Aleksandar Vulin - i “Kuqi” në të Zeza

Aleksandar Vulini, drejtori i dorëhequr i Zyrës së Qeverisë Serbe për Kosovën pas marrëveshjes së javës së kaluar mes kryeministrave në Bruksel, mund ta ketë ndërruar kodin e veshjes prej se u emërua në krye të kësaj zyreje, por ai i ka qëndruar besnik ngjyrës së tij të preferuar-idealeve komuniste dhe heronjve të fëmijërisë.

Ky politikan 40 vjeçar nga Novisadi pothuajse gjithmonë vishet me të zeza. Edhe pse tash përdor kombinime të kravatave, kostumeve dhe këmishave kryesisht të zeza, para disa vjetësh, “uniforma” e tij përbëhej nga xhinset, bluzat e zeza dhe këpucët ushtarake.

Deri në të tridhjetat e tij të vonshme, Vulin veshi kostume shumë rrallë, vetëm gjatë promovimeve të tij dhe ditën e funeralit të ish të fortit të Serbisë Sllobodan Millosheviq.

“Ndjeva që do të ishte e padenjë të vija në ceremoni, i veshur me kanotiere”, tha Vulin në një intervistë të vitit 2006 për të përditshmen “Glas javnosti”.

Vulin diplomoi në Fakultetin Juridik të Novisadit, por kurrë nuk praktikoi drejtësinë. Ai filloi karrierën politike në Lidhjen e Komunistëve-Lëvizjen për Jugosllavi, një parti e formuar në vitin 1990, e dalë nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, partia e vetme e lejuar të veprojë në Jugosllavinë socialiste.

Në vitin 1994 ai ishte një nga themeluesit e të majtës jugosllave JUL, duke kryer detyrën e zëdhënësit. JUL-i qe formuar nga një koalicion prej 23 partive të majta dhe komuniste, të drejtuara nga gruaja e Sllobodan Millosheviqit, Mirjana Markoviq.

“Ndjeva që do të ishte e padenjë të vija në ceremoni, i veshur me kanotiere. Aleksandar Vulin

JUL-i ishte i afërt me socialistët e Millosheviqit SPS dhe në vitin 1996 iu bashkua koalicionit qeveritar me SPS-në. Por Vulin la JUL-in në vitin 1998, kur kjo parti hyri në koalicion me SPS-in dhe Partinë Radikale Serbe. 

Adhuruesi i Che Guevara-s ndjeu se një aleancë me radikalët nënkupton tradhti të idealeve të tij majtiste.

Ai kishte shumë për zemër lëvizjen partizane. Për Vulinin partizanët qenë “rinia më e bukur që ecën nëpër tokë dhe nuk kishte ide më të mirë se ajo ‘liri, barazi, vëllazëri’”.

Në vitin 2006 në intervistën për Glas Javnosti, Vulin shpjegoi pse beson në komunizëm, duke treguar se u rrit në një sistem në të cilin njerëzit e dinin se nuk do të vdisnin të sëmurë, të uritur dhe të pastrehë.

Vulin shtoi se gjyshi i tij as që kreu shkollën fillore, ndërsa gjenerata tjetër familjare përfundoi edhe studimet universitare.

Në vitin 2000, Vulini formoi një parti të re- Partinë e së Majtës Demokratike, e cila kolektivisht iu bashkua Partisë Socialiste Serbe, dy vjet më vonë.

“Rinia më e bukur që ecën nëpër tokë dhe nuk kishte ide më të mirë se ajo ‘liri, barazi, vëllazëri.

Ai la socialistët në vitin 2006 pas të ashtuquajturit “skandali çanta”, në të cilin ish-zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare Dejan Simiq dhe zyrtari i Partisë Socialiste Vladan Zagragjanin, qenë akuzuar për marrje ryshfeti. 

Atëherë në vitin 2006, lideri i tashëm socialist Ivica Daçiq, doli nga shtëpia e Simiqit, pak përpara se policia ta bastisë atë. 

Në vitin 2010 një gjyq beogradas i shpalli të pafajshëm të pandehurit.

Në vitin 2008 Vulin formoi Lëvizjen Socialiste dhe në vitin 2010 ai iu bashkua koalicionit të drejtuar nga Partia Progresive Serbe. Ky koalicion fitoi zgjedhjet e përgjithshme serbe të majit, pas së cilave Vulin udhëhoqi Zyrën Qeveritare për Kosovën.

