Kompleksi Memorial Marine

22 vjet pas luftës, Kosova planifikon Strategjinë e së Vërtetës dhe Drejtësisë

Kosova ka filluar të hartojë draftin e një strategjie kombëtare për drejtësinë tranzicionale, që synon të adresojë çështjet e pazgjidhura të luftës së viteve 1998-1999, por ka ende pikëpyetje nëse ekziston vullneti politik për të shmangur një nismë “mono-etnike”.

Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, për herë të parë, Ministria e Drejtësisë e Kosovës, ka krijuar një ekip për të hartuar një strategji kombëtare për drejtësinë tranzicionale.

Ekipi prej dhjetë personash, përfshirë zyrtarë shtetërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë të huaj, brenda gjashtë muajsh do të përgatisin një projekt-dokument, që detajon se si duhet vënë në zbatim kjo strategji. Më pas strategjia do të ofrohet për debat publik.

Në takimin e parë të grupit të punës muajin e kaluar, kryeministri Albin Kurti tha se nisma ishte pothuajse shumë vonë.

“Ky është momenti i fundit për t’u përballur siç duhet me të kaluarën. Është momenti i fundit për të adresuar gjithçka që ka ndodhur. Për të vlerësuar dëmin. Për ta riparuar atë. Për a vënë në vend të drejtën dhe të vërtetën për viktimat e krimit, të mbijetuarit dhe familjet e tyre”, tha Kurti.

Ky veprim erdhi dy muaj pasi Kurti mbajti takimin e parë të një grupi tjetër pune të fokusuar në planifikimin e krijimit të një Instituti të ri të mbështetur nga qeveria për krimet e kryera gjatë luftës, që synon të dokumentojë siç duhet të gjitha krimet e kryera gjatë konfliktit.

Institut i mëparshëm për Krime Lufte u krijua në 2011, por u shfuqizua në  vitin 2018 nga kryeministri në atë kohë, Ramush Haradinaj. Ringritja e tij ishte një nga premtimet e partisë Vetëvendosje të Kurtit para se të fitonte zgjedhjet parlamentare në shkurt. Kurti gjithashtu u zotua ta padisë Serbinë për gjenocid.

Baki Svirca, kreu i Divizionit të Drejtësisë Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë, i cili po udhëheq grupin e punës mbi strategjinë kombëtare të drejtësisë tranzicionale, tha se synohet të jetë një “strategji gjithëpërfshirëse, në qendër të së cilës do të jenë viktimat”.

Svirca shpjegoi se strategjia do të përfshijë një “program dëmshpërblimi, të vërtetën, përkujtimin dhe mjete efikase për të mbijetuarit”.

“Ne duam gjithashtu të krijojmë një strategji informacioni, në mënyrë që publiku të kuptojë parimet dhe etikën e drejtësisë tranzicionale në Kosovë. Në zemër të kësaj strategjie do të jenë të drejtat, nevojat dhe interesat e të gjitha komuniteteve”, tha ai.

Svirca gjithashtu tha se strategjia gjithashtu do të bashkojë informacionin që tashmë është mbledhur dhe publikuar nga organizata të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si Fondi për të Drejtën Humanitare, Human Rights Watch dhe të tjera.

“Ne duam të mbledhim gjithë informacionin në lidhje me luftën dhe ta kthejmë atë në informacion zyrtar dhe të krijojmë një narrativë për luftën”, tha ai.

Gëzim Visoka, profesor i asociuar i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Dublin City University në Irlandë, tha se nismat e mëparshme të drejtësisë tranzicionale në Kosovë, si Instituti për Krimet e Luftës që u shpërbë nga Haradinaj, dhe Komisioni i propozuar për të Vërtetën dhe Pajtimin që u prezantua nga ish-presidenti Hashim Thaçi, kishin shumë të meta.

Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin u inicua nga drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Thaçi, në vitin 2017 dhe kishte për qëllim të siguronte bazën për dialogun mes komuniteteve të ndara të Kosovës. Por e ardhmja e tij mbetet e pasigurt që kur Thaçi u mor nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vitin e kaluar, për t’u gjykuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Visoka tha se nismat e mëparshme të drejtësisë tranzicionale “vazhduan pa vizion, koordinim dhe harmonizim më të gjerë, dhe shpesh ishin të ekspozuara ndaj politizimit dhe personalizimit nga liderët politikë”.

“Nuk është kurrë tepër vonë të kërkosh drejtësi për krime të pazgjidhura. Por përpjekjet e së kaluarës kanë lënë një trashëgimi të pasigurt, e cila mund të minojë përpjekjet e tashme dhe të ardhshme”, shtoi ai.

Sa i përket procedurave penale, që nga viti 1999, rastet e krimeve të luftës janë gjykuar nga gjykata e OKB-së në Hagë, nga misionet e OKB-së dhe BE-së në Kosovë, UNMIK dhe EULEX, dhe nga gjykatat vendase – dhe asnjëra prej tyre nuk ka qenë aq e suksesshme. Tani mbetet të shihet nëse Gjykata Speciale, e krijuara për të gjykuar ish-guerilët e UÇK-së për krime lufte, do bëjë më shumë.

Në përgjithësi, ekspertët besojnë se përpjekjet për një drejtësisë tranzicionale në Kosovë, deri më tani, kanë qenë jo të qëndrueshme  dhe joadekuate.

“Fokusi te gjykimet e krimeve të luftës shmangu rëndësinë e aspekteve të kërkimit të së vërtetës, dokumentimit dhe si dhe rëndësinë e dëmshpërblimeve dhe kompensimit”, tha Visoka.

“Duke qenë se këto elemente kryesisht mungojnë, njohja për viktimat dhe të mbijetuarit e konfliktit po neglizhohet”, shtoi ai.

