Njëri nga vendet ku votohet në Drenas | Foto: KALLXO.com

Fotografim Vote në Tërstenik

Në Tërstenik në qendrën e votimit 0306e/03r është evidentuar fotografimi i votës nga një votues.

Sipas monitoruesit të KALLXO.com në këtë qendër, fotografimi i votës në kabinë të votimit është vërejtur nga një anëtar i komisionit.

Votuesi me inicialet B.H. që fotografoi votën pastaj është raportuar te menaxheri i qendrës dhe fotografimi është shënuar në procesverbal.

Arif Gashi menaxher i qendrës në Tërstenik thotë se rasti i është raportuar nga kryesuesi i vendvotimit Arton Gjoka.

Sipas menaxherit Gashi, rasti i fotografimit të votës do t’i bëhet i ditur kryetarit të Komisionit Komunal Zgjedhor Bilall Shehu.

Në qendrën e votimit në Tërstenik të drejtë vote në katër vendvotime kanë 3152 persona.

KALLXO.com shkroi për fotografim vote edhe në raundin e parë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit.

http://kallxo.com/evidentohet-fotografim-vote-ne-polluzhe/

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas po mbahen, pasi kryetarit të kësaj komune Nexhat Demaku iu vërtetua nga Gjykata e Apelit dënimi për krime lufte, ndërsa ai pas këtij vërtetimi dha dorëheqje.

Në listën e votuesve të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit figurojnë 52,569 votues, numër që shënon një rritje prej 2,338 votuesve për dallim nga zgjedhjet e fundit në këtë komunë të mbajtura në vitin 2013.

Për zgjedhjet e sotme janë akredituar rreth 1 mijë vëzhgues të cilët vijnë nga ambasadat, organizatat ndërkombëtare, OJQ-të vendore, subjektet politike dhe mediat.

Në garë për të marrë besimin e votuesve të Drenasit janë Ramiz Lladrovci (PDK) dhe Isa Xhemajlaj (NISMA) të cilët dolën më të votuarit në raundin e parë të mbajtur më 4 dhjetor, por pa mundur asnjëri që ta marrin shumicën e votave.