“Nuk ka asgjë më të rëndë dhe asgjë më të ndershme të bëhet në Serbi, sesa ta mbrosh Kosovën dhe jam duke shikuar me frikë se çfarë shtrihet para meje”, i tha ai së përditshmes Danas në gusht, disa ditë pasi u emërua në krye të zyrës.

Përgjatë viteve Vulin u lidh edhe me gazetarinë, duke shkruar kolumne për të përjavshmet Svet dhe Nacional. Ai është kryeredaktor i së përjavshmes “Vula” (Pecat) dhe recensent i stripave komikë me Alan Ford-in.

Heronjtë imagjinarë Alan Ford dhe Corto Maltese kanë lënë gjurmë në jetën e tij me fjalët e tyre dhe ai nuk mund ta imagjinojë jetën pa ta.

“Nuk ka djalë që nuk dëshiron t’i ngjajë Corto Maltese-s dhe nuk ka të rritur që nuk mban mend atë. Si mund të mos e duash atë njeri, që kur kupton se nuk ka vijë të fatit në pëllëmbën e dorës së tij, e merr briskun e rrojës së babait dhe e bën vijën vetë”, tha një herë Vulin. 

“Mesazhi kryesor që jep Corto Maltese është që secili e krijon vetë fatin e tij, që asgjë nuk është e paracaktuar. A sa për Alan Fordin, asnjëherë nuk kam parë kritik më të madh të shoqërisë kapitaliste”, i tha Vulin Danas-it.

Vetë Vulini shkroi disa libra. Të parën me titull “Arti politik-si ta njohësh”, të botuar në vitin 2002, ku termat politikë i shpjegon në trajtë fjalori.

Veprat e tij të mëvonshme-romanet  “Rënia” 2004, “Bukuria” 2009 dhe “Errësira” 2011 lidhen me historinë mesjetare serbe, shoqërinë, luftërat e të nëntëdhjetave dhe pasojat e tyre.

Motivet fetare të shfaqura te “Bukuria” dhe “Errësira” bien në kundërshti me besimin e Vulinit në komunizëm.

“Religjioni është pjesë përbërëse e secilit personalitet, pavarësisht a i takon ai një grupi fetar të caktuar, a jo”, i tha ai Danasit.

“Është si lidhja mes populit dhe së majtës. Thelbi i së majtës është një qenie njerëzore e lumtur dhe që qenia të jetë e lumtur duhet të jetë e kënaqur në të gjitha aspektet e jetës”.

“Qenia njerëzore është shoqërore, erotike, fetare, shpirtërore dhe kombëtare dhe njeriu duhet të lejohet të shpreh secilin aspect të qenies së tij, për të qenë i lumtur”, vazhdoi Vulini për Danas. 

Në jetën e tij private Vulinit i pëlqejnë stilet rok e punk të muzikës. Përveç ish-YU bandit Azra dhe atij kroat Kud Idioti, Vulin është adhurues i Bob Dilan-it.

“Nuk ka asgjë më të rëndë dhe asgjë më të ndershme të bëhet në Serbi, sesa ta mbrosh Kosovën dhe jam duke shikuar me frikë se çfarë shtrihet para meje.

Dilan duket të jetë një nga pak “prodhimet” amerikane që i pëlqejnë Vulinit. Ai pranon artet dhe civilizimin perëndimor, por preferon lindjen. 

“Nuk do të kishte filozofi të lirisë, pa revolucionin francez”, tha ai.

“Por arsyeja pse kritikoj perëndimin është filozofia e tij që fitimi është më i rëndësishëm se njeriu”.

Disa nga udhëtimet e tij të preferuara qenë udhëtimet në Indi, Kubë dhe Rusi. Në Kubë ai u impresionua, kur doganieri e lëshoi të kalojë pa pritur në radhë, sapo i pa pasaportën serbe. Vulin gjatë vizitës në Rusi, pati ndjenjën se i përket këtij shteti.

“Kur shkoni në Rusi, tronditeni nga ndjenja se i takoni diçkaje të madhe”, tha ai.

“Secili ju konsideron pjesë të tijën dhe ju keni ndjenjën se jeni vëllai i vogël që po viziton të madhin, dhe ndjeheni tmerrësisht krenar që ai është vërtet vëlla i madh”, Vulin citohet të ketë thënë gjatë 2006-tës.

Vulin është i martuar dhe ka një djalë.