Pajtimi pas një lufte të përgjakshme është ende shumë larg në Kosovë, ku shumica e komunitetit shqiptar dhe pakicës serbe kanë një pikëpamje krejtësisht të ndryshme rreth asaj që ndodhi gjatë luftës dhe tensionet ndëretnike kurrë nuk janë larg.

“Ka disa të vërteta ‘ekskluzive’ që nuk i lejojnë njerëzit që t’i besojnë njëri-tjetrit, një mungesë informacioni për shumë ngjarje të kohës së luftës ose për vendndodhjen e personave të zhdukur, dhe ka ende një kulturë mosndëshkimi për krimet e luftës ose korrupsionin”, shpjegoi Visoka.

Ai argumentoi gjithashtu se “mungesa e interesit nga komuniteti ndërkombëtar” për të përfshirë çështjet e drejtësisë tranzicionale në dialogun e vazhdueshëm të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve ka penguar çdo progres të mundshëm.

“Një zgjidhje për të gjithë shoqërinë”

Baki Svirca nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës po kryeson grupin e punës që do të merret me strategjinë kombëtare pë drejtësinë tranzicionale. Foto: Serbeze Haxhiaj.
Baki Svirca nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës po kryeson grupin e punës që do të merret me strategjinë kombëtare pë drejtësinë tranzicionale. Foto: Serbeze Haxhiaj.

Bekim Gashit, nëna dhe katër motrat e të cilit u vranë nga forcat serbe në masakrën e fshatit të tyre, Tërrnje më 25 mars 1999 dhe eshtrat e tyre nuk janë gjetur end thotë se strategjia e drejtësisë tranzicionale duhet t’i japë përparësi “personave të zhdukur dhe drejtësisë për viktimat”.

“Ne kemi parë drejtësi selektive dhe mohim të krimeve kundër njerëzimit”, tha ai për BIRN.

“Asgjë nuk mund t’i shërojë plagët e së kaluarës, nëse nuk mund të ofrohet të paktën drejtësi”, tha ai.

Gashi ka pasur pak sukses në kërkimin e drejtësisë për të afërmit e tij të vrarë. Në vitin 2008, ai paraqiti një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Luftës të Serbisë kundër Brigadës 549 të Ushtrisë Jugosllave. Në vitin 2019, Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi ish-oficerin e Rajko Kozlina me 15 vjet burg për vrasjen e 27 civilëve në Tërrnje në vitin 1999, ndërsa liroi nga akuzat eprorin e tij, Pavle Gavriloviç.

Lejla Gacanica, një këshilltare ligjore për TRIAL International, në Sarajevë,  një OJQ që ofron ndihmë juridike për viktimat e abuzimeve të të drejtave të njeriut, tha se për shkak se kanë kaluar kaq shumë vite nga lufta, ka pasur kohë të mjaftueshme për të vlerësuar atë që nevojitet.

“Strategjia, edhe pas 20 vitesh, duhet të mbyll boshllëqet kryesore dhe të perceptohet si një zgjidhje konkrete për të gjithë shoqërinë. Është një tjetër mundësi për të sjellë drejtësi dhe paqe në një shoqëri pas konflikti dhe për të punuar drejt garantimit të mos përsëritjes së konfliktit”, tha Gacanica.

Aidan Hehir, një ligjërues në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Uestminsterit, i cili së fundmi ka bashkë-redaktuar librin Kosovo and Transitional Justice: The Pursuit of Justice After Large Scale-Conflict, tha se ndryshe nga Gjykata Speciale që  “iu imponua Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar dhe ka mbështetje të papërfillshme në vend”, strategjia për drejtësi tranzicionale duhet të jetë “në thelb më legjitime”.

Hehir tha se ekspertët që përgatisin strategjinë duhet “të vendosin parime se si të vihen në zbatim mekanizma efikase të drejtësisë tranzicionale dhe të mos lejojnë që procesi të politizohet brenda vendit ose të ketë ndërhyrje nga jashtë, në mënyrë që nisma të ndihmojë të vërtetën për luftën dhe do të ofrojë mbështetje për të gjithë ata që janë prekur”.

Megjithatë, ka disa sfida që mund të minojnë shanset që strategjia të arrijë ndonjë sukses.

Visoka tha se “ekziston rreziku që duke qenë se mes Kosovës e Serbisë nuk ka marrëveshje paqeje, dhe asnjë kornizë të dakorduar për ballafaqimin me të kaluarën, iniciativat të kundërshtohen nga komuniteti lokal serb dhe të shpërfillet nga komuniteti ndërkombëtar”.

Një tjetër çështje e rëndësishme sipas tij është se liderët politikë të Kosovës duhet të kenë vullnetin për të adresuar vërtet trashëgimitë e pazgjidhura të kohës së luftës.

“Është e rëndësishme që drejtësia tranzicionale të mos ndjek agjendat politike mono-etnike, por parimet që ofrojnë një masë drejtësie për viktimat dhe të mbijetuarit”, argumentoi ai.

Svirca këmbënguli që procesi i hartimit të strategjisë së drejtësisë tranzicionale nuk do të kryhet sipas ndonjë agjende mono-etnike dhe se “do të ofrojë një platformë për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit”.

Hehir paralajmëron megjithatë se do të ketë një shkallë skepticizmi në mesin e serbëve të Kosovës, duke pasur parasysh se liderët e mëparshëm politikë në Prishtinë i kanë përdorur nismat e drejtësisë tranzicionale në mënyra cinike.

“Qeveria aktuale është shumë ndryshe, megjithatë, dhe nuk është e njollosur me dështime të kaluara. Prandaj shpresoj që asaj do t’i jepet një mundësi për t’i treguar të gjithëve se ka qëllime të mira”, tha ai.