Filmimet demantojnë Prokurorinë: Prokurori Abazi e quajti dëshmitarin të mbrojtur

Vetëm pak orë pas publikimit të lajmit të KALLXO.com se prokurori Naim Abazi gjatë seancës së mbajtur sot në rastin “Toka” ka zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, ka reaguar Prokuroria e Shtetit.

Në reagim Prokuroria ka përmendur se prokurori Abazi ka zbuluar identitetin e dëshmitarit bashkëpunues e jo të mbrojtur.

Materiali i incizuar nga KALLXO.com sjell momentin kur prokurori Abazi i është referuar si dëshmitar i mbrojtur dy dëshmitarëve në rastin gjyqësor ndaj Azem Sylës.

Prokuroria ka fajësuar prokurorin italian Danilo Ceccarellin, për përfshirjen e emrave në aktakuzë por nuk ka dhënë sqarime pse gabimet e supozuara të prokurorit italian janë ripërsëritur nga prokurori vendor, i cili në komunikatë i ka quajtur dëshmitarët bashkëpunues ndërsa para gjykatës i ka quajtur të mbrojtur.

“Deklaratat e ish-prokurorit Ceccarelli, janë tendencioze, pasi që vet ai në fjalën e tij hyrëse iu ka referuar si dëshmitar bashkëpunues dhe asnjëherë si dëshmitar i mbrojtur. Ish- prokurori Ceccarelli, si prokuror i rastit në fjalë, në aktakuzën e përpiluar nga ai, i ka të cekur të gjithë emrat dhe mbiemrat e plotë të secilit dëshmitarë të përmendur nga ai sot në gjykim, si dhe prokurori vendor i Prokurorisë Speciale vetëm e ka përfaqësuar lëndën e Ceccarellit”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Gjatë tërë seancës prokurori ka cituar deklaratat e dhëna nga këta dëshmitarë në seancat hetimore të cilat me një vendim të gjykatës janë shpallur të mbyllura dhe publikimi i të dhënave duke përfshirë edhe identitetin e dëshmitarëve ishin të ndaluara.

Gjatë ditës së sotme, KALLXO.com ka raportuar për skandalin në gjykimin ndaj Azem Sylës ku prokurori Naim Abazi zbuloi emrat e dëshmitarëve të mbrojtur.

https://kallxo.com/skandal-ne-gjykimin-ndaj-azem-syles-zbulohen-emrat-e-deshmitareve-te-mbrojtur/

Në gjykimin ndaj Azem Sylës dhe të akuzuarve të tjerë në rastin “Toka”, në fjalën hyrëse, prokurori special Naim Abazi ka përmendur emrat e dëshmitarëve të mbrojtur edhe pse seanca ishte e hapur për publikun.

Emrat e dëshmitarëve të mbrojtur të cilët prokurori special Naim Abazi i përmend gjatë seancës në fjalën e tij hyrëse në seancë publike, redaksia e KALLXO.com nuk i publikoi pasi sipas Ligjit të njëjtit janë të mbrojtur dhe publikimi i tyre përben shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mospërfillje të gjykatës.

Në të njëjtin rast gjyqësor, Prokuroria e Prishtinës kishte inicuar një procedurë penale ndaj avokatit Tomë Gashi, për shkak të dyshimeve për shkelje së fshehtësisë së procedurës dhe mospërfillje të gjykatë.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë së Prishtinës avokati Tomë Gashi dyshohej se kishte zbuluar konfidencialitetin duke zbuluar identitetin e një personi të mbrojtur në rastin e njohur si “Toka“, duke përmendur emrin e tij para mediave ndonëse gjykatësi i rastit seancën e kishte mbyllur për mediat dhe publikun.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-avokatit-tome-gashi-rreth-rastit-ndaj-azem-syles/

Në një prononcim për KALLXO.com, prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccarelli, është deklaruar rreth statusit të dy dëshmitarëve të përmendur në seancën e sotme të rastit “Toka”.

“Të dy emrat e dëshmitarëve janë në masën që nuk guxojnë të përmendën në seancë publike. Njëri nga ta është në programin e dëshmitarëve të mbrojtur”, ka thënë prokurori Ceccarelli për KALLXO.com.

https://kallxo.com/prokurori-italian-qe-hetoi-azem-sylen-publikimi-i-emrave-te-deshmitareve-shkelje-e-rende/

I kontaktuar nga KALLXO.com prokurori Abazi nuk ka dhënë përgjigje të saktë nëse dëshmitari është bashkëpunues apo i mbrojtur. Nuk e di saktë për shkak të numrit të madh të shkresave po do e saktësojmë ditëve në vijim” ka thënë prokurori Abazi. I pyetur nëse është në dijeni për aktakuzën që i është ngritur avokatit Tomë Gashi për zbulimin e emrit të dëshmitarit të njëjtë në këtë rast Abazi ka thënë se nuk ka asnjë informacion për këtë çështje. Abazi është arsyetuar se emri i dëshmitarit është në aktakuzën e ngritur nga prokurori dhe ajo është publike.

Ndërsa Gjykatësi i rastit Beqir Kalludra nuk ka dashur të flasë nëse në seancën e tij kishte shkelje kur u përmenden publikisht emrat e dëshmitarëve.