Flora Brovina

Flora Brovina sërish publikon fotografi nga lufta, nxit reagime në Kuvend

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina sërish në Kuvendin e Kosovës e ka shpalosur një fotografi të një viktime të luftës së fundit në Kosovë.

Kësaj rradhe të një vajze që asokohe sipas deputetes ishte 7 vjeçare.

“Ky fëmijë me lejen e prindit, nanës dhe familjes e dëshmoj se ka vdekur gjatë dhunimit. 7 vjeç vajzë. Le të traumatizohet kush të dojë, por e vërteta le të mbërrijë atje ku duhet. Ajo është akuza për gjenocid”, tha Brovina.

Pas këtij veprimi, në sallë pati reagime sidomos nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se i kupton përjetimet e personave për këto çështje.

“Unë i kuptoj përjetimet në raste të rënda kur janë, por edhe më lëshu sallën nuk është keq, në kuptimin në momente të caktuara me u kthy. Të mos zhvillohet debat i brendshëm. Këtu vetëm Serbia ka interes me e shkëput vëmendjen nga kjo”, tha Veseli.

Paraprakisht, deputetja Brovina tha se në rezolutën për gjenocidin serb duhet shtuar edhe disa fakte tjera.

“Në Kosovë ka ndodhë helmimi masiv i fëmijëve në shkolla. Krim ndaj njerëzimit është edhe mbyllja e shkollave shqipe. Argumenti dhe e vërteta janë jo vetëm kur flasin të huajt, por kur flasim ne vet. Le të jetë më e fuqishme, qoftë edhe me lejen e familjarëve. Neve jo gjithherë na është mundësuar të flasim për këto gjëra, edhe për dhunimet”, tha deputetja e PDK-së.

Brovina gjatë seancës së sotme të Kuvendit, ka publikuar  para mediave fotografinë e një gruaje duke u dhunuar gjatë luftës së fundit në vend.

Ndaj këtij veprimi pati reagime të shumta, përfshirë edhe deputeten e VV-së, Saranda Bogujevci, e cila kërkoi që të largohet nga mediat fotografia e gruas së dhunuar .