Pallati i Vonuar i Drejtësisë

Gjatë muajit tetor-nëntor, BIRN-i ka hulumtuar se projekti më i madh i financuar nga zyra e BE-së në Kosovë, i njohur si Pallati i Drejtësisë, edhe pse fillimisht ishte planifikuar të realizohej përfundimisht përgjatë vitit 2013, tani afati për realizimin e tij është zgjatur për qershor/korrik 2014.

Ky projekt pritet t’i vë nën një kulm të gjitha institucionet gjyqësore dhe prokuroriale të shpërndara në Prishtinë.

Projekti më herët parashihej të ndërtohej bazuar në ligjin e vjetër për gjyqësor. Kështu fillimi i punimeve me ligjin e vjetër, kishte sjellë deri te ri-dizajnimi  i projektit, i cili ndodhet rreth 4 kilometra larg qendrës.

Atëkohë rregullimi i brendshëm i gjykatave dallonte nga ai aktual, që hyri në fuqi në vitin 2013.

Ndërsa ndryshimet në gjyqësor, prej janarit të vitit 2013 krijuan Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Themelore, në të cilën futën gjykatën për kundërvajtje, gjykatën komunale dhe atë qarkut, të organizuara në shumë departamente.

I ndërtuar në një tokë prej 2.5 hektarësh, një kompleks gjigant prej 5 ndërtesave, Pallati i Drejtësisë në strukturën e vet duhet të përfshijë: Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Supreme, Gjykatën Themelore të Prishtinës, Gjykatën e Apelit, Prokurorinë e Shtetit dhe atë Speciale, Prokurorinë e Apelit dhe atë Themelore të Prishtinës.

Dy prej pesë objekteve, A dhe B, janë zgjeruar pikërisht për shkak të nevojave të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore me departamentet e saj.  Secili prej objekteve është zgjeruar për një hapësirë prej 1 mijë metrash katrorë.

Në bazë të ri-dizajnimit është planifikuar që në ndërtesën A të vendosen” KGjK-ja, Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit, kurse në ndërtesën B Gjykata Themelore e Prishtinës.

Rrjedhimisht në këto dy ndërtesa do të transferohen organet që kanë pësuar ndryshime më të mëdha si rezultat ristrukturimit të gjykatave.

Ndërtesa C është planifikuar për KPK-në (Këshillin Prokurorial të Kosovës) dhe të gjitha Prokuroritë e Prishtinës, ndërtesa D është ndërtuar enkas për salla gjyqësore, respektivisht do të përfshijë 28 salla dhe në ndërtesën E do të akomodohet Gjykata Kushtetuese.

Ndërtimi i kompleksit në fjalë është produkt i një projekti të përbashkët të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës, me një vlerë prej 27 milionë eurosh, shumë kjo e cila është investuar 80% prej BE-së.

Edhe pse fillimisht kompetenca mbi menaxhimin e këtij projekti nga ana e Qeverisë kishte Ministria e Drejtësisë këto kompetenca i janë bartur Ministrisë së Administratës Publike.

Një shqetësim tjetër rrjedh nga lokacioni në të cilin është ndërtuar objekti, i cili njëkohësisht ndodhet 4 kilometra larg qendrës së qytetit.

Oda e Avokatëve ka shfaqur Shqetësimin e saj duke pasur parasysh faktin se shumica e avokatëve kanë zyrat e tyre në qendër, dhe po të njëjtët do të kenë problem fillimisht për shkak të mungesës së infrastrukturës që mungon në pallat.