Prokurori i kërcënuar nga një qytetar është Naim Abazi

Prokurori i Prokurorisë Speciale Naim Abazi është kërcënuar gjatë ditës së djeshme brenda objektit të kësaj prokurorie nga një qytetar.

Siç mëson KALLXO.com prokurori special e ka raportuar kërcënimin, ndërsa personi i dyshuar është ndërguar në ndalim për 48 orë.

Tutje KALLXO.com mëson se qytetari kishte pasur një rast në po të njëjtën prokurori, ndërsa në një njoftim për media nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë nuk janë dhënë detaje se cilat ishin arsyet që e dërguan H.M., deri te kërcënimi i prokurorit Abazi.

Gjatë ditës së sotme Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se një person është ndaluar për 48 orë për veprën penale kanosje.

“Personi i lartcekur, është dërguar në mbajtje, pasi i njëjti dyshohet se ka kanosur një prokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, brenda objektit të këtij institucioni”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka tentuar të marr edhe një sqarim nga ana e vetë prokurorit Abazi, por i njëjti nuk ka pranuar të flas.