m2 afarizëm, atëherë kompanisë private do t’i takojnë 500 m2 banim dhe 140 m2 afarizëm. Kurse, nga 1,000 metra katrorë të këtij objekti, NPB-së do t’i takojnë 360 metra katrorë afarizëm.

Hoxhaj ka thënë se kanë vendosur për këtë formulë marrë parasysh që vlera e lokaleve afariste ka vlerë më të madhe se banimi.

“Meqë ne kemi 36% afarizëm të gjithsej të ndërtimit, kjo i bie që kemi 72% të ndërtimit të afarizmit… Kur e shndërrojmë këtë në vlerë monetare, i bie mbi 50% të vlerës së projektit”, thotë tutje ai.

Ai thotë se sipas një vlerësimi të projektit nga një vlerësues i licencuar, vlera e gjithë projektit del të jetë mbi 118 milionë euro. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, projekti  duhet të përfundojë 36 muaj pas marrjes së lejës ndërtimore dhe lirimin e gjithë hapësirave nga ana e NPB-së.

 

Palët janë pajtuar që në rast të shkëputjes së njëanshme të marrëveshjes nga ana e NPB-së, jashtë situatave të parapara në marrëveshje, atëherë NPB-ja duhet t’i paguajë të gjithë vlerën e mjeteve të investuara në projekt, deri në momentin e shkëputjes së marrëveshjes.

Ndërsa, në anën tjetër, palët janë pajtuar që në rast të shkëputjes së njëanshme të “Made Group Construction” jashtë situatave të parapara në marrëveshje, kompanisë do t’i konfiskohet garancioni bankar në shumën prej 3 milionë eurove. 

Privatizim apo dhënie në shfrytëzim

Kontrata është e bazuar në një Rregullore të brendshme të NPB-së, e cila është miratuar më 7 dhjetor 2020, Rregullore që dyshohet të është bërë enkas për të aranzhuar këtë investim.  

Ndryshimet në NPB kanë shkuar deri në atë masë sa që, pasi që është aprovuar rregullorja, është ndryshuar edhe statuti i NPB-së një muaj pas, pra në janar të vitit 2021. 

Prona e NPB-së që do të shfrytëzohet për ndërtimin e objektit e ka vlerën 20 milionë e 512 mijë euro, sipas kontratës së nënshkruar në mes palëve. Por, një nen i kësaj kontrate ka ngritur dyshime. 

“NPB pronën e paluajtshme të përshkruar në këtë Marrëveshje nuk ka të drejtë ta tjetërsojë, ta shes, ta këmbejë, por të njejtën pronë të paluajtshme duhet ta jap në tërësi në shfrytëzim të përhershëm, me qëllim të objektit banesor-afarist”, thuhet në nenin 4.2 të kontratës.

Pikërisht në këtë nen është thirrur ministri Liburn Aliu në konferencën për media të mbajtur më 12 tetor, kur e ka kundështuar këtë projekt dhe e ka thirrur prokurorinë ta hetojë gjithë procesin.

Aliu ka thënë se ka kërkuar nga avokatura shtetërore anulimin e aktit noterial të realizuar më 17 maj të vitit 2021 në të cilin akt figuron si palë e Ndërmarrjes Publike Banesore dhe kompania private “Made Group Construction”.

“I jam drejtuar avokatit shtetëror duke kërkuar anulimin e aktit noterial”, tha ai. 

Ai thotë se ajo çfarë ka bërë NPB-ja quhet privatizim.

“Te ky projekt që planifikohet të ndërtohet, bashkëpronar privat do të jenë 64% të sipërfaqes, që i bie 64% e sipërfaqes tokësore bëhet pronë private ë..] e kjo i bie të quhet privatizim”, tha Aliu.

Kryeshefi e ka mohuar se ka privatizim të tokës. Ai ka pretenduar se sipas kontratës së nënshkruar, toka mbetet në pronësi të Ndërmarrjes.

“Përkundrazi, toka asnjëherë nuk i jepet bashkinvestitorit, ajo gjithmonë i mbetet NPB-së dhe kjo është e rregulluar me Rregullore. Në kadastër, toka gjithmonë do t’i mbetet NPB-së ndërsa pjesa që ndërtohet mbi tokë ajo jepet në shfrytëzim të përhershëm”, ka shtuar ai.

Ndërsa në nenin 13.2 të aktit notarial thuhet se “toka që është pronë e NPB-së para fillimit të ndërtimit ngel pronë e NPB edhe pas përfundimit të punëve”.

Edhe Drilon Buzuku nga kompania “Made Group Construction” thotë se kompania e tij do të bëjë shitjen e banesave pa të drejtë pronësie në tokën e Ndërmarrjes.

“Pronarët do të bëjnë banesat por pa përfituar në pronësinë e tokës e cila mbetet pronë e NPB-së. Nëse i referohemi nenit 10 të Ligjit mbi pronësinë, (Paluajtshmëria) aty është e sqaruar se si një paluajtshmëri mund të jetë e ndarë nga toka mbi të cilën është ndërtuar”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Pezullimi i projektit 

Gjatë punimeve në sipërfaqen ku do të ndërtohen objektet doli një problem. Gjatë rrënimit të disa objekteve të vjetra në parcelën ku do të bëhet ndërtesa doli se objektet kishin materiale me përmbajtje të asbestit, që janë kancerogjene. 

Banorët e zonës u ankuan, mësimi në shkollën aty afër u pezullua, ndërsa inspektorët e Komunës dhe të Ministrisë së Ambientit dolën në terren. Më pas, më 6 tetor, Ministria e Ambientit vendosi që punimet të pezullohen. 

Por, problemi me asbestin nxiti edhe Ministrinë e Ambientit të merret me projektin. 

Ministri Liburn Aliu tha se lejen e ndërtimit për këtë objekt e ka vetëm NPB-ja, ndërsa sipas tij, është dashur të jetë edhe kompania private. Ministri gjithashtu tha se në bazë planit të rrënimit, që është lëshuar leja e rrënimit, nuk përmenden askund mbetjet e asbestit dhe sipas tij, në këtë rast është mashtruar Drejtoria e Urbanizmit. 

Liburn Aliu po ashtu në konferencë për media tha se leja mjedisore është lëshuar në bazë të një vlerësimi mjedisor i cili nuk përmban as nënshkrim dhe as autor.

KALLXO.com ka kërkuar nga Ndërmarrja Publike Banesore këtë vlerësim mjedisor, por deri në publikimin e këtij shkrimi NPB-ja nuk ka kthyer përgjigje.

Tutje, Aliu ka pretenduar se Rregullorja në të cilën bazohet projekti është e bazuar në statutin e Ndërmarrjes, sipas të cilit, është miratuar disa ditë pas miratimit të Rregullores.

Liburn Aliu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës
Liburn Aliu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

Në të njejtën ditë, kryeshefi Hajdar Hoxhaj mbajti konferencë për media, në të cilën tha se te leja ndërtimore, në dosjen e ofertave, kur është bërë shpallja, leja është marrë nga vetë NPB-ja, sepse sipas tij, NPB-ja do ta menaxhojë dhe kontrollojë vetë projektin. Por në fund, përgjegjës për kualitetin e ndërtimeve e pranimet teknike është organi juridik që e ndërton ndërtesën e jo ai që e menaxhon ndërtimin e ndërtesës. 

Në lidhje me përmbajtjen e asbestit në objektet e vjetra, Hoxhaj tha se nuk e përjashton faktin se e kanë ditur që ka mbetje të asbestit në objektet e vjetra.

Ndërsa në pyetjet e KALLXO.com në lidhje me lejen mjedisore, planin dhe lejen e rrënimit, Hoxhaj nuk është përgjigjur, duke thënë se pyetjet të shtrohen me shkrim “se janë pyetje teknike dhe nuk i di në detaje”. 

Kurse në një përgjigje me shkrim NPB-ja ka thënë se në objektet që kanë pasur materiale të asbestit, në dokumentet për leje të rrënimit, nuk është kërkuar ndonjë dokument shtesë dhe rrjedhimisht në dokumente NPB-ja nuk ka treguar se aty ka pasur asbest.

“Sa i përket cekjes në kërkesën tonë të lejes së rrënimit, se ato objekte kanë pasur materiale të cilat kanë përbërje të asbestit, ju njoftojmë që në dosjen e përgatitur dhe të dorëzuar për të marrë lejen e rrënimit nuk është kërkuar ndonjë dokument shtesë i cili ka të bëjë posaçërisht me përmbajtjet dhe llojllojshmërinë e materialeve të objekteve të cilat planifikoheshin të rrënoheshin”, thuhet në përgjigjen me shkrim të NPB-së.

“Shkarkimi” i kryshefit 

Pas pezullimit të projektit nga Ministria e Mjedisit kishte zhvillime të reja në Ndërmarrjen Publike Banesore. Bordi i NPB-së, i përbërë nga Lendita Mekuli Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva, më 15 tetor, me vota unanime kishte vendosur për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhaj.

Arsyet e shkarkimit të kryeshefit, sipas bordit, ishin neglizhenca për përcjelljen dhe zbatimin e projektit në “Lakrishtë” në përputhje me rregulloret, mosgatishmëria e tij për bashkëpunim, llogaridhënie, informim dhe transparencë ndaj bordit të drejtorëve si dhe mosrespektimi i sugjerimeve dhe kërkesave të drejtuara nga bordi, me qëllim parandalimin e çfarëdo dëmi potencial që mund të rrezikojë Ndërmarrjen.

Sipas bordit të drejtorëve, më 15 tetor kur është marrë vendimi, sekretari dhe personat përgjegjës për protokollim ishin në një takim pune jashtë Prishtinës, e për këtë arsye protokollimi i vendimit është shtyrë për datën 18 tetor.

Ndërsa më 18 tetor, bordi prapë nuk ka arritur ta protokollojë vendimin për shkarkimin e kryeshefit, pasi, sipas tyre, kjo nuk i është lejuar nga kryeshefi dhe vartësja e tij, e cila sipas tyre, e ka mbajtur vulën e protokollimit në mënyrë të paligjshme.

Por, një zhvillim tjetër kishte ndodhur gjatë kohës kur bordi po tentonte protokollimin e vendimit të shkarkimit të kryeshefit.

“Ditën e hënë, me datën 18 tetor 2021, kur kryesuesja e Bordit ka shkuar që ta bëjë protokollimin e vendimit që nuk iu lejua, si këmbim iu dha një vendim në formë fizike për shkarkimin e dy nga katër anëtarët e Bordit të Drejtorëve”, thuhet në një përgjigje të bordit për KALLXO.com.

Ishin shkarkuar anëtarët e bordit Bekim Pireva dhe Arbnora Jashanica, të dy të zgjedhur përmes konkursit që ishte zhvilluar në bashkëpunim me BDO-në, kompaninë e angazhuar nga Ambasada britanike për t’i asistuar institucionet në rekrutim të pozitave të larta drejtuese.

“Komisioni Komunal i Aksionarëve në mbledhjen e saj të mbajtur me datë 18 tetor 2021 ka analizuar dhe shqyrtuar punën e Bordit të Drejtorëve të NPB-së, përkatësisht të anëtarëve Bekim Pireva dhe Arbnora Jashanica, me ç’rast ka vlerësuar se të njëjtit gjatë kryerjes së detyrave në bazë të Ligjit, kanë shkelur detyrat e tyre fiduciare”, thuhet në vendimin e bordit të aksionarëve.

Bordi thotë se vendimi në fjalë është i papranueshëm, sepse, sipas tyre, është vazhdim i presionit të vazhdueshëm të aksionarëve me qëllim që të pengohet puna e bordit për të vendosur ligjshmërinë në NPB.

Hajdar Hoxhaj, kryeshef i NPB-së dhe Dren Kukaj, drejtor i mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës

Në anën tjetër, në një përgjigje për KALLXO.com, NPB-ja ka thënë se vendimi i bordit nuk është protokolluar pasi paraprakisht komisioni i aksionarëve i ka shkarkuar dy anëtarë të bordit.

“Në ora 08:00 të datës 18 tetor Komisioni Komunal i Aksionarëve ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën janë shkarkuar 2 anëtarë të  Bordit të Drejtorëve, Arbnora Jashanica dhe Bekim Pireva. Ndërsa rreth orës 10:30, në të njëjtën datë, në zyrat e Ndërmarrjes  është paraqitur Bordi i Drejtorëve për të protokoluar vendimin për  shkarkim të KE, por meqë pas vendimit të Komisionit Komunal të Aksionarëve tashmë Bordi i Drejtorëve nuk ka qenë funksional,vendimi i tyre që është sjellur në Ndërmarrje është nul dhe nuk prodhon efekt juridik”, thuhet në përgjigjen me shkrim të NPB-së.

NPB-ja, po ashtu, ka hedhur poshtë pretendimet e bordit për neglizhencë të kryeshefit rreth projektit në fjalë.

“Bordi i Drejtorëve kanë qenë iniciatorë dhe pjesë e vazhdueshme e  procesit të punës për realizimin e projektit për ndërtimin e projektit  në Lagjen Lakrishtë, prandaj të njëjtit përveç që kanë qenë pjesë e procesit kanë qenë vazhdimisht të njoftuar me këtë proces dhe pengesat  e hasura, prandaj pretendimet se Kryeshefi ka qenë neglizhent për  përcjellje dhe zbatim të projektit në Lakrishtë në përputhje me rregulloret dhe ligjet ne fuqi është totalisht i pasaktë”.

KALLXO.com të mërkurën, më 20 tetor, ka kontaktuar anëtarin e bordit të aksionarëve të NPB-së, Dren Kukaj, për t’u deklaruar në lidhje me shkarkimin e dy anëtarëve të bordit të drejtorëve. Kukaj ka thënë se deri në javën e ardhshme nuk mund të deklarohet pasi, sipas tij, nuk është në punë. Por, Kukaj nuk është përgjigjur as javën pasuese, siç kishte premtuar.

Më 25 tetor, bordi i aksionarëve ka shkarkuar edhe dy anëtarët e tjerë të bordit të drejtorëve, Lendita Myderizi dhe Xhevdet Leci. 

Në po të njejtën ditë, aksionarët kanë emëruar bordin e ri të drejtorëve, pa kurrfarë procedure të rekrutimit apo të konkursit.

Anëtarët e rinj të bordit të drejtorëve të NPB-së janë Arbër Blakaj, Alban Ramosaj, Driton Tahirukaj dhe Luftar Braha. 

Egzon Azemi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka thënë se Shpend Ahmeti e ka emëruar tezakun e Përparim Ramës në bordin e Ndërmarrjes Publike duke e shpërndarë foton e Luftar Brahës. 

KALLXO.com ka kontaktuar me Brahën për të konfirmuar lidhjen e tij me kandidatin e LDK-së, Përparim Rama. Braha e ka konfirmuar lidhjen familjare me Ramën por ka thënë se nuk janë tezakë. 

“Nënën e Përparimit (Rames) e kam vajzë të dajës, por që ajo është rritë me nënën time, sepse janë moshatare, e nuk e ndajë prej tezës. Me Përparimin jemi rritë bashkë, deri sa ai ka shku në Angli. Nuk ma ka mësu punën as Përparimi e as gazetat”, ka thënë Braha përmes telefonit.

Përkundër afërsisë familjare, Braha thotë se nuk ka ndikuar kandidati i LDK-së që ai të përzgjidhet anëtar i bordit.

“Jo, absolutisht nuk ka ndikim të Përparim Ramës në emërimin tim. Unë e kam CV-në time dhe nuk domethënë që Rama ka ndiku. Nuk e kuptoj pse po doni me më lidh politikisht me një parti që unë nuk kam lidhje fare”, ka pretenduar Braha, ndër të tjera, përmes telefonit.

Në emërimin e bordit të ri nuk kishte proces të konkursit dhe procedura të tjera të rekrutimit, për dallim nga bordi i kaluar, i cili ishte emëruar pas një konkursi publik dhe procedura të rekrutimit të monitoruar nga Ambasada britanike. 

I pyetur nga KALLXO.com se si është përzgjedhur, Braha ka thënë se thjesht aksionarët i kanë dërguar propozimin dhe ky e ka pranuar.

“Unë nuk i njoh asnjërin nga aksionarët e Ndërmarrjes. Ata, përmes shoqërisë dhe rrethit ma kanë dërgu propozimin për emërimin dhe unë e kam pranuar. Një shok i imi i cili as nuk është fytyrë publike e as politike, ma ka transmetu propozimin e aksionarëve”, ka thënë Braha, duke mos pranuar të tregojë për cilin shok bëhet fjalë përkundër insistimit të KALLXO.com.

Momentalisht projekti është i pezulluar me vendimin e Ministrisë së Ambientit, e cila i ka dërguar disa mostra të asbestit për analiza jashtë vendit. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë po tenton që të fusë në Kuvendin Komunal si pikë të rendit të ditës këtë projekt.

Ndërsa të mërkurën më 3 nëntor, Ministria e Drejtësisë përmes Avokaturës Shtetërore, pas kërkesës së ministrit të Ambientit, Liburn Aliut, ka dorëzuar padi për anulim të aktit noterial në mes të NPB-së dhe “Made Group Construction”, ka bërë kërkesë për caktim të masës së sigurisë si dhe ka dorëzuar kallëzim penal ndaj zyrtarëve përgjegjës të NPB-së, me pretendimin se kanë dëmtuar interesin publik dhe pronën publike. 

Mungesa e transparencës

Ky projekt është përcjellë me mungesë të transparencës. Ndërmarrja Publike Banesore përveç tri publikimeve në ueb-faqe nuk ka dhënë përgjigje e as nuk ka dhënë qasje në dokumentet e këtij projekti edhe pse kapte vlerën e 120 milionë euro.

KALLXO.com më 10 qershor 2021 ka kërkuar nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) qasje në listën e kompanive që kanë shprehur interes dhe kanë ofertuar. Gjithashtu, është kërkuar sqarim se pse ka qenë afati aq i shkurtë për regjistrim të kompanive, bazën ligjore për caktimin e afatit kohor, si dhe lokacionin për të cilin bëhet fjalë.

Ndërmarrja Publike Banesore e udhëhequr nga Hajdar Hoxhaj kishte refuzuar kërkesën e KALLXO.com për qasje në dokumente më 11 qershor me arsyetimin se “procesi në fjalë nuk ka përfunduar në tërësi, jemi rezervuar nga trajtimi publik derisa i njëjti të përfundojë”.

Hoxha së bashku me asamblistin e Partisë Socialdemokrate, Dren Kukaj, që është aksionar i kësaj Ndërmarrjeje kishte dalë në një konferencë për media për të prezantuar projektin vetëm pasi ishte nënshkruar kontrata.